1568032047159.JPG

Udhëtimi i Françeskut në Afrikë: gëzim, shpresë e përgjegjësi

Pamje dhe fjalë, që karakterizuan vizitën e Papës në Mozambik, Madagaskar dhe Mauricius

R.SH. - Vatikan

Andrea Tornielli

Udhëtimi i Papës në Mozambik, Madagaskar dhe Mauricius sapo ka përfunduar e nga këto ditë intensive dhe të jashtëzakonshme na mbeten të fiksuara në mendje sidomos fytyrat e gëzueshme të fëmijëve, grave dhe burrave, që e shoqëruan Françeskun përgjatë rrugëve herë me baltë, herë me pluhur të Maputos e të Antananarivos, dhe që u dhanë shpirt - në kuptimin e vërtetë të fjalës – liturgjive të mrekullueshme të kremtuara në të tria vendet. Gëzimi që mundën të shprehin, pavarësisht nga vështirësitë dhe kushtet e pasigurta, në të cilat detyrohen të jetojnë shumë prej tyre, mund të na mësojë diçka të gjithëve. Na mëson se kur llogarisim mirëqenien e një populli, parametrat e lidhura vetëm me statistikat ekonomike nuk janë të mjaftueshme: feja e jetuar, miqësia, aftësia për të krijuar marrëdhënie, lidhjet familjare, solidariteti, aftësia për të shijuar gjërat e vogla, gatishmëria për t’u dhuruar, nuk mund të hyjnë kurrë në statistika.

Çasti më mallëngjyes i gjithë udhëtimit ishte pa dyshim takimi me tetë mijë fëmijët e Akamasoas, në vendin ku më parë ndodhej një depo e madhe plehrovinash, e ku tani ngrihen shtëpi të vogla, por dinjitoze, me tulla, shkolla, vende argëtimi. Puna e filluar rreth tridhjetë vjet më parë nga atë Pedro Opeka është një nga thesaret e shumta të fshehura të Kishës Katolike në botë. Një vepër, që mishëron shpresën e krishterë. Falë përkushtimit të këtij misionari, mijëra familje kanë gjetur punë dhe dinjitet, ndërsa mijëra fëmijë kanë gjetur një çati mbi kokë, ushqim dhe mundësinë për të ndjekur shkollën. Mirëseardhja e zhurmshme dhe festive që bijtë e Akamasoas i dhanë Papës është karburant për shpirtin. Sa atë Pedro ka në Afrikë, në Azi, në Amerikën Latine, por edhe në periferitë më problematike të Perëndimit. Duke soditur fytyrat e atyre fëmijëve, të lumtur që pritën në shtëpinë e tyre atë gjysh nga Roma, të veshur me të bardha, njeriu ndeshet me thelbin më të thellë të Kishës dhe të misionit të saj: me ungjillëzimin dhe promovimin e njeriut. Ungjillëzim, duke zgjedhur afërsinë me më të ligshtit dhe më të mënjanuarit. Ungjillëzim, duke dëshmuar “praninë e një Zoti, që ka vendosur të jetojë dhe të mbetet gjithmonë në mes të popullit të tij”, siç tha Françesku në Akamasoa. Disa herë, gjatë këtyre ditëve, Papa u kërkoi meshtarëve, rregulltareve dhe rregulltarëve, ta rindezin zjarrin e frymës së vërtetë misionare, që nuk mund të kuptohet pa afërsinë me ata që vuajnë.

Françesku gjithashtu, ftoi të mos konsiderohet gjendja e të varfërve si fatalitet: “Asnjëherë mos u dorëzoni para pasojave shkatërrimtare të varfërisë, kurrë mos u dorëzoni para tundimeve për një jetë të lehtë e mos u mbyllni në vetvete”. E kështu, filli tjetër i kuq, që lidhi ngjarjet e udhëtimit, ishte thirrja për përgjegjësi drejtuar qeverive, autoriteteve politike dhe shoqërisë civile, që të ndërmerren rrugë të reja zhvillimi. Shtigje inovative, të afta ta vënë në diskutim modelin aktual ekonomiko-financiar, duke i bërë popujt protagonistë të ndërtimit të një ardhmërie më të drejtë, më solidare, me më tepër respekt për dinjitetin e jetës, të kulturave dhe të traditave, me më tepër respekt për Gjithësinë e krijuar nga Zoti, që na është dhënë për t’ua transmetuar fëmijëve, pa e plaçkitur. Mesazhe të shqiptuara në Afrikë dhe për Afrikën, por edhe për të gjithë ne.

10 shtator 2019, 09:38