Kërko

Mesha në Sheshin e Shën Pjetrit Mesha në Sheshin e Shën Pjetrit 

Papa Françesku kremtoi meshën në Ditën Botërore të Migrantit e Refugjatit

Papa Françesku kremtoi sot, në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, meshën dhe Engjëllin e Tënzot, në Ditën Botërore të Migrantit dhe të Refugjatit.

R.SH. - Vatikan

Fjala e Zotit e kësaj së diele, që na paraqet dy rrugë, atë të të drejtit dhe atë të atij, që e gëzon pasurinë e vet, pa u shqetësuar për të tjerët, e ndihmoi Atin e Shenjtë të komentojë në këtë këndvështrim, edhe ndihmën, që u duhet dhënë të gjithë atyre, që ikin nga atdheu në kërkim të një jete më të mirë.

Në Ungjill, i pasuri as që e vë re Lazrin e varfër, që rri në pragun e portës së tij, i mbuluar me plagë. Njëlloj si indiferenca, që mbizotëron sot në botë, ku njerëzit jetojnë sikur Zoti të mos ekzistonte. Sepse është pikërisht Hyji, që e ndryshon krejtësisht pamjen e rreshtave të para të shëmbëlltyrës, kur në jetën e pasosur merr pranë vetes Lazrin në Parajsë e hedh në fund të ferrit të pasurin.

Në Shkrimin Shenjt, urdhërimi për ta dashur të huajin inkuadrohet në një spektër më të gjerë, që ka të bëjë me dashurinë dhe respektin për të gjithë ata, të cilët ndodhen në gjendje brishtësie e vështirësie: të moshuarit, jetimët, vejushat, të verbërit, të burgosurit. Kujdesi i Kishës për emigrantët e refugjatët i ka rrënjët pikërisht në Bibël. Në Librin e Levitikut thuhet: “33 Nëse jeton me ju i huaji në tokën tuaj, mos e shtypni; 34 por le të jetë ndër ju si vendas dhe duaje si vetveten: edhe ju keni qenë të huaj në dheun e Egjiptit. Unë jam Zoti, Hyji juaj”.

I huaji pra, ka të drejtë të ketë vëmendjen dhe ndihmën tonë. Të njëjtat pohime i gjejmë edhe në fjalët e Jezu Krishtit. Por kur e lëmë zemrën të na ngurtësohet si ajo e pasanikut të Ungjillit të sotëm, kur ia mbyllin derën tjetrit, thahen dalëngadalë burimet e dashurisë, që na e njomin shpirtin. E kështu, mbyllim sytë e zemrën për ata, që trokasin me këmbëngulje në portat e shtëpisë, sepse kanë nevojë për gjithçka. E duke u mbyllur në vetvete, hedhim në humnerën e ferrit humanitetin tonë, siç bëri pasaniku i shëmbëlltyrës ungjillore.

29 shtator 2019, 12:50