2019.09.10 PAPA SANTA MARIA MAGGIORE 2019.09.10 PAPA SANTA MARIA MAGGIORE 

Papa Françesku mbërrini në Romë nga udhëtimi në Afrikë

Papa mbërriti në orën 17.55 në aeroportin e Romës-Ciampino nga Antananarivo. Udhëtimi i 31-të apostolik i Françeskut në Afrikë përfundoi pas shtatë ditëve intensive me takime e kremtime. Para se të kthehej në Vatikan, Papa u ndal në Bazilikën e Zojës së Madhe për lutjen e falënderimit para fugures mariane të Salus populi romani.

R.SH. - Vatikan

Avioni Airbus A340-313 i Air Madagascar që solli Papën Françesku në Itali nga Antananarivo, kryeqyteti mallgash, në përfundim të udhëtimit të tij të tretë në Afrikë, mbërrini në aeroportin Romak Ciampino në orën 17.55 pasdite, pas një fluturimi 9 orësh. Avioni i Papës u nis nga Antananarivo në ora 8.38 të mëngjesit. Mbyllet, kështu, udhëtimi i 31-të apostolik i Papës argjentinas, i cili gjatë këtij shtegtimit shtatë ditor vizitoi Mozambikun, Madagaskarin dhe Mauritius.

Falënderimi Zojës së Bekuar Maria "Salus Populi Romani"

Para se të kthehej në Vatikan, sipas traditës, në përfundim të çdo shtegtimi apostolik ndërkombëtar, Papa Françesku edhe sot vizitoi Bazilikën e Zojës së Madhe në Romë, për ta falënderuar Shën Marinë për udhëtimin e tij apostolik në Afrikë e për t’ia besuar asaj frytet, që mund të lindin nga ky shtegtim. Papa, çoi lule në altarin, ku gjendet ikona e së Lumes Mari Virgjër "Salus Populi Romani", e pastaj u lut për disa minuta në heshtje. Më pas Françesku u largua në drejtim të Vatikanit. Që nga fillimi i papnisë, Papa Bergoglio shkon vazhdimisht në Bazilikën e Zojës së Madhe, në Romë.

Tashmë, për Atin e Shenjtë Françesku është bërë e zakonshme të shkojë para dhe pas çdo shtegtimi për t’u gjunjëzuar tek altari i Zojës e për t’i çuar një buqetë me lule të freskëta. Në kthim, natyrisht, e falënderoi për mbarëvajtjen e vizitës. E kështu bëri edhe kësaj radhe.

10 shtator 2019, 19:31