Kërko

Papa Françesku takon autoritetet e Mauricius Papa Françesku takon autoritetet e Mauricius 

Papa, autoriteteve të Mauricius: larg modelit të ekonomisë, që flijon të varfërit e ambientin

Kthesë e gjithanshme ekologjike dhe ekonomi, që t’u shërbejë të gjithëve, duke shmangur tundimin e një modeli idhujtar, i cili flijon jetë njerëzore vetëm për fitime. Kështu tha Papa në takimin me autoritetet, shoqërinë civile dhe Trupin diplomatik në Mauricius. Qendrore, edhe thirrja për të mirëpritur migrantët, duke vazhduar rrugën e harmonizimit të ndryshimeve, që karakterizon kulturën e ishullit.

R.SH. - Vatikan

Dy argumente, migracioni dhe zhvillimi ekonomik, që respekton më të ligshtit, ishin në qendër të fjalës së Papës Françesku për autoritetet, shoqërinë civile dhe Trupin diplomatik, në Pallatin presidencial të Port Louis, në ishujt Mauricius. Ati i Shenjtë sapo ishte takuar me vetë presidentin Barlen Vyapoory dhe me kryeministrin Pravind Kumar Jugnauth.

Pranojeni sfidën e emigracionit

Që në fillim, Papa Bergoglio vuri në dukje fytyrën shumëformëshe të Mauricius në planin kulturor, etnik e fetar, por sidomos aftësinë e popullit maurician për të njohur, respektuar e harmonizuar ndryshimet ndërmjet shtresave të ndryshme, në funksion të një projekti të përbashkët. Historia e ishujve është histori emigrantësh, ardhur nga horizonte e kontinente të ndryshme, me bagazhin e tyre kulturor e fetar. Pak nga pak, ditën si ta pasuronin kulturën e tyre me atë të të tjerëve, duke gjetur mënyrën për të jetuar së bashku e për të ndërtuar një vend të begatë.

“Larmia – citoi Papa enciklikën ‘Evangelii gaudium’ – është e bukur kur hyn vazhdimisht në një proces pajtimi, deri sa vulos një lloj pakti kulturor, që bën të dalë mbi ujë ‘larmia e pajtuar’… ju inkurajoj që, duke u qëndruar besnikë rrënjëve tuaja, ta pranoni sfidën e mikpritjes dhe të mbrojtjes së migrantëve, që sot, vijnë këtu për të gjetur punë e, shumë prej tyre, edhe kushte më të mira jetese për familjet”.

Luftoni korrupsionin, mendoni për të rinjtë

Më pas, Papa Françesku përmendi traditën demokratike të popujve mauricianë, që nga shpallja e pavarësisë nga Mbretëria e Bashkuar, më 12 mars 1968, fryt i së cilës është paqja. Ati i Shenjtë bëri thirrje të luftohet kundër çdo lloj diskriminimi e çdo forme korrupsioni, duke menduar vazhdimisht për të ardhmen e të rinjve.

“Jeta politike e vërtetë, që bazohet në ligjin dhe në dialogun besnik ndërmjet subjekteve, - theksoi Papa Bergoglio – risohet me bindjen se çdo grua, çdo burrë dhe çdo brez mbajnë në vetvete një premtim, i cili mund të rrezatojë energji të reja relacionale, intelektuale, kulturore dhe shpirtërore”.

Zhvillimi ekonomik duhet të jetë për të gjithë

 Ati i Shenjtë i lavdëroi mauricianët për zhvillimin e tyre ekonomik, por u kujtoi edhe se çdo hap përpara duhet t’u sjellë përfitime të gjithëve, pa lënë pas ndonjë shtresë më të ligshtë të popullsisë, sidomos të rinjtë.

 “Ju inkurajoj – përfundoi Papa Françesku - të zbatoni një politikë ekonomike të orientuar kah njeriu; një politikë, që di të privilegjojë shpërndarjen e drejtë të të ardhurave, të krijojë mundësi për punë dhe të promovojë më të varfërit. Ju inkurajoj të mos dorëzoheni para tundimit të një modeli idhujtar ekonomik, që ka nevojë të flijojë jetë njerëzore në altarin e spekulimeve dhe të produktivitetit, që ka parasysh vetëm përfitimin e menjëhershëm në kurriz të mbrojtjes së më të varfërve, të mjedisit dhe të pasurive të tij”.

Në fund, para se të nisej për në aeroport, Papa Françesku nuk mungoi t’u sigurojë autoriteteve dhe popullsisë së ishujve Mauricius mbështetjen dhe kontributin e Kishës Katolike.

09 shtator 2019, 16:26