Papa Françesku në ishujt Mauricius Papa Françesku në ishujt Mauricius 

Papa sot, në ishujt Mauricius, etapa e tretë dhe e fundit e udhëtimit në Afrikë

Dita e parafundit e udhëtimit të 31-të apostolik të Papës Françesku. Sot, pasi vizitoi Mozambikun dhe Madagaskarin, Ati i Shenjtë shkoi në ishujt Mauricius, etapa e tretë dhe e fundit e shtegtimit të tij në Afrikë.

R.SH. - Vatikan

Dita e sotme filloi herët për Papën Bergoglio. U nis nga aeroporti i kryeqytetit të Madagaskarit, Antananarivo, që në orën 7.20 të mëngjesit (ora 6.20 në Evropë). Në orën 10.40 (8.40 në Evropë), mbërriti në aeroportin e Port Louis - kryeqyteti i ishujve Mauricius, ku u zhvillua ceremonia e mirëseardhjes.

         Në orën 11, Ati i Shenjtë shkoi në Monumentin e Zojës Mbretëreshë e Paqes, rreth 40 kilometra larg aeroportit. Ky ishte vendi ku u kremtua mesha, në mesditë (10 në Evropë). Pastaj transferimi në ipeshkvinë e dioqezës, për të drekuar me 5 ipeshkvijtë e Konferencës Ipeshkvnore të Oqeanit Indian.

         Në orën 16 (14 në Evropë) Papa Françesku shkoi për vizitë në shenjtëroren e Pére Laval, ngritur në periferinë e Port Louis në vitin 2014, vit në të cilin Kisha mauriciane përkujtoi 150-vjetorin e vdekjes së të Lumit Zhak Laval, i njohur si “apostulli i zezakëve”, sepse iu përkushtua ungjillëzimit të vendasve në ishujt Mauricius.

         Në orën 16.40 (14.40 në Evropë) Ati i Shenjtë mbërriti në pallatin presidencial për një vizitë kortezie tek presidenti Barlen Vyapoory, për takimin me kryeministrin e, pastaj edhe për t’u folur autoriteteve, shoqërisë civile dhe Trupit diplomatik. Ky ishte takimi i fundit publik - i përfunduar tashmë, sepse i mbajtur kur në Evropë ishte ora 15.40 – pas të cilit, Papa Bergoglio u nis për në aeroportin e Port Louis, ku u zhvillua ceremonia e lamtumirës.

Në orën 19 (17 në Evropë) Ati i Shenjtë u kthye në kryeqytetin e Madagaskarit, Antananarivo, për ta kaluar natën në nunciaturën apostolike.

Nesër, më 10 shtator, Papa do të kremtojë meshën në formë private, pikërisht në nunciaturë, në orën 7 të mëngjesit (6 në Evropë). Rreth një orë më vonë do të largohet nga nunciatura drejt aeroportit, ku do të mbahet edhe ceremonia e lamtumirës për Madagaskarin. Në orën 9.20 (8.20) Ati i Shenjtë do të niset me avion për në aeroportin romak të Ciampino-s, ku parashikohet të mbërrijë në orën 19.00 evropiane.

09 shtator 2019, 11:25