Giotto, La Cappella degli Scrovegni NEW, Crocifissione Giotto, La Cappella degli Scrovegni NEW, Crocifissione 

Papa Françesku: Kryqi i Krishtit është përgjigja e Zotit ndaj së keqes

Gjeni ngushëllimin në Krishtin e Kryqëzuar, në mënyrë që dashuria juaj të jetë përherë më e vërtetë, e frytshme dhe e qëndrueshme.

R.SH. - Vatikan

Të gjithë të mund të gjejnë jetën e re ”duke u nisur pikërisht nga Kryqi i Jezusit", këtu u tha Papa Françesku shtegtarëve të pranishëm, mё 14 shtator 2016 në audiencën e përgjithshme.  Papa Bergoglio nënvizoi disa herë se sot, 14 shtator, Kisha kremton Festën e Lartësimit të Kryqit të Shenjtë, duke uruar “që të gjithë të mund të gjejnë jetën e re” duke u nisur pikërisht nga Kryqi i Jezusit:

Ta vështrojmë atë, mbi të cilin Biri i Zotit ka vdekur për shpëtimin tonë. Kryqi është përgjigja e Zotit ndaj së keqes e ndaj mëkatit të njeriut. Është përgjigje e dashurisë, e mëshirës dhe e faljes. T’ia tregojmë këtë Kryq botës e ta përlëvdojmë në zemrat tona, në familjet tona e në komunitet tona”.

Papa Françesku iu referua kësaj Feste duke përshëndetur të rinjtë, të sëmurët dhe çiftët e reja të sapomartuar:

Të dashur të rinj, duke rifilluar aktivitetet e zakonshme pas pushimeve, përforcojeni edhe dialogun tuaj me Zotin, duke përhapur dritën e tij e paqen e tij; të dashur të sëmurë, gjeni ngushëllimin në kryqin e Zotit tonë Jezus, që vazhdon veprën e vetë të shëlbimit në jetën e çdo njeriu; e ju, të dashur çifte të reja të sapomartuar, përpiquni të mbani marrëdhënie të pandërprerë me Krishtin e Kryqëzuar, në mënyrë që dashuria juaj të jetë përherë më e vërtetë, e frytshme dhe e qëndrueshme”.

Kryqi nuk duhet mbajtur vetëm si shenjë përkatësie, si “distinktiv”. 

I Kryqëzuari duhet parë si “ai Zot, që u bë mëkat” për të na shpëtuar. Kjo, porosia e Papës në homelinë e Meshës së 4 prillit 2017, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës.  Në liturgji Jezusi u thotë tri herë rresht farizenjve: “Do të vdisni në mëkatet tuaja”. Ua thotë këto fjalë, sepse e kishin zemrën të mbyllur e nuk arrinin ta kuptonin atë mister, që ishte Zoti. “Të vdesësh në mëkatet tuaja, është gjë shumë e keqe” – kujtoi Françesku.

Gjarpri i bronztë: kush e shikonte, shpëtonte

Në dialogun me ta, pastaj, Jezusi kujton: “Kur ta keni lartuar Birin e njeriut, atëhere do të kujtoheni se Unë jam e se nuk bëj asgjë nga vetvetja”.  Jezusi kujton atë, që ndodhi në shkretëtirë, ashtu si tregohej në Leximin e parë, kur populli, që nuk mund ta duronte më kapitjen, nisi të largohej nga Zoti. E ia behen gjarprinjtë e nisën t’i kafshonin shtegtarët e shkrumbuar për ujë, duke i lënë të vdekur mbi rërën e përvëluar të shkretëtirës. Atëhere Zoti i tha Moisiut të bënte një gjarpër prej bronzi e ta lartonte mbi një bosht: kushdo zihej nga gjarpëri dhe e shikonte, shërohej.

Gjarpri është simbol i djallit, atit të gënjeshtrës, babait të mashtrimit, të mëkatit. Është shi ai, që e bëri njerëzimin të bjerë në mëkat e në vdekje. E Jezusi kujton: “Atëhere, kur do të ngrihem lart, të gjithë do të vijnë tek unë!”.  Ky - kujtoi Françesku - është misteri i kryqit. Gjarpri prej bronzi shëronte, por ishte simbol i dyfishtë; i mëkatit bërë gjarpër, i joshjes së gjarprit, i dinakërisë së gjarprit; por edhe sinjal i kryqit të Krishtit. Ishte profeci - shpjegoi Papa.

Kryqi jo vetëm simbol përkatësie, por kujtesë e Zotit, që u bë mëkat, për dashuri

Jezusi, pra, u bë mëkat, siç na e kujton Shën Pali. U bë mëkat dhe mori mbi vete të gjitha ndyrësitë e njerëzimit! U lartua, që të gjithë njerëzit e plagosur nga mëkati, ta shikonin. E kush nuk njeh në këtë njeri të lartuar forcën e Zotit, që u bë mëkat për të na shëruar, do të vdesë në mëkatin e vet:

Shëlbimi vjen vetëm nga kryqi, por nga ai kryq, që është Zot i mishëruar. Nuk ka shpëtim në idetë, nuk ka, në vullnetin e mbarë, në dëshirën për të qenë i mirë… Jo! I vetmi shpëtim është Krishti i kryqëzuar, sepse vetëm Ai, si gjarpri prej bronzi, qe i zoti ta marrë mbi vete gjithë helmin e mëkatit e na shëroi atje, mbi kryq! Por ç’është kryqi për ne? Po, është shenja e të krishterëve, simboli i të krishterëve".

E ne bëjmë shenjën e kryqit, por jo gjithnjë e bëjmë mirë, sepse nuk e kemi besimin e duhur në kryqin. Herë të tjera, për disa njerëz, është distinktiv përkatësie: ‘E po, unë e mbaj kryqin, që të gjithë ta shohin se jam i krishterë’. Gjë e mirë kjo, por jo vetëm si disktinktiv, si të ishte distinktivi i ndonjë skuadre. Duhet mbajtur si kujtim i Atij, që u bë mëkat”. Ka, pastaj, të tjerë, që e mbajnë kryqin si stoli, madje disa mbajnë kryqe me gurë të çmuar, për t’u dukur – kujtoi Papa Françesku:

Zoti i tha Mosiut: ‘Kush shikon gjarprin, do të shërohet’. Jezusi u thotë armiqve të tij: ‘Kur ta shihni Birin e njeriut të lartuar, atëhere do ta njihni’. Kush nuk e shikon kryqin  kështu, me fe, do të vdesë në mëkatet e veta, nuk do ta marrë shëlbimin”.

Ta pyesim veten: “Si e mbaj Kryqin?”

Kisha propozon dialogun me misterin e kryqit: “Sot Kisha propozon dialogun me misterin e kryqit, me këtë Zot, që u bë mëkat nga dashuria për mua. E secili nga ne mund të thotë: “Nga dashuria për mua”. E mund të mendojmë edhe: si e mbaj kryqin? Si kujtim? Kur e bëj shenjën e kryqit, a jam i vetëdijshëm për atë, që po bëj? Si e mbart kryqin? Vetëm si simbol, që tregon se i përkas një grupi fetar? Si e mbaj kryqin? Si stoli? Si zbukurim, me shumë gurë të çmuar, prej ari… ? A jam mësuar ta mbart mbi shpatulla, ku të rëndon e të gjakos? Secili nga ne sot ta shikojë Kryqin, të shikojë këtë Zot të bërë mëkat, që ne të mos vdisnim në mëkatet tona e t’i përgjigjet kësaj pyetjeje, që ju bëra sot”.

14 shtator 2019, 12:40