Kërko

1569579719245.JPG

Papa: sporti, mjet i veçantë për promovimin e paqes e të bashkimit

Në audiencën me rreth 176 anëtarë të Federatës Ndërkombëtare të Hokejt mbi akull, Papa Françesku kujtoi se Kisha e vlerëson sportin për të promovuar guximin, durimin dhe respektimin e rregullave.

R.SH. - Vatikan

“Sporti është një mjet vërtet i veçantë për të promovuar paqen dhe bashkimin”. Në përshëndetjen për Federatën Ndërkombëtare të Hokejt mbi akull, anëtarët e së cilës i priti sot në Vatikan, Papa Françesku ritheksoi vlerësimin e Kishës për sportin, i cili promovon “virtytet e maturisë, përvujtërisë, guximit dhe durimit”. Njëkohësisht, nënvizoi rëndësinë e respektimit të rregullave dhe të kundërshtarit:

         “Mendësia e sotme, nganjëherë, mund t’i tërheqë veprimtaritë sportive në rrugën e gabuar, por duhet pasur parasysh se rregullat ekzistojnë pikërisht për t’u shërbyer qëllimeve të caktuara dhe për të shmangur rënien në kaos. Atletët bëjnë lojë të ndershme jo vetëm kur i ndjekin formalisht rregullat, por edhe kur veprojnë me drejtësi dhe respekt ndaj kundërshtarëve, në mënyrë që të gjithë konkurrentët të mund të marrin pjesë paqësisht në lojë”.

         Organizata miratoi majin e kaluar statutin dhe rregulloren e re, duke themeluar një komitet për etikën. Si lojë skuadre, hokej është shembull i mirë i bashkëpunimit ndërmjet njerëzve dhe i gëzimit të takimit me sportistë nga vende të ndryshme, si për shembull, në Kampionatin Botëror. Nga ana tjetër, në këtë sport, vërejti Papa, njerëzit inkurajohen të “nxjerrin në pah ç’kanë më të mirë nga vetja” dhe të promovojnë marrëdhënie miqësore. Prandaj, për Papën Françesku, është inkurajues synimi i krerëve të hokejt në akull për ta përhapur atë në mbarë botën, që të gjithë njerëzit të mund të marrin pjesë në këtë sport. E Ati i Shenjtë u bëri thirrje ta vijojnë këtë rrugë.

27 shtator 2019, 14:27