Kërko

Papa Françesku në audiencën e përgjithshme Papa Françesku në audiencën e përgjithshme 

Papa: martirët nuk janë “fugure xhepi”, janë fitimtarët e vërtetë

Në vazhdimësi me katekizmin e javëve të fundit, në audiencën e sotme të përgjithshme në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa Françesku komentoi atë pjesë nga Veprat e Apostujve, ku shën Luka ungjilltar tregon për krijimin e diakonëve në Kishë dhe përshkruan figurën e shën Shtjefnit, martirit të parë të krishterë.

R.SH. - Vatikan

Pjesa nga Veprat e Apostujve, që Papa Françesku e vuri sot në qendër të katekizmit të vet, gjatë audiencës së përgjithshme në Sheshin e Shën Pjetrit, paraqet figurën e shën Shtjefnit diakon, martirit të parë të krishterë, i cili, plot me Shpirtin Shenjt, bënte shumë të mira për njerëzit, duke ngjallur kundërshti dhe urrejtje nga ana e disa anëtarëve të Sinagogës. Ati i Shenjtë nënvizoi dy aspekte: diakonatin dhe martirizimin.

“Egjra” e grindjes

Shën Luka ungjilltar, në Veprat e Apostujve, na rrëfen “udhëtimin e Ungjillit nëpër botë”, nënvizoi Papa, por edhe “fillimin e disa problemeve” në gjirin e bashkësisë së krishterë të formuar nga hebrenjtë dhe grekët, domethënë nga jo-hebrenjtë, që kishin tjetër ndjeshmëri, por që gjithsesi, u mirëpritën. Kështu lindi “egjra” e thashethemeve, e mërmëritjes: grekët ankoheshin, pasi mendonin se bashkësia nuk tregonte vëmendjen e duhur për vejushat e tyre. Atëherë, apostujt u përpoqën të gjejnë një zgjidhje, duke i ndarë detyrat: atë të kumtimit të Ungjillit, nga njëra anë dhe, atë të bamirësisë, nga ana tjetër:

“Apostujt janë gjithnjë e më të vetëdijshëm se thirrja e tyre kryesore është lutja dhe predikimi i Fjalës së Zotit, të dyja: lutja dhe kumtimi i Ungjillit. E zgjidhin punën, duke krijuar një bërthamë prej ‘shtatë burrash me emër të mirë, plot me Shpirtin Shenjt dhe me urti’ (Vap 6,3), të cilët, pasi të shuguroheshin përmes vendosjes së duarve mbi krye, do të kujdeseshin për shërbimin në menca”.

Diakoni në Kishë është për të shërbyer

Duke lënë mënjanë letrën e shkruar, Papa Françesku theksoi detyrën e diakonit:

“Diakonët – kështu quhen, ‘diakonë’ – u krijuan për këtë punë, për të shërbyer. Diakoni, në Kishë, nuk zëvendëson meshtarin, kur ky mungon: jo, jo. Është tjetër gjë. Diakoni nuk është për altar, jo: është për shërbim. Ai është kujdestari për shërbimin në Kishë. Kur diakonit i pëlqen pak si tepër të ngjitet në altar, gabon. Ajo nuk është udha e tij. E apostujt krijojnë diakonë”.

Shpifja vret gjithnjë

 Ndërmjet shtatë diakonëve është edhe Shtjefni, i cili tërheq kundër vetes reagimet më të fuqishme. Kundër tij kundërshtarët “gjejnë zgjidhjen më meskine për asgjësimin e njeriut: shpifjen, ose dëshminë e rreme”. Papa shtoi: “Ne e dimë se shpifja vret. Gjithmonë”. Pastaj vijoi:

“Ky ‘kancer djallëzor’, i cili lind nga dëshira për ta shkatërruar emrin e mirë të një personi, sulmon edhe pjesën tjetër të trupit kishtar dhe e dëmton seriozisht atë kur, për interesa meskine, ose për të mbuluar problemet, krijohet një koalicion që hedh baltë mbi dikë”.

Shtjefni ia beson veten Zotit dhe i fal armiqtë

Shën Shtjefni akuzohet nga dëshmitarë të rremë. Interpretimi që i bën “historisë së shenjtë me në qendër Krishtin” përpara Sinedrit, fjalët e tij mbi Pashkët e Jezusit të vdekur e të ringjallur si “çelës për gjithë historinë e besëlidhjes me Zotin”, denoncimi i tij i guximshëm “për hipokrizinë, me të cilën ishin trajtuar profetët dhe vetë Krishti”, shkakton një reagim aq të dhunshëm, sa arrin deri te vrasja me gurë.

“Por ai dëshmon se ka ‘indin’ e dishepullit të vërtetë të Krishtit. Nuk kërkon të ikë, nuk u bën thirrje personaliteteve, që mund ta shpëtonin, por e lëshon jetën e vet në duart e Zotit. Lutja e Shtjefnit në atë çast është e mrekullueshme: ‘O Zot Jezus, pranoje shpirtin tim’ (Vap 7,59) - e Shtjefni vdes si bir i falur i Zotit: ‘O Zot, mos ua ngarko atyre këtë mëkat’ (Vap 7,60)”.

Gjaku i martirëve “fara e të krishterëve të rinj”

Është “lëshimi i jetës në duart e Atit dhe falja për ata, që na fyejnë”, përfundoi katekizmin Papa, që nxjerrin në pah “identitetin tonë si bij të Zotit”. Si shën Shtjefni janë edhe martirët e shumtë, me të cilët Kisha sot është më e pasur “sesa në zanafillën e saj”.

“Martirët nuk janë ‘fugure xhepi’, por burra dhe gra me mish e gjak, të cilët - siç thotë Libri i Zbulesës – ‘i kanë larë rrobat e tyre, duke i zbardhur në gjakun e Qengjit’ (7,14). Ata janë fitimtarët e vërtetë”.

Duke parë martirët e djeshëm e të sotëm, nënvizoi së fundi Papa, mësojmë “ta jetojmë plotësisht jetën, duke pranuar martirizimin e besnikërisë së përditshme ndaj Ungjillit e të përpjekjes për të imituar Krishtin”.

25 shtator 2019, 11:35