Kërko

Takimi i komunikatorëve të Vatikanit me Papën Françesku Takimi i komunikatorëve të Vatikanit me Papën Françesku 

Papa: komunikimi i krishterë të jetë pa zbukurime të kota

Sot në mëngjes, Papa Françesku priti në audiencë gjithë personelin e Dikasterit të Vatikanit për Komunikimin. Shfrytëzoi rastin për të folur pa letër mbi shtyllat ku duhet të mbështetet komunikimi i krishterë, pikërisht ndërsa fillon Asambleja e përgjithshme e Dikasterit.

R.SH. - Vatikan

Në një nga ambientet më madhështore të Vatikanit, në Sallën Regia, Papa Françesku priti sot drejtuesit dhe personelin e Dikasterit për Komunikimin, ku bën pjesë edhe Radio Vatikani. Ati i Shenjtë i la mënjanë “7 faqet e përgatitura, sepse pas leximit të së parës do të flinin gjysma” – siç tha vetë – e foli lirisht, duke ia dorëzuar fjalimin e shkruar prefektit të Dikasterit, Paolo Ruffini, laiku i parë, nënvizoi Ati i Shenjtë, në këtë detyrë.

Është Zoti, zanafilla e çdo komunikimi

Fjalët e tij të para ishin falënderim për punën e bërë nga e gjithë familja e madhe e komunikimit të Vatikanit, ndërsa më pas, Papa u përqendrua në çfarë e bën komunikimin të krishterë. Së pari, zanafilla e tij është vetë Zoti, pasi është Hyji që bën hapin e parë komunikativ drejt njeriut:

 “Ky është fillimi i komunikimit. Prandaj,nuk është punë zyre, si reklamimi, për shembull: jo. Komunikimi është të marrësh nga Qenia e Zotit e të kesh të njëjtin qëndrim me Të… me nevojën për të mos ndenjur vetëm, me nevojën për të komunikuar ç’kam në shpirt e ç’mendoj se është e vërtetë, e drejtë, e mirë dhe e bukur”.

Komunikimi nuk është prozelitizëm

 E më tej, Papa Françesku nënvizoi se komunikojmë me shpirt e me trup, me mendje e me zemër, me duar e me gjithçka tjetër. Komunikatori i vërtetë jep gjithë vetveten, nuk e kursen e nuk bën publicitet, siç bëjnë firmat e ndryshme për të mbledhur gjithnjë e më tepër blerës rreth prodhimeve të tyre. Ju, tha Papa për gazetarët e teknikët e mediave të Vatikanit, nuk duhet të bëni prozelitizëm. Kisha rritet, sepse tërheq me dëshminë e saj të krishterë – i vetmi “lajm”, që ia vlen të pasqyrohet në mjetet e saj të komunikimit:

“Nëse doni të komunikoni vetëm një të vërtetë pa mirësi dhe bukuri, ndaluni, mos e bëni këtë. Nëse doni të komunikoni pak a shumë të vërtetën, pa u përfshirë në të, pa e dëshmuar me jetën tuaj, me impenjimin tuaj atë të vërtetë, ndaluni, mos e bëni. Është gjithmonë firma e dëshmisë në çdo gjë, që bëjmë. Dëshmitarë: të krishterë do të thotë dëshmitarë. Martirë. Kjo është përmasa e thirrjes sonë, që ka të bëjë me martirizimin: të jemi dëshmitarë”.

Jemi pak, por jemi si tharmi, si kripa në botë

Së dyti, Ati i Shenjtë vuri theksin në një lloj çmobilizimi, kur të krishterët heqin dorë nga impenjimi i tyre në botë, sepse mendojnë se ajo nuk mund të ndryshojë. Bota është pagane, nënvizoi Papa, kështu ka qenë që në kohën e Jezu Krishtit. Është e vërtetë se jemi pak, por jemi si tharmi, si kripa në botë.

“Nënshtrimi ndaj fatit, kur duket sikur jemi të humbur kulturalisht - më lejoni ta quaj kështu - vjen nga shpirti i keq, nuk vjen nga Zoti. Nuk është frymë e krishterë nënshtrimi ndaj fatit. Kjo është gjëja e dytë, që doja t’ju thosha: mos kini frikë! Jemi pak? Po, por me dëshirën për të qenë misionarë, për t’u treguar të tjerëve kush jemi. Përmes dëshmisë… po e përsëris edhe një herë frazën e Shën Françeskut për sivëllezërit e tij, kur i dërgonte të predikonin: ‘Predikoni Ungjillin e, nëse është e nevojshme, edhe me fjalë’, pra, dëshmia në radhë të parë”.

Komunikim, që pasqyron realitetin, pa e zbukuruar

E së fundi, Papa Françesku vuri theksin mbi një kriter të tretë për komunikimin. Kemi harruar forcën e emrave, u tha gazetarëve, përdorim më shumë mbiemrat e ndajfoljet. Por janë emrat, që e pasqyrojnë më mirë realitetin. Për shembull, pohoi Ati i Shenjtë, kur thua “i krishterë” nuk ka nevojë t’i ngjitësh pas edhe mbiemrin “i vërtetë”, pasi i krishteri është ai që ndjek Krishtin, nëse s’është “i vërtetë” nuk është “i krishterë”:

“Komunikimi juaj të jetë rigoroz, por i bukur: bukuria nuk është rokoko, bukuria nuk ka nevojë për lajle-lulet rokoko; bukuria shfaqet nga vetë emri, pa luleshtrydhe në tortë [pa e zbukuruar më kot]. Mendoj se duhet ta mësojmë këtë. Komunikim përmes dëshmisë, komunikim, duke u impenjuar me gjithë vetveten, komunikim duke i quajtur gjërat me emër, komunikim si martirë, pra, si dëshmitarë të Krishtit: si martirë”.

Përshëndetja për gjithë të pranishmit

Në fund të fjalës së tij, Papa Françesku falenderoi punonjësit dhe i inkurajoi në punën e tyre. Pastaj u dha bekimin. Një nga një, të gjithë komunikatorët e Selisë së Shenjtë përshëndetën personalisht Bergoglio-n. Një radhë e gjatë, që shprehu larminë e botës së komunikimit vatikanas e që përfaqëson atë larmi globale, së cilës i drejtohet me përkushtim e krijimtari, për të përhapur Lajmin e Mirë, Ungjillin e Krishtit.

23 shtator 2019, 13:15