Papa, agustinianëve: dëshmoni dashurinë e ngrohtë, të gjallë e të dukshme në Kishë

Duke pritur agustinianët, Papa Françesku thekson se “kërkimi i Zotit nuk mund të errësohet nga qëllime të tjera, megjithëse bujare e apostolike”. “Kryqi - shton ai - është masa e dashurisë”.

R.SH. - Vatikan

Sfida e parë, me të cilën përballen rregulltarët, është “të bëjnë së bashku përvojën e Zotit për t’ia dëshmuar Hyjin botës me qartësi, guxim, pa kompromis e pa hezitim”. Duke pritur në audiencë pjesëmarrësit e Kapitullit të Përgjithshëm të Urdhrit të Shën Agustinit, Papa Françesku, kujtoi sot këtë “sfidë themelore” dhe vërejti se tradita e Kishës, që nga zanafilla, parapëlqen dëshminë e privilegjuar të “kërkimit të vazhdueshëm të Zotit”, “të një dashurie të vetme dhe të pandarë për Krishtin”. Pa këtë shenjë konkrete, shpjegoi Ati i Shenjtë, “bamirësia e dashuria e gjithë Kishës ka rrezik të ftohet”:

         “Ju, agustinianë, jeni thirrur të dëshmoni dashurinë e ngrohtë, të gjallë, të dukshme, ngjitëse të Kishës, përmes asaj jete në bashkësi, që e tregon qartë praninë e të Ringjallurit dhe të Shpirtit të Tij. Uniteti në bamirësi - siç sqarojnë edhe Rregullat tuaja - është pikë qendrore e përvojës dhe e përshpirtërisë së Shën Agustinit dhe përbën themelin e gjithë jetës agustiniane”.

Drejt Hyjit të Gjithpushtetshëm

         Jeta e bashkësisë, shtoi Papa, duke përmendur Thirrjen apostolike “Gaudete et exsultate”, përbëhet nga “shumë detaje të vogla të përditshme”: “Bashkësia, që i ruan detajet e vogla të dashurisë, ajo ku anëtarët kujdesen për njëri-tjetrin dhe krijojnë një hapësirë mikpritëse dhe ungjillëzuese, është vend i pranisë së të Ringjallurit, i cili e shenjtëron gradualisht, sipas planit të Atit”. Nuk është e mundur të mbash gjallë “flakën e dashurisë vëllazërore”, nënvizoi Ati i Shenjtë, nëse nuk je “i prirur kah Zoti”. Të jetosh me “një shpirt dhe një zemër të vetme, prirur kah Zoti”, siç kërkon Shën Agustini në Rregull, do të thotë t’i shërbesh Kishës, njerëzimit:

         “Zemrat tuaja gjithnjë kah Zoti. Gjithnjë! Çdo anëtar i bashkësisë të orientohet, si ‘qëllim i parë’ i çdo dite, në kërkim të Zotit, ose ta lejojë Zotin që ta kërkojë. Ky ‘drejtim’ duhet deklaruar, rrëfyer, dëshmuar ndërmjet jush, pa probleme të rreme. Kërkimi i Zotit nuk mund të errësohet nga qëllime të tjera, pavarësisht se bujare dhe apostolike. Sepse pikërisht ky është apostullimi juaj i parë. Jemi këtu – kështu duhet të thoni çdo ditë ndërmjet jush – që të ecim drejt Zotit. E meqë Zoti është Dashuri, ecim drejt Tij në dashuri”.

Udha e dashurisë

         Të ecësh së bashku drejt Zotit dhe t’i shërbesh popullit të Tij do të thotë edhe të pranosh se në qendër të jetës rregulltare është dashuria. Nga dashuria duhet të rrjedhë çdo mendim, çdo dhembshuri, çdo qëndrim, çdo veprim, nënvizoi Papa Françesku, i cili citoi më pas, shën Agustinin:

         “Nëse doni të dini a e keni marrë në zemër Shpirtin Shenjt, pyeteni zemrën, për të shmangur kështu rrezikun që të merrni Sakramentin, por jo edhe frytet e tij. Pyete zemrën dhe nëse aty ka dashuri për vëllain tënd, rri i qetë. Nuk mund të ketë dashuri pa Shpirtin e Zotit, sepse siç ngre zërin shën Pali: ‘Dashuria e Hyjit u dikua mbi zemrat tona përmes Shpirtit të Shenjtë, që na u dha’. (Shën Agustini)”.

Kapitulli i Përgjithshëm

Kapitulli i 186-të i Përgjithshëm i Urdhrit të Shën Agustinit filloi në Romë, më 1 shtator. Aktualisht, Kapitulli i Përgjithshëm mblidhet çdo gjashtë vjet. I pari daton në vitin e largët 1244. Është fjala për një çast verifikimi të hapave të bëra, me shikimin drejt së ardhmes, duke u përpjekur të gjehen përgjigje për sfidat e sotme të shoqërisë dhe të Kishës.

13 shtator 2019, 14:36