Kërko

Papa Françesku me agustinianët e zbathur Papa Françesku me agustinianët e zbathur 

Papa, agustinianëve të zbathur: rrënjët dhe tradita janë garanci për të ardhmen

Françesku priti agustinianët e zbathur dhe reflektoi mbi thirrjen e tyre në kohën e sotme. Shkëputja nga rrënjët për të qenë modernë – u tha ai – “është vetëvrasje”, rruga për t’u folur burrave dhe grave të kohës sonë është tradita e dëshmisë së vërtetë të krishterë, kundër rrymës.

R.SH. - Vatikan

Mos u “shkëpusni” kurrë nga rrënjët për t’u ndierë modernë, por flituni “zemrës” së burrave dhe grave të kohës sonë, për të dhënë dëshminë e vërtetë të krishterë, atë që bazohet mbi “lutjen dhe pendesën”, por edhe mbi “përvujtërinë dhe dashurinë”, krejtësisht kundër rrymës për botën e sotme. Ky është mandati i Papës për pjesëmarrësit e Kapitullit të Përgjithshëm të Urdhrit të agustinianëve të zbathur, që i priti sot paradite në Sallën Klementine në Vatikan. Edhe nesër, Ati i Shenjtë do të presë, në një audiencë tjetër, fretërit e Urdhrit të Shën Augustinit, të cilët janë – bëri shkaka Papa sot me 200 rregulltarët e pranishëm – “vëllezër, kushërinj, miq, armiq, s’dihet kurrë!”

Figura e Shën Agustinit

        Françesku kujtoi konferencën e mbajtur me rastin e “Vitit të Thirrjes”, kremtuar nga aguistinianët, dhe reflektoi mbi rrënjët e traditës fetare, filluar nga Shën Augustini, një nga ato figura që – nënvizoi Ati i Shenjtë – “na bëjnë ta ndiejmë hijeshinë e Zotit”, na tërheq drejt “Jezu Krishtit” dhe Fjalës së Hyjit:

“Ai është një gjigant i mendimit të krishterë, por Zoti i dhuroi edhe thirrjen dhe misionin e vëllazërimit. Ai nuk u mbyll në horizontin e gjerë të mendjes së tij, por mbeti i hapur për popullin e Hyjit dhe për vëllezërit, që ndanin me të jetën e bashkësisë. Edhe si meshtar e ipeshkëv, ai jetoi si murg, megjithë angazhimet baritore. Kur vdiq la shumë kuvende mashkullore dhe femërore”.

Shkëputja nga rrënjët është vetëvrasje

Papa i inkurajoi rregulltarët t’i duan dhe të thellohen sërish në ato rrënjë të zanafillës, duke marrë prej tyre limfën jetësore për praninë e agustinianëve të zbathur në botën e sotme, gjithnjë, duke u bazuar në lutjen dhe në shoshitjen e përbashkët.

“Ndokush beson se për të qenë modern, duhet të shkëputeni nga rrënjët. Por kjo është shkatërrim, sepse rrënjët, tradita, janë garancia e së ardhmes. Nuk është fjala për ndonjë muze, është tradita e vërtetë dhe rrënjët janë tradita, e cila sjell limfën që pema të rritet, të lulëzojë, të japë fryte. Mos u shkëpusni kurrë nga rrënjët për të qenë modernë, kjo është vetëvrasje. Lutja dhe pendesa nuk pushojnë së qeni gurthemeli, mbi të cilin ngrihet dëshmia e krishterë, dëshmi, që në një kuadër të caktuar, është krejtësisht kundër rrymës, por që, e shoqëruar me përvujtëri dhe dashuri, di t’u flasë zemrave të sa e sa burrave dhe grave të kohës tonë”.

Përvujtëria, çelës që hap zemrat e njerëzve

        Agustinianët quhet “të zbathur”, pikërisht sepse e kanë shpirtin “zbathur” për të shprehur më mirë tri kushtet e para të urdhrit të tyre: kërkesën për “varfëri, shkëputje nga gjërat e kësaj bote dhe besim në Provaninë Hyjnore”. Papa reflektoi edhe për kushtin e katërt, atë të përvujtërisë:

        “Ky kusht i përvujtërisë është një ‘çelës’, çelës, që hap zemrën e Zotit dhe zemrat e njerëzve. Hap para së gjithash, vetë zemrat tuaja, për t’i qëndruar besnikë karizmës fillestare, për t’u ndierë gjithnjë dishepuj-misionarë, të gatshëm për thirrjen e Zotit. Përvujtëria është diçka, që nuk mund të preket me dorë: është, ose s’është, bëhet fjalë për një dhuratë. Nuk mund ta kapni me dorë”.

Misioni “ad gentes”

        Duke folur pa letër me të pranishmit, Papa Françesku kujtoi përvojën e një “rregulltari tepër mburravec”, të cilin eprorët e patën kritikuar. Pas një periudhe ushtrimesh shpirtërore, ai fitoi mbi “pasionet” e tij dhe mori dhuratë nga Zoti “hirin e përvujtërisë”, që vjen vetë – theksoi Ati i Shenjtë – gati, pa e kuptuar. Krahas përvujtërisë, Papa u kërkoi agustinianëve të zbathur të jenë misionarë, të gatshëm për t’u nisur në mesin e popullit të Zotit, edhe kur kjo kërkon flijimin e jetës.

        “Po jetojmë në një epokë, në të cilën misioni ‘ad gentes’ po përtërihet, edhe përmes një krize, që duam të jetë krizë për t’u zhvilluar më tej, për të qenë më besnikë ndaj mandatit të Zotit të Ringjallur, mandat që e ruan gjithë forcën dhe aktualitetin e tij. Edhe unë bashkohem me ju plot emocion, në kujtimin e misionarëve agustinianë, që dhanë jetën për Ungjillin në anë të ndryshme të botës. Shoh me kënaqësi se i ktheni në thesar këto dëshmi të së kaluarës që ta përtërini gatishmërinë tuaj për misionin sot, në format që kërkojnë Koncili II i Vatikanit dhe sfidat aktuale”.

12 shtator 2019, 13:21