Kërko

Vatican News
  Papa drejt Mozambikut Papa drejt Mozambikut  (AFP or licensors)

Papa: shtegtimi në Afrikë, ngjarje politike e baritore

7 ditë në Mozambik, Madagaskar, Mauritius: 15 fjalime, përfshirë homelitë, lutjet e dhjetra takime…

R. SH. - Vatikan

Shtatë ditë shtegtim, 15 fjalime, dhjetra takime…Janë disa nga numrat kryesorë të shtegtimit të Papës Françesku në Afrikë, ku do të jetë që sot e deri më 10 shtator. Do të vizitojë Mozambikun, Madagaskarin dhe Ishujt Mauritius. Ky - shtegtimi i 31-të Apostolik i Papnisë së Françeskut. Takimet politike, baritore, ndërfetare janë çastet kryesore të shtegtimit, gjatë të cilit do të ketë edhe  një “lutje për punëtorët”.

Papa u nis sot paradite, në orën 08.00, nga aeroporti i Fiumicinos, për të arritur në orën 18.30 në atë të Maputo-s, kryeqytet i Mozambikut, ku do të pritet me një ceremoni mirëseardhjeje.

Nesër, e enjte, 5 shtator, gjithnjë në Maputo, parashikohet vizita e mirësjelljes presidentit të Republikës, në Pallatin “Ponta Vermelha”, takimi me autoritetet, shoqërinë civile dhe Trupin diplomatik dhe takimi ndërfetar me të rinjtë në Pavillon Maxaquene; pas drekës në Nunciaturë, takimi me ipeshkvijtë, priftërinjtë dhe rregulltarët, në katedralen e Zojës së Papërlyer. Pastaj, vizita në Shtëpinë “Mateo 25”, që strehon fëmijët e rrugës.

Të premten, 6 shtator, vizita e parë e Papës në Maputo, do të jetë ajo në spitalin e Zimpetos, për të kremtuar, më pas, Meshën, në stadiumin e Zimpetos. Në përfundim të ceremonisë së lamtumirës, Papa do të niset për në aeroport, prej nga avioni papnor do të fluturojë, rreth orës 12.40, në drejtim të Antananarivo, kryeqytet i Madagaskarit, ku do të arrijë rreth orës 16.30, i pritur për ceremoninë e mirëseardhjes, sapo të zbresë nga avioni.

Të shtunën, 7 shtator, gjithnjë në kryeqytetin malgash, parashikohet vizita e mirësjelljes presidentit, në Pallatin presidencial “Iavoloha”, takimi me autoritetet, shoqërinë civile e Trupin diplomatik në Ceremony Building; Ora e Mesditës, në manastirin e karmelitaneve të zbathura e, pas drekës, në Nunciaturë, takimi me ipeshkvijtë e Madagaskarit, në Katedralen e Andohalo, vizita tek Varri i së Lumes Victoire Rasoamanarivo si dhe mbrëmësorja me të rinjtë, në Sheshin dioqezan të Soamandrakizay.

E dielë, 8 shtator, akoma në Antananarivo, sipas programit, Mesha,  gjithnjë në Sheshin dioqezan të Soamandrakizay, pasuar nga lutja e Engjëllit të Tënzot e, pas drekës me grupin shoqërues në Nunciaturën Apostolike, vizita në Qytetin e Miqësisë të Akamasoa, lutja për punëtorët në kantierin e Mahatzana, takimi me priftërinjtë, rregulltarët, të kushtuarit e seminaristët, në Kolegjin  e Saint Michel.

Arrijmë, kështu, në ditën e fundit, 9 shtator kur, në orën 07.30, Papa do të niset për në Port Louis, kryqytet i Mauritius. Në orën 10.40 do të fillojë  ceremonia e mirëseardhjes, në aeroport; më pas, Mesha në Monumentin e Marisë, Mbretëreshë e paqes, dreka me ipeshkvijtë e Cedoi(Konferenca Episkopale e Oqeanit Indian) në Episkopat, vizita private në Shenjtëroren e Pere Laval. Pastaj, vizita e mirësjelljes presidentit dhe takimi me kryeministrin, në Pallatin presidencial, pasuar nga takimi me autoritetet, shoqërinë civile, diplomatët.

Pas ceremonisë së lamtumirës, në aeroport, Françesku do të niset përsëri për në Antananarivo, ku do të arrijë rreth orës 20.00.

Dita e martë, 10 shtator, do t’i kushtohet vetëm fluturimit të kthimit drejt Italisë, duke nisur nga ceremonia e lamtumirës, në aeroportin e kryeqytetit malgash, me nisjen rreth orës 09.20 e arritjen në Romë-Ciampino, parashikuar për orën 19.00.   

 

04 shtator 2019, 13:17