Kërko

2019.09.20 Messa Santa Marta 2019.09.20 Messa Santa Marta 

Papa: ipeshkvi të jetë afër popullit të Zotit për të mos rënë në ideologji

Në Meshën kremtuan në shtëpinë e Shën Martës Papa kërkon të lutemi për priftërinjtë dhe ipeshkvijtë, duke i thirrur të jenë afër popullit të Zotit

R.SH. - Vatikan

Ipeshkvijtë duhet të jenë afër Zotit me lutje, afër meshtarëve të tyre, afër njëri-tjetrit dhe afër popullit të Zotit. Kjo është rruga që tregoi Papa, gjatë homelisë së Meshës kremtuar në mëngjes kapelën e shtëpisë së Shën Martës në Vatikan. Meditimin e tij Papa e nisi nga leximet biblike të Liturgjisë së djeshme dhe të sotme, nga Letra e Shën Palit drejtuar Timoteut (1Tm 6,2c-12), duke u përqendruar në këshillat që Pali i jep ipeshkvit të ri Timoteut: këshilla që vazhdojnë, pastaj, edhe në Letrën e Dytë të Palit drejtuar Timoteut.

Djalli hyn nga xhepat e tij

Dje në qendër të këtyre këshillave ishte nxitja për të mos e lënë pas dore "misionin dhe shërbimin si dhuratë". Sot thelbi i reflektimit është paraja dhe thashethemet, "mashtrimi, diskutimet e marra": janë, të gjitha, gjëra që e dobësojnë jetën misionare, shërbimin meshtarak e ipeshkëvnor, nënvizoi Papa Françesku. "Kur një shërbëtor e mbarështues – qoftë prift, diakon apo ipeshkëv - fillon të kapet pas parave", ai e lidh veten me rrënjën e të gjitha të këqijave, theksoi Papa, duke iu referuar leximit të parë të Liturgjisë së sotme – Letrës së Parë të Palit Apostull drejtuar Timoteut, në të cilën Pali kujton, saktësisht, se lakmia e parave është rrënja e të gjitha të këqijave (1Tm 6,2c-12). "Djalli kalon përmes xhepit", thoshin "zonjat e moshuara të kohës time", vërejti Papa.

Detyra e parë e një ipeshkvi është të lutet

Në homeli, Papa theksoi se jo vetëm ipeshkvijtë, por edhe priftërinjtë dhe diakonët janë të thirrur të jenë të afërt. Janë katër "afërsitë" që Papa i përmendi dhe ua propozoi meshtarëve e ipeshkvijve. Para së gjithash ipeshkvi "është njeri i afërsisë me Zotin". Papa kujtoi se kur apostujt deshën për t’u shërbyer më mirë të vejat dhe jetimëve, i "shpikën" diakonët, e për ta shpjeguar këtë Pjetri Apostull shprehet se "neve", domethënë apostujt, na takon "lutja dhe shpallja e Fjalës". Prandaj "detyra e parë e një ipeshkvi" është lutja: "kjo i jep forcë", shpjegoi Papa , e zgjon edhe "vetëdijen e kësaj dhurate, të cilën nuk duhet ta lëmë pas dore, është fjala për dhuratën e shërbimit, për dhuratën e mbarështimit" meshtarak.

Është e trisht kur një ipeshkëv i harron priftërinjtë e tij

Afërsia e dytë, për të cilën është i thirrur ipeshkvi, është afërsia ndaj priftërinjve dhe diakonëve të vetë, bashkëpunëtorëve tij, që janë njëkohësisht më të afërmit e tij. "Ti si ipeshkëv duhet, së pari, të dush të afërmin tënd më të afërt, që janë priftërinjtë e tu dhe diakonët e tu", theksoi Papa:

Sa e trisht është kur një ipeshkëv i harron meshtarët e vet. Sa e trisht është kur i dëgjon ankesat e priftërinjve që të thonë se: "E kam thirrur ipeshkvin, kam nevojë për një takim me të për t’i thënë diçka, dhe sekretari më tha që është tepër i zënë me punë e me takime për tre muaj plotë...". Një ipeshkëv që e ndjen këtë afërsi ndaj priftërinjve, kur sheh që një meshtar e ka thirrur sot, më së shumti duhet ta thërrasë nesër, sepse meshtari ka të drejtë ta njoftojë, të dijë se ka një atë. Afërsia me meshtarët është e rëndësishme. Dhe priftërinjtë, pastaj e jetojnë këtë afërsinë ndërmjet tyre, e nuk  përçahen. Djalli kalon përmes këtyre gjërave për ta ndarë klerin, për ta përçarë.

Mos harroni se nga ju thirri Zoti

Afërsia e tretë, për Papën Françesku, është ajo e meshtarëve ndërmjet tyre, ndërsa afërsia e katërt është me popullin e Zotit:

Në Letrën e dytë drejtuar Timoteut, Pali fillon, duke i thënë Timoteut që të mos e harrojë nënën e tij dhe gjyshen e tij, d.m.th. të mos harrojë se nga erdhi, nga ku Zoti e thirri. Mos e harroni popullin tuaj, mos i harroni rrënjët tuaja! Dhe tani, qoftë si ipeshkëv apo si meshtar, duhet të jemi gjithnjë pranë popullit të Zotit. 

20 shtator 2019, 15:04