Kërko

Zoja e Lujanit Zoja e Lujanit 

Lufta Falkland/Malvinas, ipeshkvijtë tek Papa për shtatoren e Pajtores

Të mërkurën, më 30 tetor, ipeshkvijtë-kapelanë të forcave të armatosura të Mbretërisë së Bashkuar dhe Argjentinës do të jenë në Romë tek Papa, me rastin e kthimit në Argjentinë të shtatores së Zojës së Lujanit nga Port Stanley, marrë në fund të luftës.

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku do të presë të mërkurën, më 30 tetor, ipeshkvijtë-kapelanë të forcave të armatosura të Mbretërisë së Bashkuar dhe Argjentinës. Në Romë, ata do të marrin shtatoren origjinale të Zojës së Lujanit, Pajtore e Argjentinës, që u dërgua në Mbretërinë e Bashkuar në fund të luftës së Ishujve Falkland, ndërsa kopja e saj, e realizuar nga argjentinasit, do të çohet në katedralen Katolike të Shën Mëhillit e të Shën Gjergjit në Aldershot.

Historia e shtatores së Port Stanley

Kur trupat argjentinase pushtuan Ishujt Falkland në prill 1982 – njofton një notë e Konferencës Ipeshkvnore Angleze – sollën edhe shtatoren, kopje e origjinalit të vitit 1630, e cila gjendet në Bazilikën e Lujanit në Argjentinë. Shtatorja u la nga trupat argjentinase në kishën e Port Stanley. Anglezët e morën dhe e çuan në Mbretërinë e Bashkuar, duke e vendosur pikërisht në katedralen ushtarake katolike të Shën Mëhillit dhe Shën Gjergjit në Aldershot.

Mbeti atje, si shtatore ku luteshin për të rënët e të dyja palëve. Menjëherë pas emërimit të tij si ipeshkëv i forcave të armatosura britanike, imzot Paul Mason u kontaktua nga homologu i tij argjentinas, imzot Santiago Olivera, i cili kërkoi kthimin e shtatores. Gjithashtu, u premtua edhe dhurimi i një kopjeje për katedralen e Aldershotit. Ipeshkvi anglez pranoi “me mirënjohje”.

Papa Françesku do t’i presë të dy ipeshkvijtë, me të dyja shtatoret

Papa Françesku do t’i presë të dy ipeshkvijtë, me të dyja shtatoret, në Sheshin e Shën Pjetrit të mërkurën, më 30 tetor, pas takimit vjetor të ipeshkvijve ushtarakë në Romë. “Është histori e çuditshme, që më bëri përshtypje sapo u bëra ipeshkëv i forcave të armatosura. Menjëherë e kuptova se kjo ishte një mundësi e mirë, jo vetëm për kthimin e shtatores, por edhe për të treguar bashkimin në fe ndërmjet dy vendeve, që kanë përjetuar ndarjen politike”, shpjegon imzot Mason për agjencinë katolike Sir.

Lufta e Ishujve Falkland  

Lufta e Ishujve Falkland (në spanjisht Guerra de las Malvinas) ka qenë një konflikt ushtarak ndërmjet Argjentinës dhe Mbretërisë së Bashkuar, në periudhën prill-qershor të vitit 1982, për kontrollin dhe zotërimin e Ishujve Falkland. Edhe pse u kap në befasi nga sulmi, Mbretëria e Bashkuar organizoi një forcë ushtarake detare për të zmbrapsur forcat argjentinase, që kishin pushtuar arqipelagun. Pas luftimeve të rënda, britanikët fituan dhe ishujt u kthyen nën kontrollin e Mbretërisë së Bashkuar. Pasojat politike të luftës qenë të thella.

25 shtator 2019, 19:46