Cerca

Vatican News
Në audiencë te Papa Presidenti Serbisë Aleksandar Vučić 12 shtator 2019 Në audiencë te Papa Presidenti Serbisë Aleksandar Vučić 12 shtator 2019  (Vatican Media)

Në audiencë te Papa Presidenti Serbisë Aleksandar Vučić

Gjatë bisedimeve të përzemërta: u nënvizuan marrëdhëniet e mira ndërmjet Selisë së Shenjtë e Serbisë, u vlerësua kontributi i katolikëve në fushën sociale, hapat e ndërmarrë nga Beogradi drejt integrimit evropian dhe rëndësia e bashkëpunimit midis popujve në shërbim të paqes, si dhe roli i feve në procesin e pajtimit.

R.SH. - Vatikan

Sot paradite Papa Françesku priti në audiencë, në Pallatin Apostolik në Vatikan, Presidentin e Republikës së Serbisë Aleksandar Vučić, i cili më pas u takua me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, Kardinalin Pietro Parolin, shoqëruar nga Imzot Paul Richard Gallagher, Sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet.

Gjatë bisedimeve të përzemërta dhe të hapura – njofton në një deklaratë zyra e shtypit e Selisë së Shenjtë - është shprehur kënaqësia për marrëdhëniet e mira që ekzistojnë ndërmjet Selisë së Shenjtë e Serbisë, si dhe vlerësimi për kontributin që ofron bashkësia katolike për të mirën e mbarë vendit, veçanërisht në fushën sociale. Më pas, u diskutua situata në vend dhe hapat e ndërmarrë drejt integrimit evropian. U diskutuan, mëtej, çështje me interes të përbashkët në kontekstin rajonal, duke u ndalur në veçanti te rëndësia e promovimit të bashkëpunimit të frytshëm ndërmjet popujve në shërbim të paqes dhe rëndësia e  rolit pozitiv që mund të luajnë fetë në procesin e pajtimit.

12 shtator 2019, 14:26