Kërko

Thirrja e Papës për Amazonën: të ndalen sa më shpejt zjarret!

Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa bëri thirrje të ngutshme për ndalimin e zjarreve në Amazonë. Në flakë, më se 2.250 kilometra katrore të sipërfaqes. Bëhet gjithnjë më i fortë presioni ndërkombëtar. Emergjenca është edhe mbi tryezën e G7.

R. SH. - Vatikan

Nga dritarja e Engjëllit, Papa kërkoi me forcë angazhimin e të gjithëve për t’i shuar flakët që, prej muajsh, po bëjnë shkrumb e hi pyjet e pafundme amazonike e, ditët e fundit janë shtuar aq, sa të shihet edhe nga lart hapësira prej 2.250 metrash katrore në flakë, e mbështjellë me një re të dendur tymi, që errëson qiellin e San Paolos së Brazilit.

“Jemi të gjithë të shqetësuar nga zjarret e shumta, të përhapura në të gjithë Amazonën. Lutemi që, me angazhimin e të gjithëve, të shuhen sa më shpejt. Kjo mushkëri pyjesh është jetike për planetin tonë”.

Emergjenca, mbi tryezën e G7

Vetëm dje u fol për vënien në jetë të planit për t’i ndaluar vatrat e zjarrit, me ndërhyrjen e më se 44 mijë ushtarëve, të mbëshetur nga mjetet ajrore, ujore e tokësore. Zonat pyjore më të dëmtuara janë ajo e Randonisë, e Bolivisë dhe e Brazilit, por tani flakët kanë arritur edhe Paraguain. Drama ambientale, me pasoja të papërfytyrueshme mbi gjithë ekosistemin botëror,  që i tërhoqi vëmendjen edhe Papës Françesku si dhe krerëve të shteteve e të qeverive dhe nxiti mobilizimin ndërkombëtar të qytetarëve, që po dalin në sheshe kundër presidentit brazilian Bolsonaro, i cili akuzon shtetet fqinje  për “indiferencë”, arriti dje edhe në Biarritz të Francës, mbi tryezën e bisedimeve të G7, që ka shumë mundësi të marrë masa ndëshkimore kundër Brazilit.

72 mijë flakadane, që nga janari

Sipas presidentit Bolsonaro, zjarret janë në nivel mesatar, në krahasim me ato, që u vërejtën 15 vjetët e fundit. Por Instituti kombëtar i kërkimeve spaciale në Brazil pohon se nga janari e deri më sot, në pyjet lumore u regjistruan 72 flakadane, me një shtim prej 84% të zjarreve, në krahasim me vitin 2018. Shkaku kryesor, në zanafillë të zjarreve, duket se është shpyllëzimi, për të cilin zakonisht përdoret zjarri, që të mund të fitohen sa më shpejt tokat e  punueshme.

Thirrja e ipeshkvijve latino-amerikanë

Situatë alarmante kjo, që e nxiti edhe Konferencën ipeshkvnore braziliane  të dalë vendosmërisht në fushë të mejdanit: “Është urgjente - lexohet në një notë - që qeveritë amazonike, posaçërisht ajo e Brazilit, të marrin masa serioze për të shpëtuar një zonë vendimtare në ekuilibrin ekologjik të planetit. Nuk është më çasti për të folur në mënyrë të paarsyeshme e as për t’u marrë me hollësira të kota e lojëra fjalësh”. Kështu e ngrenë zërin prelatët meksikanë e ata paraguaianë, në trojet e të cilëve po digjen 40 mijë hektarë pyje e kullota, posaçërisht në zonën e Chaco-s. Rreziku, që i kërcënohet mushkërisë së botës, e cila prodhon 20% të oksigjenit të planetit dhe 10% të biodiversitetit, nuk ka të bëjë vetëm me florën e faunën, por edhe me popullsitë dhe fiset e indianëve autoktonë, që po detyrohen të ikin nga pyjet e tyre. Nga ata pyje, që - arsye tjetër për t’u alarmuar kjo - kanë rol themelor në përpjekjen për t’iu kundërvënë mbingrohjes globale.  

25 gusht 2019, 14:29