Kërko

Udhëtimi i Papës Françesku në Mozambik, Madagaskar, Mauricius Udhëtimi i Papës Françesku në Mozambik, Madagaskar, Mauricius 

Programi i udhëtimit të Papës Françesku në Afrikë

U bë i njohur orari i veprimtarive të Papës Françesku gjatë udhëtimit apostolik në Mozambik, Madagaskar dhe Mauricius. Shtohet një takim i ri në fund të ditës së 5 shtatorit në Maputo.

R.SH. - Vatikan

Udhëtimi apostolik në tre vendet afrikane, që Papa Françesku do të vizitojë nga 4 deri në 10 shtator, do të fillojë me mbërritjen e Atit të Shenjtë, në orën 18.30, në kryeqytetin e Mozambikut, Maputo. Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë botoi sot oraret e veprimtarive të këtij udhëtimi apostolik, njoftuar që më 28 qershor. Duhen pasur parasysh vetëm dy zona kohore: ajo e Madagaskarit, një orë më shumë se në trevat shqiptare; dhe ajo e ishullit të Mauricius, dy orë më shumë. Në krahasim me njoftimin e mëparshëm, është shtuar një ngjarje e re, në fund të ditës së enjte, 5 shtator. Është fjala për një vizitë private të Papës në Casa Matteo 25 të Maputos. Kjo shtëpi është ngritur nga Nunciatura Apostolike në shtetin afrikan, në bashkëpunim me rreth 20 kongregata fetare vendore, për të ndihmuar të rinjtë dhe fëmijët e rrugës, të cilët nuk kanë ç’të hanë e, shpesh, nuk dinë as ku të flenë.

Madagaskari

         Mbërritja e Papës Françesku në Madagaskar parashikohet më 6 shtator, në orën 16:30 lokale. Të nesërmen, më 10.15, takimi me autoritetet, shoqërinë civile dhe Trupin Diplomatik, në ndërtesën e ceremonive të kryeqytetit Antananarivo. Ndër ngjarjet, që priten me padurim, takimi i datës 18 me të rinjtë, në fushën dioqezane të Soamandrakizay dhe kremtimi eukaristik, paraditen e së nesërmes, në orën 10. Vizita në Qytetin e Miqësisë është caktuar për në 15.10, ndërsa lutja për punëtorët në kantierin e ndërtimit Mahatazana do të bëhet në orën 16. Më pas, fjala e Papës për meshtarët, rregulltarët, laikët e shuguruar dhe seminaristët, në kolegjin e shën Mëhillit.

Mauricius

         Në Port Louis, Ishulli Mauricius, Papa do të shkojë të hënën, më 9 shtator. Do të kremtojë meshën, në orën 12.15, në monumentin e Zojës Mbretëreshë të Paqes dhe do të bëjë një vizitë private në shenjtëroren e Père Laval, në orën 16.25. Më pas, takime me autoritetet politike në pallatin presidencial, me shoqërinë civile dhe me Trupin Diplomatik. Në orët e vona të pasdites, kthimi në Madagaskar.

Kthimi në Romë

Ceremonia e lamtumirës për kthimin në Romë, të martën, më 10 shtator, në orën 9.00 lokale, në aeroportin e Antananarivos. Papa Françesku ulet me avion në Ciampino në orën 19.

05 gusht 2019, 18:26