Papa në Bazilikën romake të Zojës së Madhe Papa në Bazilikën romake të Zojës së Madhe 

Portret i Zojës së Ngjitur në Qiell, pikturuar nga Françesku

Në Solemnitetin e Të Ngjiturit të Zojës në Qiell, Papa Françesku është lutur gjithnjë, që Nëna e Zotit t’i sjellë drejt nesh sytë e saj të mëshirshëm, të na ndriçojë rrugën, të na tregojë cakun, të na dëftojë Jezusin.

R. SH. - Vatikan

Me penelatat e fjalës, Françesku realizon një portret të paharrueshëm të Zojës së Ngjitur në Qiell. Feja - na kujton në këtë festë - është arsyeja kryesore e madhështisë së Marisë, e lumnisë së saj. Feja është zemra e gjithë historisë së Marisë:

“Ajo e di - e edhe e thotë - se mbi historinë rëndon barra e dhunës së prepotentëve, e fodullëkut të të pasurve, arrogancës së krenarëve. E, megjithatë, Maria beson e u kujton të gjithëve se Zoti nuk i lë kurrë vetëm bijtë e Tij, të përvuajturit, të varfërit, por u vjen në ndihmë me mëshirë e kujdes, duke i rrokullisur poshtë të mëdhenjtë prej së larti,  duke i humbur  krenarët në intrigat e zemrës së tyre”.

Mëshira e Zotit është motori i Historisë. Punët e mëdha, që bëri i Gjithëpushtetshmi në Nënën e Zotit – shton Papa - nuk i përkasin vetëm Marisë. Na prekin thellësisht edhe ne, na flasin gjatë shtegtimit tonë mbi dhe, na kujtojmë cakun, që na pret, shtëpinë e Atit:

“Jeta jonë, parë në dritën e Marisë së Ngjitur në Qiell, nuk është bredhje pa kuptim, por shtegtim i cili, pavarësisht nga paqartësitë e vuajtjet, e ka një cak të sigurt: shtëpinë e Atit tonë, që na pret me dashuri”.

Shenja e ngushëllimit dhe e shpresës, që Zoti e bën të shndrisë për popullin e vet, e ka një fytyrë, e ka një emër:

“Fytyrën e ndritshme të Nënës së Zotit, emrin e bekuar të Marisë hirplote, emrin e Zojës së Lume, sepse besoi në fjalën e Zotit. Besimtare e madhe! Si gjymtyrë të Kishës, jemi të paracaktuar ta gëzojmë lumninë e Nënës, sepse, falë Zotit, edhe ne besojmë në  flijimin e Krishtit mbi kryq e, përmes Pagëzimit, përfshihemi në këtë mister shëlbimi”.

 Në ditën e solemnitetit të të Ngjiturit të Zojës në Qiell, Papa Françesku, përmes një tweet-i,  e përkryen, me penelatën e fundit, portretin e Zojës së Ngjitur në Qiell:

“Jeta e Marisë tregon se Hyji kryen vepra të mëdha, përmes njerëzve të përvuajtur”.

 

14 gusht 2019, 17:11