Kërko

Papa Françesku në Kubë, më 2015. Kanonizimi i Junipero Serra Papa Françesku në Kubë, më 2015. Kanonizimi i Junipero Serra 

Papa të rinjve kubanë: bëhuni dishepuj misionarë, që të tjerët të zbulojnë Krishtin

Me rastin e Ditës II Kombëtare të Rinisë, që kremtohet sot në Kubë, Papa dërgoi një mesazh të nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin. Në tekstin drejtuar kryeipeshkvit të Santiago de Kuba, Françesku lutet që Zoti t’i mbrojë të gjithë të rinjtë kubanë me dashurinë e tij.

R.SH. - Vatikan

Vazhdoni të ndiqni “me vendosmëri” shembullin e Marisë, shërbëtores besnike të Zotit, duke provuar kështu “gëzimin, që vjen nga takimi me Jezu Krishtin”. Papa Françesku u shkruan të rinjve kubanë, pikërisht ndërsa po kremtojnë sot Ditën e tyre Kombëtare. Si dëshmitarë të Ringjalljes, vijon mesazhi për kryeipeshkvin e Santiago de Kuba, imzot Dionisio García Ibáñez, shndërrohuni “në dishepuj misionarë”, që shumë të rinj të “zbulojnë praninë e Zotit Jezus, të dëgjojnë thirrjen e Tij, të rriten me miqësinë e Tij” e, në këtë mënyrë, të jetojnë duke i qëndruar besnikë e duke vënë në jetë mëshirën e dhembshurinë e krishterë. Mesazhi i Atit të Shenjtë nënshkruhet nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin.

Dashuria pa fund e Zotit

Papa, nënvizohet në tekst, përshëndet “me përzemërsi” organizatorët dhe të gjithë pjesëmarrësit e rinj, duke iu lutur Zotit që, me ndërhyrjen e Virgjërës së Bekuar të Bamirësisë së Cobre-s, pajtore e ishullit karaibik, t’i mbrojë të gjithë të rinjtë kubanë “me dashurinë e Tij të pafund”.

Zhvillimi i kremtimeve

Dita, e cila për shkak të krizës aktuale ekonomike u shndërrua, në fillim të korrikut, në një takim në nivelin dioqezan, me vendim të kryeipeshkvisë së Santiago de Cuba, në marrëveshje me Konferencën Ipeshkvnore vendore, pësoi edhe një ndryshim të mëtejshëm të programit. Faktikisht, autoritetet civile ua mohuan dioqezave të Kubës (me përjashtim të Santiago de Kuba) lejen për të kryer veprimtari në hapësira publike. Në një letër për fillimin e festimeve, kryeipeshkvi, imzot Dionisio García Ibáñez, shpjegon se ky vendim i nxiti të gjithë të “angazhohen edhe më shumë për të arritur objektivat e përcaktuara dhe për të zbuluar praninë e Zotit në çdo veprimtari”.

02 gusht 2019, 13:24