Shën Monika e Shën Agostini (nënë e bir) Shën Monika e Shën Agostini (nënë e bir) 

Papa: rizbulojeni udhën shpirtërore të Shën Agostinit

Ditën e kujtimit liturgjik të Shën Agostinit, në përfundim të audiencës së përgjithshme, Papa u drejtoi besimtarëve ftesën të frymëzohen nga doktori i madh i Kishës dhe nga mësimet e tij.

R. SH.- Vatikan

“Sot kremtojmë festën e Shën Agostinit, Ipeshkëv e Doktor i Kishës. I ftoj të gjithë të frymëzohen nga shenjtëria e tij e nga doktrina e tij. Së bashku me të,  rizbulojeni “udhën  shpirtërore, që të prin drejt Zotit e të afërmit më nevojtar”. Kështu e kujtoi Françesku ipeshkvin e madh të Iponës, në audiencën e sotme të përgjithshme. Temë, kjo, e prekur disa herë gjatë papnisë, duke cituar Shenjtin i cili, në veprën “Feja e vërtetë” (39,72), shkruan: “Mos dil jashta vetes, riktheju në vetvete: e vërteta jeton në  botën e brendshme të njeriut!” Kjo, për t’i kujtuar çdo njeriu se vetvetja e vërtetë është në fund të zemrës e se aty lind edhe dialogu me Zotin, sepse aty është vendi ku e vërteta, e kërkuar me mendje, bashkohet me shpirtin. “Nuk do të shikosh dritën e këtij dielli - vijon Shën Agostini - por dritën e vërtetë, që ndriçon çdo njeri”.

Tweet i Papës, i frymëzuar nga Shën Agostini

Për Papën, ftesa për të hyrë në botën e brendshme, është edhe nxitje për një jetë, që vihet vazhdimisht në shërbim të kumtimit të Fjalës së Zotit e nevojave të të afërmit, të kërkimit të pareshtur të Zotit, gjë që do të thotë të dalësh gjithnjë nga vetvetja, për të shkuar drejt Zotit e vëllezërve. Gjithë këtë Papa e përmbledh në tweet-in  kushtuar Shën Agostinit:

“Të kërkojmë hirin të mos jemi të krishterë të vakët, që e jetojnë gjithçka në mënyrë gjysmake, duke e lënë të ftohet dashurinë”.

 

28 gusht 2019, 15:47