Papa: rizbulojeni udhën shpirtërore të Shën Agostinit
R. SH.- Vatikan
“Sot kremtojmë festën e Shën Agostinit, Ipeshkëv e Doktor i Kishës. I ftoj të gjithë të frymëzohen nga shenjtëria e tij e nga doktrina e tij. Së bashku me të, rizbulojeni “udhën shpirtërore, që të prin drejt Zotit e të afërmit më nevojtar”. Kështu e kujtoi Françesku ipeshkvin e madh të Iponës, në audiencën e sotme të përgjithshme. Temë, kjo, e prekur disa herë gjatë papnisë, duke cituar Shenjtin i cili, në veprën “Feja e vërtetë” (39,72), shkruan: “Mos dil jashta vetes, riktheju në vetvete: e vërteta jeton në botën e brendshme të njeriut!” Kjo, për t’i kujtuar çdo njeriu se vetvetja e vërtetë është në fund të zemrës e se aty lind edhe dialogu me Zotin, sepse aty është vendi ku e vërteta, e kërkuar me mendje, bashkohet me shpirtin. “Nuk do të shikosh dritën e këtij dielli - vijon Shën Agostini - por dritën e vërtetë, që ndriçon çdo njeri”.
Tweet i Papës, i frymëzuar nga Shën Agostini
Për Papën, ftesa për të hyrë në botën e brendshme, është edhe nxitje për një jetë, që vihet vazhdimisht në shërbim të kumtimit të Fjalës së Zotit e nevojave të të afërmit, të kërkimit të pareshtur të Zotit, gjë që do të thotë të dalësh gjithnjë nga vetvetja, për të shkuar drejt Zotit e vëllezërve. Gjithë këtë Papa e përmbledh në tweet-in kushtuar Shën Agostinit:
“Të kërkojmë hirin të mos jemi të krishterë të vakët, që e jetojnë gjithçka në mënyrë gjysmake, duke e lënë të ftohet dashurinë”.