Kërko

Papa: pasuritë duhen, por për të gjithë. Sa luftëra shkakton lakmia!

Papa Françesku, para lutjes së Engjëllit të Tënzot, komentoi shëmbëlltyrën e Jezusit kushtuar “të pasurit të pamend”, duke nënvizuar se kërkimi i ethshëm i të mirave materiale e lidh zemrën me zinxhirë, e shkëput nga thesari i vërtetë, që është në qiell e shpesh shndërrohet në burim shqetësimesh, armiqësish, shpërdorimesh, luftërash. Lakmia nuk ngopet kurrë!

R. SH. - Vatikan

“Të mirat materiale janë të nevojshme, por nëse bëhen qëllim i jetës sonë, na e mbërthejnë zemrën me zinxhirë, na shkëpusin nga thesari i vërtetë, që është në qiell e shpesh bëhen burim shqetësimesh. Edhe ndërmjet familjesh e familjarësh”. Papa Françesku e komentoi kështu, para lutjes së Engjëllit të Tënzot, fragmentin e Ungjillit të kësaj së diele, në të cilin Shën Luka kujton kërkesën që i bëhet Jezusit, për të zgjidhur një çështje trashëgimie e, pastaj, edhe përgjigjen e Zotit, me një shëmbëlltyrë të bukur, “nga e cila mësojmë shumë”.

Krishti na këshillon: larg lakmisë!

Krishti - kujtoi në vijim Papa - na nxit të rrimë larg lakmisë, domethënë, larg etjes për të pasur e për të pasur e për të pasur… pa u ngopur kurrë! Këtë e bën, duke na treguar shembëlltyrën e pasanikut “që ndjehet i lumtur, pse viti qe tejet i mbarë e ia shtoi grumbullin e pasurive aq, sa të besojë se do të mund të jetojë për shumë e shumë vjet në kamje e rehati. Po planet e tij, për pasuri e prehje, deri në fund të fundit të një jete të gjatë, nuk janë planet e Zotit! Planet e tij u kundërvihen planeve të Zotit! Në vend  të shumë e shumë vjetëve, që ëndërronte - shpjegoi Françesku - Zoti i flet pasanikut për afrimin e natës së tij të fundit. Do të vdesë, pa rënë mirë muzgu! Nuk do ta gëzojë shpirtin, po do ta japë, për të dalë menjëherë  para gjyqit! Zoti i drejton pasanikut edhe një pyetje sarkastike: “E gjithë këtë pasuri që grumbullove, kush do ta gëzojë?”.  I pamunduari?

Vdekja, trashëgimia e trashëgimtarët

“Të mendojmë për luftërat, që lidhen me trashëgiminë; lufta të panumërta në gjirin e kombeve e të familjeve. E për shumë njerëz që - siç e dimë të gjithë - nisin e grumbullohen rreth njeriut, në fill të mortjes - nipa e stërnipa – të cilët më shumë se për ngushëllim, vijnë për të pyetur: ‘Çfarë më takon mua?’, e për të marrë, pastaj, ç’t’u kapë dora. Për këtë kundërvënie përdoret epiteti ‘i pamend’, me të cilin i drejtohet Zoti këtij njeriu - sepse mendon për gjëra, që beson të jenë konkrete, ndërsa janë thjesht fantazi. Ai është i pamend, sepse praktikisht e mohoi Zotin, nuk i bëri llogaritë me Të”.

Kërko sendet, që kanë vlerë të vërtetë

Me të drejtë Ungjilltari përfundon me fjalët: “Kështu i ndodh atij, që grumbullon thesare për vete e nuk pasurohet pranë Zotit”. Një qortim -sqaron Papa - që na zbulon horizontet e pamasa, drejt të cilave jemi të thirrur të shikojmë:

“Pasuritë materiale janë të nevojshme - janë pasuri - mjet për të jetuar ndershmërisht - mjet, pra - e për t’u ndarë me më nevojtarët. Jezusi sot na fton  të kuptojmë se pasuritë mund të na e mbërthejnë zemrën me zinxhirë e të na shkëpusin nga thesari i vërtetë, që është në qiell”.

Kjo nuk do të thotë - përfundoi Papa Françesku - se duhet të jetojmë të shkëputur nga realiteti. Çka duhet të bëjmë, është të kërkojmë gjërat me vlerë të vërtetë: drejtësinë, solidaritetin, mikpritjen, vëllazërimin,  paqen, të gjitha gjëra, që i japin njeriut dinjitet. Është fjala - shpjegoi akoma Papa - ta jetosh jetën jo sipas stilit të botës, por sipas stilit ungjillor: ta duash Zotin me gjithë vetveten, e ta duash të afërmin, ashtu si e deshi Jezusi, domethënë, duke i shërbyer e duke ia dhuruar vetveten:

“Etja për pasuri, dëshira për të pasur sa më shumë, nuk e ngop zemrën, përkundrazi, e bën edhe më të uritur! Lakmia është si karamelet e mira: ti e merr një e thua ‘Ah, sa e mirë qenka!’,  e merr edhe një tjetër… edhe një .. edhe një, njërën pas tjetrës. Kështu edhe lakmia: nuk ngopet kurrë! Kujdes, prandaj! Dashuria e kuptuar dhe e jetuar kështu, është burim i lumturisë së vërtetë, ndërsa kërkimi i pangopur i të mirave materiale, i pasurive, shndërrohet shpesh në burim shqetësimesh, armiqësish, shpërdorimesh, luftërash. Shumë luftëra nisin pikërisht për shkak të lakmisë!”.

Zoja e Bekuar - u lut në përfundim Papa - na ndihmoftë të mos joshemi nga siguritë, që kalojnë, por të jemi dëshmitarë të besueshëm të vlerave të amshuara të Ungjillit!

04 gusht 2019, 14:26