Cerca

Vatican News
1982.10.10 Canonizzazione San Massimiliano Kolbe 1982.10.10 Canonizzazione San Massimiliano Kolbe 

Papa në përkujtimin e Atë Kolbes: t’ia besojmë veten Zotit çdo ditë!

Në përkujtimin e Shën Maksimilian Maria Kolbes, meshtar e martir, PapaFrançesku kujtoi se: “Udha për t’ia besuar vetveten Zotit, nis çdo ditë nga agimi e në vijim”. Shën Maksilimiani Kolbe, meshtar heroik e martir, mes tjerash pati shkruar: “Vetëm dashuria krijon e ndërton”: një sfidë e një trashëgimi për të ardhmen e botës.

R.SH. - Vatikan

Në përkujtimin e Shën Maksimilian Maria Kolbes, meshtar e martir, Papa Françesku kujtoi se“Udha për t’ia besuar vetveten Zotit, nis çdo ditë  nga agimi e në vijim”.

Maksimilian Kolbe e jetoi jetën e tij duke ia besuar plotësisht Zotit çdo ditë, përmes Marisë. Françeskan polak i Urdhërit të Fretëve të Vegjël Konventualë, më 1917 themeloi Milicinë e Zojës së Papërlyer, për të përhapur, përmes shtypit e pastaj, edhe radios, devocionin marian. I arrestuar nga nazistët, u internua në kampin e përqendrimit të Auschwitz: këtu dhuroi jetën e vet, duke hyrë në qelinë e urisë, në vendin e një bashkëvuajtësi, baba familjeje. I mbyllur në paradhomën e vdekjes natën e festës së të Ngjiturit të Zojës në Qiell, i inkurajoi nëntë të dënuarit e tjerë ta prisnin fundin duke u lutur e duke kënduar këngë kushtuar Zojës.

Pas dy javë agonie, u mbyt pikërisht natën e Festës së Marisë së Ngjitur në Qiell, me një injeksion acidi fenik. Para se të vdiste, i rrethuar nga xhelatët e tij që zgërdhiheshin përqark, atë Kolbe pëshpëriti, me frymën e fundit, fjalët: “Urrejtja nuk i duhet askujt! Mbyt! Vetëm dashuria krijon!”. Shoqëruar me një Të falemi Mari, e fundmja e shtegtimit të tij mbi këtë tokë që, ndërmjet shumë krimesh të llahtarshme, e pa edhe atë të vdekur, krejt pa faj, duke dhuruar, si  Krishti, jetën, për një njeri tjetër.

Papa Pali VI e lumnoi më 17 tetor 1971; Papa Gjon Pali II  e shenjtëroi më 10 tetor 1982.

Më 29 korrik 2016 Papa Françesku, në Poloni për Ditën Botërore të Rinisë, vizitoi kampin nazist të Auschwitz. Nuk foli asnjë fjalë, në atë vend ku vijon të flasë vdekja. U lut në heshtje të thellë, në Sheshin e Apelit, pikërisht atje, ku Shën Maksimiliani dhuroi jetën e tij, për të shpëtuar një jetë tjetër, e më pas, edhe në qelinë e  urisë. Duke dalë, vuri nënshkrimin në Librin e Nderit, ku la të shkruara spanjisht edhe fjalët. “O Zot, ki mëshirë për popullin tënd! Fale, o Zot, për gjithë këtë mizori!” 

14 gusht 2019, 11:05