Protesta në Madagaskar, në vitin 2018 Protesta në Madagaskar, në vitin 2018 

Papa në Madagaskar. Atë Schiuchetti: “të luftohet varfëria dhe korrupsioni”

Nga kryeqyteti i Madagaskarit, Antananarivo, jezuiti, atë Elio Sciuchetti, misionar që prej 48 vitesh, shpreson që Papa Françesku, për vizitë apostolike nga 6 deri më 8 shtator, do të bëjë thirrje për drejtësi shoqërore, kundër korrupsionit dhe varfërisë.

R.SH. - Vatikan

Varfëria e përgjithshme, korrupsioni dhe mafia, vjedhja dhe tregtimi i paligjshëm i zebuve (një lloj gjedhi), përdorimi i burimeve natyrore në favor vetëm të disa investuesve të huaj. Këto janë problemet kryesore shoqërore të Madagaskarit, “ishullit të kuq” në Oqeanin Indian, siç quhet, për shkak të ngjyrës së tokës. Papa Françesku do të shkojë për vizitë nga 6 deri më 8 shtator, duke u ndalur vetëm në kryeqytet, në kuadrin e udhëtimit apostolik, ku përfshihet edhe Mozambiku dhe ishujt Mauricius (4-10 Shtator). Nga kryeqyteti Antananarivo, një veteran misionar, atë Elio Sciuchetti, 78 vjeç, jezuit me origjinë nga Villa Chiavenna, në Itali, shpjegon gjendjen që do të gjejë Ati i Shenjtë. Atë Sciuchetti banon që prej 48 vitesh në Madagaskar dhe drejton katër famulli në periferi të kryeqytetit.

Thirrjet për meshtari nuk mungojnë

Vendi, shpjegon ai për agjencinë katolike të lajmeve Sir, ka 8 milion katolikë (një e treta e rreth 25 milion banorëve), por të krishterët, ku bëjnë pjesë edhe protestantët, përfaqësojnë 58% të popullsisë. Pjesa tjetër janë myslimanë, ose ndjekës të kulteve tradicionale. “Është një Kishë e gjallë – nënvizon atë Sciuchetti. - Në famullitë e mia, ditën e diel kremtohen 10 meshë në ditë, ku marrin pjesë edhe mbi 1.500 njerëz, që grumbullohen deri jashtë kishës. Thirrjet për t’iu kushtuar Zotit nuk mungojnë”. Në meshën e së dielës, 8 shtator, që Papa Françesku do ta kremtojë në kampin dioqezan Spamandrakizay, priten të vijnë më se 800.000 vetë.

Madagaskari mund të ishte vend i pasur

Në vitet e misionit në vend, atë Sciuchetti ka vënë re se varfëria është shtuar, për shkak të proceseve të urbanizimit, që krijojnë vazhdimisht përjashtim shoqëror dhe korrupsion në të gjitha nivelet. “Madagaskari mund të jetë vend i pasur - shpjegon misionari - sepse ka shumë burime natyrore si ar dhe gurë të çmuar, ka kaq shumë tokë për bujqësi. Por këto pasuri keqpërdoren, ose dërgohen fshehurazi jashtë vendit. Ato nuk sjellin asnjë dobi për popullatën”.

80% e popullsisë është e varfër

 80% e popullsisë jeton me më pak se 2 dollarë në ditë, me biznese të vogla, tregti jozyrtare, bujqësi dhe blegtori. Në Madagaskar, një nga vendet më të varfra në botë, Kisha investon shumë energji në arsim, asistencë shëndetësore dhe vepra shoqërore. “Shqetësimet baritore të ipeshkvijve të vendit – tregon jezuiti - kanë të bëjnë me zhvillimin dhe me krijimin e një atmosfere drejtësie”. Atë Sciuchetti dëshiron të dëgjojë nga Papa “një thirrje për drejtësi shoqërore, kundër korrupsionit dhe varfërisë. Popullsia e Madagaskarit ka të drejtë të shpresojë në një jetë më të mirë”.

13 gusht 2019, 09:18