Papa në Engjëllin e Tënzot: “Si Maria, të zgjedhim madhërinë e qiellit, jo vogëlsitë e jetës”

Në ditën kur Kisha kremton Të Ngjiturit e Zojës në Qiell, Papa nxit të mos joshemi nga kënaqësitë e vogla të botës, por t’i lartojmë sytë kah qielli. Po të duam që jeta jonë të jetë e lume, na dëshmon Maria, në vendin e parë duhet të vëmë Zotin, sepse vetëm Ai është vërtet i madh.

R. SH. - Vatikan

Festa e Të Ngjiturit të Marisë në Qiell, është thirrje, që u drejtohet të gjithëve, posaçërisht atyre, që shtypen nën barrën e brengave e të trishtimit. E atyre, që jetojnë gjithë jetën me sy përdhe. I fton të gjithë të shikojnë lart, të tërhiqen nga bukuria e vërtetë. Të zgjedhin madhshtinë e Qiellit, jo vogëlsitë e tokës.

Në lutjen e Engjëllit të Tënzot Papa  kujtoi se të zgjedhësh këtë horizont,  do të thotë ta lësh Marinë të na marrë për dore, Virgjëra Shenjte na ndihmoftë të shikojmë çdo ditë me gëzim e besim atje lart, ku është shtëpia jonë e vërtetë:

“Të shikojmë lart, qielli është i hapur; nuk të tremb, nuk është i pakapshëm, sepse në prag të qiellit është një nënë, që na pret! Është Mbretëresha e qiellit e nëna jonë! Na do, na buzëqesh, na ndihmon me kujdes amtar. Si çdo nënë, dëshiron t’i shikojë mirë e më mirë bijtë e saj e na thotë: ‘Ju jeni të çmuar para syve të Zotit: nuk jeni bërë për kënaqësitë e vogla të botës, por për gëzimet e mëdha të qiellit’. Po, sepse Zoti është gëzim, jo trazim. Ta lëmë Zojën të na marrë për dore. Sa herë kemi në dorë Rruzaren dhe i lutemi, bëjmë një hap përpara drejt cakut të jetës”.

Maria na mëson ta  madhërojmë Zotin

Papa kujtoi se në Ungjillin e sotëm Virgjëra e Shenjtë i larton sytë nga qielli, duke shqiptuar fjalët  e para të Himnit “Magnificat”  E  fjalët e para, që zgjedh, janë dy folje: “madhëron” e “ngazëllehet”.

“Njeriu ngazëllehet, kur ndodh diçka e bukur. E duke mos i mjaftuar gëzimi i brendshëm, kërkon ta shpërthejë me vrull edhe përjashta, duke shprehur kështu, lumturinë që e ka pushtuar me gjithë korpin! Kush e di nëse edhe ne na ka ndodhur ndonjë herë të ngazëllehemi për Zotin: ngazëllehemi për ndonjë rezultat, që arritëm, për një lajm të mirë, por sot Maria na mëson të ngazëllehemi në Zotin,  sepse Ai bën gjëra të mëdha”.

Të kërkojmë gjëra të mëdha

Është edhe një folje tjetër në lutjen e Virgjërës Mari: madhëron! E kjo - shpjegoi Papa - do të thotë të ngazëllehesh për një realitet, për madhështinë e tij, për bukurinë e tij:

“Maria e larton madhështinë e Zotit, e lavdëron, duke kujtuar se vetëm Ai është vërtet i madh. Në jetë ka rëndësi të kërkosh gjëra të mëdha, përndryshe humbet më kot në vogëlsira. Na e tregon këtë Maria! Nëse duam që jeta jonë të jetë e lumtur, në vendin e parë duhet të vëmë Zotin. Sepse vetëm ai është i madh! Jo paragjykimet, mllefet, rivalitetet, zilitë, pasuritë, llogaritë, me të cilat shpesh merremi çdo çast. Sa meskinitete ka në jetë! Maria sot na fton t’u rrimë larg! Na fton t’i lartojmë sytë kah ‘punët e mëdha’, që bëri Zoti në Të e përmes Saj, në secilin prej nesh”.

Ajo është porta e qiellit

Festojmë punët e mëdha sot. Maria u ngjit në qiell: e vogël dhe e përvuajtur, mori e para lavdinë më të madhe. Ajo, që është krijesë njerëzore, një nga ne, arriti e në amshim me shpirt e me korp:

“E atje na pret, si pret nëna bijtë, që rikthehen në shtëpi. Prej këndej populli e quan ‘Porta e qiellit’. Ne jemi për udhë, shtegtarë drejt shtëpisë sonë, atje lart. Sot, në Marinë shikojmë udhën e cakun. Shikojmë sesi një krijesë  u  ngjit në lavdinë e Jezu Krishtit të ngjallur, e kjo krijesë nuk mund të ishte kush tjetër, veç asaj, Nënës së Shëlbuesit”.

Të shikojmë drejt qiellit

Festa e Të Ngjiturit të Zojës në Qiell, është ftesë për  të gjithë - vijoi të kujtonte Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot. - Na fton të shikojmë qiellin. Qielli është i hapur e në prag të tij na pret një Nënë. Mbretëresha!

E, mos harroni, sa herë marrim Rruzaren në dorë e i lutemi Marisë, bëjmë një hap para drejt cakut të madh të jetës. Drejt Virgjërës, Portës së qiellit, duke e lutur të na ndihmojë të shikojmë me besim e gëzim atje lart, ku e kemi shtëpinë tonë të vërtetë!

Afërsi me popullsitë e Azisë jugore

Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa u shprehu afërsinë e tij  popullsive të vendeve të ndryshme të Azisë jugore, dëmtuar rëndë nga shirat monsonike:

“Lutem për viktimat dhe të shpërngulurit si dhe për të gjitha familjet e  mbetura pa strehë. U dhashtë Zoti forcë të pastrehëve e edhe atyre, që i ndihmojnë”.

Papa kujtoi  edhe se sot, në Czestochova të Polonisë shtegtarë të shumtë u mblodhën për të festuar Ngjitjen e Zojës në Qiell e për të kremtuar edhe  njëqind vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike të Selisë së Shenjtë me Poloninë. Më pas, bekimi i Rruzareve për Sirinë.

15 gusht 2019, 14:19