Kërko

Papa në Engjëllin e Tënzot: jeta e krishterë nuk mund të pajtohet me hipokrizinë e kompromiset!

Në lutjen e sotme të Engjëllit të Tënzot, Françesku nënvizoi se nuk duhet të jetojmë si hipokritë, por të jemi të krishterë në situata konkrete, duke e dëshmuar Ungjillin, që është kryesisht dashuri për Zotin.

R. SH. - Vatikan

Janë dy, perspektivat që pasqyrohen sot në faqen ungjillore. Jezusi u thotë dishepujve të vet:

“Erdha të sjell zjarrin mbi tokë e sa dëshiroj të ishte tashmë i ndezur flakë!”(Lk 12, 49).

Duke kujtuar këto fjalë, Papa, në Engjëllin e Tënzot, theksoi një mundësi, që nuk pret: mundësinë për ta kumtuar Ungjillin!

“Bashkimi me zjarrin e dashurisë, që solli Jezusi mbi tokë, duhet ta rrëmbejë gjithë jetën tonë. Zjarri i Zotit kërkon adhurimin për Atin e gatishmërinë për të afërmin”.

Duhet t’i japim fund çdo përtacie, çdo apatie, indiference, mbylljeje në vetvete:

“Sepse vetëm kështu mund të ndizemi flakë nga zjarri i dashurisë për Zotin.  Jezusi - shpjegon Papa - na thërret ta përhapim këtë zjarr në mbarë botën ku, pikërisht falë tij njihemi si dishepuj të vërtetë. Zjarri i dashurisë, i ndezur nga Krishti në botë, përmes Shpirtit Shenjt, është zjarr pa caqe, zjarr universal”.

Ungjilli, zjarr që shëlbon

Që nga kohët e para të krishterimit - shtoi Papa - dëshmia e Ungjillit u përhap si zjarr mirëbërës, duke kapërcyer çdo përçarje ndërmjet njerëzve, kategorive shoqërore, popujve e kombeve. Dëshmia e Ungjillit e bën hi e pluhur çdo formë të partikularizmit, hap rrugën e dashurisë së krishterë për të gjithë, e, në mënyrë të posaçme, për më të varfërit, më të shtypurit, më të nëpërkëmburit. Adhurimi i Zotit dhe gatishmëria për të ndihmuar të afërmin - nënvizoi Papa - janë themelore për t’u përflakur nga dashuria e Krishtit:

“E para, të adhurosh Zotin do të thotë të mësosh lutjen e adhurimit, që shpesh herë e harrojmë! Ja pra, pse i ftoj të gjithë ta zbulojnë bukurinë e lutjes së adhurimit e ta ushtrojmë sa më shpesh”.

Rruga e dytë, themelore, është gatishmëria për t’i shërbyer të afërmit:

“Mendoj me admirim për shumë bashkësi e grupe të rinjsh që, edhe gjatë verës, i kushtohen këtij shërbimi në ndihmë të të sëmurëve, të të varfërve, njerëzve me kufizime. Për të jetuar sipas frymës së Ungjillit, duhet që, përballë  nevojave të reja gjithnjë më të mëdha, kudo në botë, të jenë dishepujt e Krishtit ata, që dinë të përgjigjen me nisma të reja të dashurisë së krishterë. E kështu, me adhurimin e Zotit e me shërbimin ndaj të afërmit  - të dyja së bashku – adhurim i Zotit e shërbim i të afërmit - Ungjilli duket me të vërtetë si zjarr, që shpëton, që e ndryshon botën, duke nisur nga ndryshimi i zemrës së secilit”.

Të jesh i krishterë, do të thotë të jetosh pa kompromise

Pohimi tjetër i Jezusit, në faqen e sotme ungjillore, mund të na trondisë:
“Ju mendoni se erdha të sjell paqen mbi tokë? Jo, po ju them, por përçarjen!(Lk 12,51).

Flet kështu -  vërejti Papa - për një përçarje shëlbuese:

“Ai erdhi  ‘të ndajë me zjarr’. Të ndajë kë? Të mirën nga e keqja, të drejtin nga i padrejti. Në këtë kuptim erdhi të ndajë, të përçajë, ta vërë në krizë - po në mënyrë shpëtimtare - jetën e dishepujve të Tij, duke u dhënë fund iluzioneve të lehta të atyre që mendojnë se jeta e krishterë mund të bashkëjetojë me gjithfarë kompromisesh, praktikash fetare e sjelljesh kundër të afërmit. Të bashkëjetojë - sipas mendësisë së disave - feja e vërtetë, me praktika  bestytnish. Sa e sa të krishterë shkojnë tek shortarët, për t’u lexuar dorën! Po ky është besim i kotë, nuk është Zoti! I krishteri nuk duhet të jetojë si hipokrit, po duhet të jetë gjithnjë gati të paguajë haraç për sjelljen e tij të krishterë, të palëkundshme! Këtë qëndrim duhet të mbajë secili nga ne në jetë: koherencë! Ta paguajë me fund haraçin, për të qenë gjithnjë në përkim të patundur me Ungjillin”.

18 gusht 2019, 14:05