Kërko

Papa në audiencë: Kisha pa kufij nuk dënon, por ngushëllon

Papa Françesku, në audiencën e parë të përgjithshme, pas ndërprerjes së korrikut, rifilloi serinë e katekizmave kushtuar Veprave të Apostujve, duke komentuar, sot, mrekullinë e Pjetrit i cili, në emër të Krishtit, shëron një sakat. Dora jonë, që i ndihmon të rrëzuarit të ngrihen përsëri në këmbë, është dora e Jezusit!

R. SH. - Vatikan

Fytyra e Pjetrit, që e merr për dore të paralizuarin, e ngre në këmbë dhe e shëron “na duket si fytyra e Kishës pa kufij, që e ndjen veten nënë e të gjithëve, di të marrë për dore e të shoqërojë, për të të ndihmuar, jo për të të dënuar”. “E dora jonë, që e ndihmon tjetrin, është vetë dora e Jezusit”. E pikërisht duke komentuar mrekullinë e Pjetrit, kryer në emër të Krishtit, Papa Françesku rifilloi serinë e katekizmit kushtuar Veprave të Apostujve, pas ndërprerjes së shkurtër të korrikut.

Mrekullitë dëshmojnë natyrën hyjnore të Jezusit

 “Mrekullitë e shumta, që bënë apostujt - pohoi në vijim Papa -  dëshmojnë natyrën hyjnore të Krishtit. Lypësi, i lindur sakat, të cilin Apostujt e takojnë te porta e Tempullit - vijoi të shpjegonte - rrinte aty sepse, sipas ligjit të Moisiut, të gjymtuarit nuk lejoheshin të flijonin në nder të Zotit. Asokohe mendohej se gjymtimi ishte pasojë e ndonjë faji. Prandaj edhe për lypësin e verbër, populli e pyet Jezusin nëse ishte ashtu për faj të vet, apo të prindërve. Sipas mendësisë së tyre - shpjegoi Papa - pas gjymtimit fshihej gjithnjë mëkati.

Krishti të ngre në këmbë

Pastaj - vijoi Françesku - nis loja e syve. Sakati i shikon dy apostujt, për t’u kërkuar ndonjë lëmoshë, ata ia ngulin sytë, për ta ftuar t’i shikojë ndryshe, sepse donin t’i jepnin një dhuratë, të cilën ai as nuk mund ta përfytyronte. Më të dëshiruarën: të ngrihej në këmbë! Të ecte! E Pjetri e  bën këtë mrekulli, në emër të Krishtit:

“Apostujt krijojnë lidhje, sepse kjo është mënyra me të cilën duket Zoti, duke krijuar lidhje, dialog, gjithnjë me frymëzim, që buron nga zemra. Kështu lidhet Zoti me ne: na takon, me një takim që mund të ndodhë vetëm në lidhjet e dashurisë”.

Papa Françesku kujtoi, më pas, se tempulli ishte edhe vend shkëmbimesh ekonomike e financiare. E pikërisht këtij lloj përdorimi i kundërviheshin  haptazi Jezusi e Apostujt, që nuk donin ta shikonin tempullin të shndërruar në treg:

“Po sa e sa herë mendoj edhe unë për këtë, kur shikoj ndonjë famulli, që u jep më shumë rëndësi parave se sakramenteve! Ju lutem! Kishë të varfër! Këtë duhet t’i lypim Zotit!”.

Lypësi - vijoi të shpjegonte Papa - duke u takuar me Apostujt, ‘nuk gjen para, por gjen Emrin, që e shpëton njeriun, Jezu Krishtin, Nazarenin. Pikërisht në emër të Tij Pjetri i jep urdhër paralitikut të ngrihet në këmbë, e merr për dore dhe e bën të ecë. Në këtë gjest - kujtoi Françesku - Shën Gjon Krizostomi shikon “figurën e Ngjalljes”.

Portreti i Kishës

 E po në këtë gjest vërejmë edhe portretin e Kishës që, kur e shikon njeriun në vështirësi, nuk i mbyll sytë. Përkundrazi, ia ngul tjetrit, krijon me të lidhje, ndërton ura miqësie e solidariteti, në vend të mureve:

“Duket, kështu, fytyra e një Kishe pa kufij, që e ndjen veten Nënë e të gjithëve, që di të marrë për dore. Kishë që të ngre rishtas në këmbë, nuk të dënon. Jezusi të ngre, gjithnjë, gjithnjë! Gjithnjë ta shtrin dorën, gjithnjë përpiqet që ti të ecësh me këmbët tua, të shërohesh, të jesh i lum, të takosh Zotin”.

Ky është arti i shoqërimit, që i afrohet tjetrit me delikatesë, me ngrohtësi, me shikim respektues e plot mëshirë e, njëkohësisht, e shëron, e çliron, e inkurajon të fitojë pjekurinë e jetës së krishterë:

“E këtë bëjnë dy apostujt me të gjymtin: e shikojnë. I shtrijë dorën, e bëjnë të ngrihet dhe e shërojnë! E kështu bën edhe Jezusi me ne të gjithë. Ta mendojmë këtë kur kalojmë çaste të zeza, çaste mëkati, çaste trishtimi!  Jezusi është aty pranë e na thotë: ‘Shikomë, unë jam këtu!’. Ta shtrëngojmë dorën e Jezusit e ta lëmë të na ngrejë përsëri në këmbë”.

Pasuria jonë është Ungjilli

Pjetri e Gjoni - përfundoi Papa - na mësojnë të mos u besojmë mjeteve, që sigurisht janë të nevojshme, por pasurisë së vërtetë, që është lidhja me Zotin e ngjallur. Jemi të varfër, e megjithatë, kemi një pasuri të madhe: “Pasuria jonë është Ungjilli. Për ne Ungjilli është gjithçka. Është pushteti, që bën mrekulli, në emër të Jezusit”.

Së fundi, pyetja e Françeskut, drejtuar të gjithëve: “Cila është pasuria jonë? Thesari ynë? Me çka mund t’i bëjmë të pasur dhe të tjerët?”:

“Të mos e harrojmë: dora gjithnjë e shtrirë për të ndihmuar tjetrin, është dora e Jezusit që, përmes dorës sonë, i ndihmon të tjerët të ngrihen përsëri në këmbë!”.

07 gusht 2019, 13:12