Kërko

 Shtegtim, në prag të vizitës së Papës Françesku në Mozambik Shtegtim, në prag të vizitës së Papës Françesku në Mozambik 

Mozambik: një popull në pritje të Françeskut, shtegtar i paqes

Mozambiku së shpejti do ta përqafojë Papën Françesku i cili, më 4 shtatorin e ardhshëm do të jetë në Maputo. Intervistë me meshtarin, atë Jorge Augusto

R. SH. - Vatikan

Pas 11 ditësh Papa do të nisë një shtegtim të ri apostolik: do të shtegtojë drejt Mozambikut, ku do të jetë më 4 deri më 6 shtatorin e ardhshëm. Pas arritjes në aeroportin e Maputos dhe ceremonisë së mirëseardhjes, programi parashikon, më 5 shtator, disa takime. Takimet e para do të jenë vizita e mirësjelljes presidentit mozambikan, Filipe Nyusi dhe takimi me autoritetet, shoqërinë civile dhe trupin diplomatik. Më pas, takimi ndërfetar me të rinjtë dhe ai me ipeshkvijtë, priftërinjtë e rregulltarët, në katedralen e Zojës së Papërlyer, në Maputo.

Më 6 shtator, vizita në spitalin e Zimpetos dhe Mesha Shenjte do t’i paraprijnë nisjes me avionin papnor drejt Madagaskarit. Motoja e shtegtimit apostolik në Mozambik “Shpresë, paqe e pajtim!”, pasqyrohet  fuqimisht në historinë e vendit gjatë kohëve të fundit.

Lufta civile  e marrëveshja për paqe 1992 në Romë

Pas pavarësisë nga Portugalia, në vitin 1975, Mozambiku u trondit thellë nga drama e luftës civile. Konflikti, që zgjati 15 vjet, shkaktoi vdekjen e qindra mijëra njerëzve e më se 4 milionë të shpërngulur e refugjatë. Në vitin 1992, grupi rebel Renamo (Rezistenca kombëtare mozambikane), u shndërrua në parti politike. Më 4 tetor të vitit 1991 u nënshkrua, në Romë, një marrëveshje historike për paqen nga presidenti i asokohshëm i Mozambikut, Joaquim Chissano dhe lideri, që kryesonte Renamon, Afonso Dhlakama. Marrëveshja, që i dha fund 17 vjet lufte civile, ishte rezultat i një procesi të gjatë bisedimesh, me ndërmjetësimin e Bashkësisë së Shën Egjidit. Në vitin 1994 zgjedhjet e lira ishin hapi i parë i rëndësishëm  drejt procesit të normalizimit që, në vitet e mëpasme, solli edhe zhvillimin ekonomik e shoqëror.

Ndërprerja e paqes dhe e marrëveshjes së pajtimit

Ndërmjet viteve 2013 e 2016 paqja në Mozambik u ndërpre nga ndeshjet e armatosura ndërmjet ushtrisë dhe luftëtarëve të Renamo-s. Posaçërisht periudha e mëpasme e zgjedhjeve të vitit 2014, u karakterizua nga tensione  të forta, shoqëruar me episode dhune. Renamo i kundërshtoi rezultatet elektorale, duke shpallur fitoren në gjashtë provinca. Pas një procesi tejet të ndërlikuar u arrit, më 7 gushtin e kaluar, marrëveshja e pajtimit, që vendosi edhe rregullat për çmilitarizimin, çarmatimin dhe reintegrimin e luftëtarëve të Renamo-s. Në ceremoni merrte pjesë edhe një delegacion i Bashkësisë së Shën Egjidit, kryesuar nga imzot Matteo Zuppi, kryeipeshkëv i Bolonjës, i pranishëm edhe në ndërmjetësimin për arritjen e  paqes së 1992-t. Gjatë ceremonisë së 7 gushtit të kaluar, presidenti i Mozambikut, Filipe Nyusi dhe lideri i Renamos, Ossufo Momade, siguruan pohimin e dy palëve për të marrë pjesë, në mënyrë paqësore, në zgjedhjet presidenciale parlamentare dhe provinciale të 15 tetorit të ardhshëm.

Vend me mundësi të mëdha

Në këndvështrimin ekonomik, Mozambiku, i banuar nga rreth 30 milionë banorë, është një nga vendet më të varfëra të botës. Me një sipërfaqe  dy herë e gjysëm më të madhe se Italia, vendi e ndjeu fort krizën ekonomike të kohëve të fundit. Posaçërisht zbulimi, më 2016, i borxheve që qeveria ua kishte fshehur instituteve të kreditit ndërkombëtar (më se dy miliardë dollarë), solli si pasojë ndërprerjen e financimeve ndërkombëtare dhe  inflacionin e ndjeshëm. Ekonomia e vendit bazohet kryesisht mbi bujqësinë, ndërsa në zonat fshatare vetëm 15% e popullsisë mund të shfrytëzojë elektricitetin. Pavarësisht nga kjo skenë, që lë shumë për të dëshiruar, vendit nuk i mungojnë mundësitë e mëdha! Ish-kolonia portugeze ka një pasuri të pallogaritsme energjitike, është e pasur me burime natyrore, ndërmjet të cilave, qymyri, titani dhe gurët e çmuar. Këtyre pasurive iu shtua, më 2011, zbulimi i shtresave tejet të mëdha të gazit natyror. Për ta shfrytëzuar gjithë këtë potencial, duhen investime të mëdha që, sipas disa specialistëve, mund ta bëjnë Shtetin afrikan, në vitin 2015, furnizuesin e dytë botëror të gazit natyror të lëngshëm (Gnl). Me këto perspektiva, prodhimi brut për frymë në vend, që sot nuk i kalon 15 miliardët, duhet të rritet ndjeshëm. E, sidomos, nëse shërohen plagët e korrupsionit  e të varfërisë, mund të bëhet një nga shtetet protagosnite  të rilindjes së mundshme ekonomike të Afrikës.

Luftimet në veri e ciklonet

Pas zbulimit të fundit të shtresave të gazit natyror në veri të vendit,  lindën kërcënime të reja për Mozambikun. Në zonën veriore të Cabo Delgado, muajt e fundit rifilloi dhuna, e ushqyer nga ndeshjet dhe luftimet. Sipas disa burimeve, fajtorë për këtë situatë janë luftëtarët islamistë radikalë të grupit Shebabs, ardhur edhe nga vende të tjera. Ndërmjet plagëve, që ndjehen fort në Mozambik, është edhe përqindja tepër e lartë e analfabetizmit, Sida e vartësia nga droga. Nuk mund të mos përmendim edhe dëmet e rënda, të shkaktuara në vend nga cikloni Idai(13 mars) e Kenneth(24 prill), me pasojë 600 viktima dhe shkatërrimin e qindra-mijëra hektarëve të tokës së kultivuar. E më pas, edhe emergjencën e madhe shëndetësore, me më se 73 mijë të shpërngulur.

Kisha në Mozambik

Kisha katolike në Mozambik numëron më se 6 milionë të pagëzuar, 28% e popullsisë. Posaçërisht në zonat fshatare, pjesa kryesore e popullsisë vijon të ndjekë kultet tradicionale afrikane. Gati një e pesta, është e fesë islamike. Myslimanët jetojnë sidomos në pjesën veriore e bregdetare të vendit. Të krishterët janë më të shumtë në jug e në qytete. Konferenca ipeshkvnore e Mozambikut (Cem), përfshin prelatët e tri kryedioqezave metropolitane dhe të dhjetë dioqezave sufragane. Bën pjesë në Secam (Simpoziumi i Konferencave Episkopale të Afrikës e të Madagaskarit), si dhe në Imbisa (Asambleja ndërzonale e Afrikës së Jugut). Aktualisht kryesohet nga imzot Lucio Andrice Muandula, ipeshkëv i Xai-Xai. Historia e Kishës në këtë vend, ishte në qendër të një takimi mbajtur  dje në Maputo, në sallën e Konferencave të Tdm (Telekomunikimeve të Mozambikut).  U fol për fatkeqësitë e panumërta, që e goditën  e vijojnë ta godasin shtetin afrikan: varfëria e pabarazitë shoqërore, korrupsioni shumë i përhapur, kriminaliteti, trafiku i drogës, shfrytëzimi i punës së krahut, trafiku i njerëzve dhe prirjet separatiste.

Në pritje të Françeskut

Popullsia e Mozambikut e pret me gëzim të madh arritjen e Papës Françesku. Fjalët shpresë, paqe, pajtim, përveçse duken në moton  e vizitës së Papës, e shoqërojnë  pritjen e një vendi të tërë që,  gjatë këtyre ditëve të pritjes, duket sikur i ka harruar problemet e panumërta, për të shikuar plot shpresë drejt së ardhmes! Këtë thekson në Vatikan News atë Jorge Augusto, drejtues i Komisionit për Komunikimin pranë Konferencës ipeshkvnore të Mozambikut:

“Në Mozambik Kisha është shumë aktive, shumë e impenjuar e duket qartë se njerëzit frymëzohen thellë nga feja. Bëjnë përpjekje për të ecur pavarësisht nga vështirësitë e vendit tonë. Janë vështirësi natyrore, si ciklonet, por edhe politike. Po njerëzit mbeten të patundur në fe, gjë që i ndihmon të ecin përpara”.

Përgatitja e Kishës për arritjen e Papës?

“Është çast gëzimi të madh për popullin mozambikan. Vizita e fundit e një Pape në këto troje, ishte ajo e Gjon Palit II, 30 vjet më parë. Tani, pas 30 vjetësh, njerëzit kanë shumë dëshirë ta shikojnë përsëri Papën në vendin e tyre! Është burim i një gëzimi të madh, pra!”.

23 gusht 2019, 14:36