1565359924660.jpg

Papa lutet për Indinë e dërrmuar nga pasojat e shirave

Më se 170 të vdekur dhe gati një milion të zhvendosur, për shkak të shirave të rrëmbyeshëm, sjellë në Indi nga monsonet, që po vijojnë prej një jave në jug-perëndim të vendit.

R.SH. - Vatikan

“Me trishtim të thellë”, Papa Françesku bashkohet me dhimbjen e viktimave dhe të gjithë atyre, që kanë mbetur pa shtëpi e pa mjetet më elementare të jetesës në Indi, për shkak të monsoneve të ditëve të fundit, që kanë goditur shtetet e Kerala-s, Karnataka-s, Maharashtra-s dhe Gujarat-it. Me një mesazh, nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, Papa “u bën ngushëllimet më të ndiera të afërmve të të vdekurve dhe të të plagosurve. Lutet për ata, që po japin ndihmën e parë, ndërsa i kërkon Zotit bekime hyjnore për gjithë kombin e dhuratën e forcës dhe të vendosmërisë” në përballimin e kësaj gjendjeje.

         Situata në vendet e jugperëndimit indian keqësohet nga ora në orë. Sipas njoftimeve të fundit të Agjencisë Fides, numri i viktimave ka arritur në 178, ndërsa të shpërngulurit e kanë kaluar një milionëshin. Ipeshkvi i Belgaum dhe administratori apostolik i Karuarit (në Karnataka), imzot Derek Fernandes, deklaron për AsiaNews se ka mundur të vizitojë vetëm disa kampe për të zhvendosurit në zonën Chikodi, pasi zonat e tjera janë të paarritshme.

         Veçanërisht e rëndë, gjendja në Kerala, ku regjistrohet rreth gjysma e viktimave. Qeveria i ka dhënë urdhër ushtrisë të formojë njësi për ndërhyrjen e shpejtë dhe të hedhë ushqime me parashutë në zonat e izoluara. Edhe organizatat e Kishës Katolike janë në vijën e parë të frontit për të ndihmuar popullsinë, nënvizon imzot Fernandes.

         Fatkeqësisht, sqaron ipeshkvi, shkatërrimet në territor “nuk varen vetëm nga shirat, por, sidomos, nga përmbytja e digave”, ku uji e ka kapërcyer shpesh pikën më të lartë, për shkak të hapjes së rezervuarëve në Maharashtra. “Gjendja është vërtet dramatike”, përfundon imzot Fernandes.

12 gusht 2019, 16:28