2019.08.23 Dita e Kujtimit të trafikut të skllevërve 2019.08.23 Dita e Kujtimit të trafikut të skllevërve 

Papa: jemi të krijuar në shëmbëllim me Zotin, ta ndalojmë skllavërinë

Tweet i Papës Bergoglio sot në Ditën e Kujtimit të trafikut të skllevërve dhe të heqjes dorë prej tij. "Të gjithë jemi të krijuar sipas shëmbëllimit e ngjashmërisë me Zotin dhe kemi të njëjtin dinjitet. Ta ndalojmë skllavërinë! #IDRSTA".

R.SH. - Vatikan

"Të gjithë jemi të krijuar sipas shëmbëllimit e ngjashmërisë me Zotin dhe kemi të njëjtin dinjitet. Ta ndalojmë skllavërinë! #IDRSTA". Kështu pohon sot Papa Françesku në një tweet, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Kujtimit të trafikut të skllevërve dhe të heqjes dorë prej tij, për të cilën Papa shton hashtag-un përkatës.

Kjo datë është e rëndësishme për debatin dhe reflektimin mbi format moderne të skllavërisë. Me krijimin e rrugëve të reja të emigracionit, skllavëria, mjerisht, vazhdon të jetë e pranishme në shoqërinë e sotme, duke marrë forma nga më të ndryshmet, që nga shfrytëzimi seksual tek ai i krahut të punës.

Në një tweet të 23 gushtit 2016, Papa Françesku duke përmendur pikërisht këtë Ditë, pati pohuar “Trafiku i qenieve njerëzore, i organeve, puna e detyruar, prostitucioni, janë skllavëri moderne dhe krime kundër njerëzimit”.

Në Ditën kundër trafikut dhe skllavërive të reja si dhe të zhdukjes së tyre, Papa Françesku u kundërvihet, përmes një tweet-i, fenomeneve dhe të gjitha pasojave të tyre të tmerrshme, dënuar shumë herë, që nga fillimi i papnisë. Sot kremtohet, në saje të nismës së OKB-së, Dita Ndërkombëtare kundër trafikut të qenieve njerëzore dhe formave të reja të skllavërisë.

Krime kundër njerëzimit!

Nuk mund ta quajë ndryshe Françesku, fenomenin e turpshëm, që ushqen tregun me mish njeriu, pa marrë parasysh moshë as vend, e që buron vetëm e vetëm nga etja për fitime. E ky, më shumë se dënim, është kushtrim. Kushtrim, që Papa e lëshon për të satën herë, ashtu si e lëshoi edhe të “Premten e kaluar të Mëshirës”, duke përqafuar disa viktima të trafikut e duke e quajtur fenomenin: “Plagë në korpin e njerëzimit  bashkëkohor e plagë në korpin e Krishtit”.

Krime për t’u dënuar

Qershorin e vitit 2016, duke marrë fjalën në takimin mbi këtë temë, organizuar në Vatikan, Papa Françesku u qe drejtuar gjykatësve të pranishëm duke u kujtuar se drejtësia duhet të ndjekë rrugën e vet, e lirë nga çdo presion, që mund ta kushtëzojë, që skllavëritë e reja të ndiqen si krime tejet të rënda e të shëmtuara, siç edhe janë.

Ndërgjegjja, kundër indiferencës

Edhe Kisha, pati pohuar Papa, duhet të merret me “politikën e madhe”, atë, “që ka të bëjë me temat e mëdha të njerëzimit”, e të japë ndihmesën e vet për krijimin në shoqëri të një motoje të tërthortë, të valëzuar, nga periferitë, në qendër e anasjelltas, që i shkund ndërgjegjet, viktima edhe ato, të këtij “globalizimi të indiferencës”, që nuk të bën më as të indinjohesh e as të prekesh para tmerrit të heshtur të një vajze të vogël, e cila detyrohet të shitet ose të një foshnje, që përdoret si “rezervuar” organesh, për t’u blerë nga ai, që paguan më shumë! 

Prandaj, para këtij fenomeni, strategjitë e luftës në nivel kombëtar, nuk mjaftojnë më. Ndihet, kështu, gjithnjë më tepër kërkesa për koordinim rajonal, së paku për sa i përket Evropës. Rrugët e trafiqeve dihen e njihen edhe nga agjencitë, që nxisin këtë tregti të turpshme. Shpesh, mungon legjislacioni, si për parandalimin, ashtu edhe për luftën e këtyre krimeve, legjislacion, që duhet t’i përgjigjet karakterit ndërkombëtar të fenomenit. Për këtë, Kisha katolike është e impenjuar në linje të parë në luftim e asgjësimin e këtij fenomeni.

23 gusht 2019, 16:16