Papa: guximi i Edith Stein, qortim kundër çdo zvetënimi ideologjik
R. SH. - Vatikan
“I ftoj të gjithë të shikojnë qëndrimin e saj guximtar, shprehur në kthesën e e vërtetë në rrugën e Krishtit, ashtu si dhe në jetën e saj, që iu kundërvu çdo forme të intolerancës e të çoroditjes ideologjike”.
Hebreje, e kthyer në krishterim, viktimë e Shoah
Kështu e nderoi Papa figurën e Edith Stein, filozofe, mistike gjermane, e lindur në Breslavë, më 1891, në një familje hebrejsh, e kthyer në katolicizëm pas një periudhe ateizmi. U pagëzua 30 vjeçe dhe hyri në manastirin karmelitan të Këlnit, më 1934, duke ndërruar emrin. Mbeti kështu, në kujtesën e Kishës e të mbarë njerëzimit, me emrin Tereza Benedikta e Kryqit. Sepse u “kryqëzua” si Krishti, në kampin nazist të përqendrimit, në Auschvitz, ku i mbaroi ditët në një nga dhomat me gaz, më 9 gusht 1942, së bashku me të motrën, Roza, edhe ajo e kthyer në fenë e krishterë e terciare karmelitane.
Është Shenjtore, bashkëpajtore e Evropës, një nga katër Terezat e mëdha, që Kisha katolike i dhuroi njerëzimit: Shën Tereza e Avilës, Shën Tereza e Krishtit Fëmijë, Shën Tereza e Kryqit dhe Shën Tereza shqiptare e Kalkutës!