Papa Françesku: Parrizi nuk është shteg për pak njerëz, por as autostradë

Para se të kremtonte lutjen e Engjëllit të Tënzot, Papa reflektoi mbi fragmentin e sotëm, shkëputur nga Ungjilli i Lukës, në të cilin tregohet sesi Jezusi shtegtonte fshat më fshat e qytet më qytet, “nësa drejtohej drejt Jeruzalemit, ku e priste vdekja në kryq, për shpëtimin e gjithë njerëzve”.

R. SH. - Vatikan

Parajsa nuk është vend, ku mund të hyjë vetëm një numër i caktuar njerëzish, por, për të shkelur në të një ditë, duhet përshkuar që tani shtegu i drejtë, ku mund të ecin të gjithë. Veç, pa harruar se është i ngushtë!”. Këtë theksoi Papa para lutjes së Engjëllit të Tënzot. Duke komentuar fragmentin e Ungjillit sipas Lukës (Lk 13,22-30), Françesku sqaroi se udha për në jetën e pasosur nuk është “autostradë e bukur”, që përfundon me një portë të madhe, të hapur në dy kapakë. Shtegu është i ngushtë! Për të shpëtuar, duhet ta duam Zotin e të afërmin. E kjo shpesh nuk na shkon fort për shtat:

“Është portë e ngushtë, sepse kërkuese. Dashuria është gjithnjë shumë kërkuese, kërkon angazhim, madje ‘përpjekje’, domethënë, vullnet të patundur për të jetuar sipas Ungjillit. Shën Pali e quan  ‘lufta e mirë e fesë’. Kërkon përpjekje të përditshme, kërkon dashuri të përhershme për Zotin e të afërmin”.

Të luftojmë kundër çdo të keqeje e padrejtësie

Në Ungjill, njëri e pyet Jezusin: “Zot, a janë pak, apo shumë, ata që shpëtojnë?”. E i Biri i Zotit, duke iu përgjigjur, e kthen pyetjen përmbys. I jep një gjegje, që lidhet me përgjegjësinë e secilit, duke e ftuar ta përdorë mirë kohën e tanishme: “Përpiquni të hyni nga porta e ngushtë, sepse shumë, po ju them, do të përpiqen të hyjnë, por nuk do të munden”- thotë Zoti! E, për të qenë edhe më i qartë, përdor një shëmbëlltyrë. Në qendër të saj është një shtëpi, që simbolizon jetën e pasosur, e edhe pronari, Zoti. Kur ky i fundit do ta mbyllë portën, ata që do të mbeten jashtë, nuk do të mund të hyjnë kurrë më, sepse “punëtorë të padrejtësisë”. E Ati Qiellor nuk i njeh “të padrejtët”. Ashtu si nuk njeh as tituj, as grada, as dekorata! Zoti nuk do të na pranojë për titujt tonë  - ngulmoi Papa Françesku - por për jetën e kaluar me frymën e një feje, që shndërrohet në vepër:

“Për ne, të krishterët, kjo do të thotë se jemi të thirrur të krijojmë  lidhje të vërtetë me Jezusin, duke u lutur, duke shkuar në Kishë, duke marrë sakramentet e duke u ushqyer me Fjalën e Tij. Kjo na forcon fenë, na ushqen shpresën e na gjallëron mëshirën. E kështu, me hirin e Zotit, mund e duhet ta shkrijmë gjithë jetën tonë për të mirën e vëllezërve, duke luftuar kundër çdo forme të së keqes e të padrejtësisë”.

Maria Porta e Qiellit

Edhe një herë Papa i ftoi të gjithë të ndjekin shembullin e Virgjërës Mari “e cila kaloi përmes portës së ngushtë”, që është Jezusi:

“E priti me gjithë zemër dhe e ndoqi pas çdo ditë të jetës së saj, edhe kur nuk kuptonte, edhe kur shpata e shporonte zemrën e saj. Prandaj e quajmë ‘Porta e qiellit’: Maria, Porta e qiellit: një portë, që ka pikërisht formën e Jezusit: portë e zemrës së Zotit, zemër kërkuese, por edhe e hapur për ne të gjithë”.

Seminaristët të jenë gjithnjë besnikë  ndaj Krishtit

Në përshëndetjet, pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa kujtoi bashkësinë e Kolegjit Papnor  të  Amerikës Veriore, posaçërisht seminaristët e rinj:

“Të dashur seminaristë, ju nxis për angazhim shpirtëror dhe besnikëri ndaj Krishtit, Ungjillit e Magjisterit të Kishës. Pa ndërtuar mbi këto shtylla, do të jetë e pamundur ta themeloni me të vërtetë thirrjen tuaj”.

25 gusht 2019, 15:55