Kërko

Françesku me Ahmad al-Tayyib Françesku me Ahmad al-Tayyib  

Papa Françesku: një oqean me të mira të fshehura, të bën të shpresosh në një botë me paqe

Në një deklaratë, drejtori i Sallës vatikanase të Shtypit, Matteo Bruni shpreh kënaqësinë e Papës lidhur me lindjen e Komitetit të lartë për realizimin e objektivave të Dokumentit për Vëllazërinë Njerëzore, për paqen dhe bashkëjetesën në botë.

R. SH. - Vatikan

“Edhe pse, për fat të keq, janë shpesh e shëmtuara, urrejtja e përçarja në plan të parë të lajmeve, është edhe një oqean i fshehur mirësie, që rritet, gufon e të bën të shpresosh në dialogun, në njohjen reciproke, në mundësinë për të ndërtuar, së bashku me besimtarët e feve të tjera e me të gjitha gratë e burrat vullnetmirë, një botë të re, me vëllazërim e paqe”.

Drejtori i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Matteo Bruni, në një deklaratë, kujton gëzimin e Papës Françesku për krijimin, kohëve të fundit, të Komitetit të Lartë për arritjen e objektivave, që përmbahen në Dokumentin mbi Vëllazërimin Njerëzor, paqen dhe bashkëjetesën botërore. Dokumenti u nënshkrua shkurtin e kaluar nga Papa dhe Imami i Madh i Al-Azhar, Ahmad Al-Tayyib, gjatë shtegtimit apostolik të Papës Bergoglio në Emiratet Arabe.

“Ati i Shenjtë - lexohet akoma në notën e drejtorit  të Sallës vatikanase të  Shtypit - inkurajon punën e Komitetit për përhapjen e Dokumentit, falënderon Emiratet e Bashkuara Arabe për angazhimin konkret në favor  të vëllazërimit njerëzor dhe uron që nisma të ngjashme të shumëfishohen kudo në botë”.

Këto ditë edhe Imami i Madh i Al-Azhar shprehu kënaqësinë për nismën, që synon promovimin e bashkëjetesës ndërmjet popujve.

26 gusht 2019, 15:57