Kërko

Vatican News

Papa Françesku: mjaft me të krishterë hipokritë, pendimi i vërtetë nis nga xhepat

Në audiencën e përgjithshme, mbajtur në Sallën Pali VI, Papa vijoi katekizmin kushtuar Veprave të Apostujve, duke u ndaluar sot tek tema: “Bashkimi i gjithanshëm, në bashkësinë e besimtarëve”.

R. SH. - Vatikan

“Pendimi i mirëfilltë” nis nga ”xhepat”: zemra, që preket me të vërtetë nga Zoti, është bujare me të tjerët, i ndihmon më të ligshtit. Ky ishte  reflektimi kryesor i Papës, gjatë audiencës së sotme të përgjithme, mbajtur në Sallën e Palit VI, në Vatikan. Duke e lënë mënjanë tekstin zyrtar, gjatë audiencës kushtuar Veprave të Apostujve, Papa theksoi se  pendesa e vërtetë nuk mjaftohet vetëm me fjalë! Në bazë të jetës së Kishës është dinamizmi i solidaritetit. Ky dinamizëm e ndërton Kishën, e bën familje të Zotit. Familje, që ka në qendër koinoninë, domethënë  “gjithçka të përbashkët” e, sidomos, “jetën në bashkësi, jo në vetmi, në izolim”. Duke menduar për bashkësitë e para të krishtera, Papa Bergoglio kujtoi se ky model i ndarjes së përbashkët mbetet aktual deri në ditët tona, për të na ndihmuar të jemi bujarë e jo cingunë:

“Kisha e praktikoi gjithnjë këtë gjest të të krishterëve, që zhvisheshin nga  gjërat e tepërta, nga sendet e panevojshme, për t’ua dhënë nevojtarëve. E jepnin jo vetëm para. Por edhe kohë! Sa e sa të krishterë - ju, për shembull, këtu, në Itali - sa e sa të krishterë, pra, bëjnë punë vullnetare. E kjo është shumë e bukur! Është bashkim! Ta vësh kohën në shërbim të të tjerëve, për t’i ndihmuar ata, që kanë nevojë. Me vullnetariat, vepra mëshire, vizita tek të sëmurët…. Duke ndarë gjithnjë e gjithçka me të tjerët, pa qenë përherë në kërkim të interesit tënd”.

Dashuria e vërtetë është konkrete

Të jemi, prandaj, gjymtyrë të Korpit të Krishtit, t’i bëjmë besimtarët përgjegjës për njëri-tjetrin”. “Të fortët të mbështesin të ligshtit” e “askush të mos e provojë skamin, që e shpërfytyron dinjitetin e njeriut”. Si në bashkësinë e parë të krishterë , ku…:

“…jetohej me e për dashuri. Po jo dashuri me fjalë, jo dashuri e shtirë, hipokrite: dashuri me vepra, ndihmë për njeri-tjetrin, dashuri konkrete: konkretësi dashurie”.

Më pas Papa kujtoi se Shpirti i dhembshurisë së Zotit fiton mbi çdo hipokriz:

“Shpirti i Zotit vë në lëvizje atë të vërtetë, që ushqen solidaritetin e krishterë i cili, shumë larg nga asistenca shoqërore, është shprehje e pashmangshme e natyrës së Kishës, nënë e dhembshur për të gjithë, posaçërisht për më të varfërit”.

Të krishterët nuk duhet të jenë turistë katakombesh

Gjatë katekizmit, Papa Françesku kujtoi shembullin pozitiv të Barnabës,  që shet arën, për t’ua dorëzuar fitimin Apostujve, por edhe atë, “mjerisht negativ”, të Ananisë dhe gruas së tij, Saffirës që, si e shesin tokën, vendosin t’i dorëzojnë vetëm një pjesë të parave Apostujve, duke e mbajtur pjesën tjetër për vete. Kjo dredhi e këput zinxhirin e ndarjes së përbashkët, pa kurrfarë interesi, me pasoja tragjike:

“Kush sillet kështu, kalon pranë Kishës si turist. Sepse ka shumë kësisoj turistësh në Kishë,  njerëz në kalim, por që nuk hyjnë kurrë në Kishë. E ky është turizëm shpirtëror, që i bën këto njerëz të besojnë se janë të krishterë, ndërsa në të vërtetë janë thjesht turistë katakombesh(…). Jeta e njeriut, që synon vetëm të përfitojë nga situata, në dëm të të tjerëve, shkakton pashmangshmërisht vdekjen shpirtërore. E sa e sa njerëz pohojnë se janë pranë Kishës, miq të priftërinjve, ipeshkvijve, ndërsa u furen vetëm për interesin e vet! Këto sjellje hipokrite, që e shkatërrojnë Kishën”.

Të lutemi për atë që vuan

Takimi i së mërkurës u gjallërua nga prania e një vajze të vogël, të prekur nga një sëmundje, që shëtiti në tremen e Sallës, duke trokitur duart. Papa e kujtoi gjatë përshëndetjeve në gjuhën italiane:

“Po ju pyes për një gjë, po secili të përgjigjet në zemër të vet: ‘A u luta për të, duke e parë? A e luta Zotin ta shërojë, ta ruajë ? A u luta për prindërit e saj, për familjen?’. Gjithnjë, kur shikojmë dikënd, që vuan, duhet të lutemi. Uroj që kjo ngjarje të na ndihmojë t’ia bëjmë vetes këtë pyetje: ‘A u luta për këtë njeri, i cili duket sheshit se vuan?’”.

21 gusht 2019, 13:30