Kërko

Vatican News

Papa Françesku: Krijimi është projekt i dashurisë së Zotit

Në muajin shtator, Papa kërkon lutje për mbrojtjen e deteve e të oqeaneve, “shumë prej të cilëve kërcënohen nga shkaqe të ndryshme”.

R. SH. - Vatikan

“Të lutemi, në këtë muaj, që politikanët, shkencëtarët dhe ekonomistët të punojnë së bashku për mbrojtjen e deteve dhe të oqeaneve!”. Kjo, thirrja e Papës në video-mesazhin për ndjetin e lutjes të muajit shtator. Françesku kujton se “Krijimi është projekt i dashurisë së Zotit për njerëzimin” e se sot oqeanet, që përmbajnë “pjesën më të madhe të ujit të planetit e edhe shumicën e varieteteve të qenieve të gjalla, po kërcënohen nga një mori rreziqesh”. “Solidariteti ynë me ‘shtëpinë e përbashkët’ - ngulmon - lind nga feja jonë”.

Vëmendja e vazhdueshme e Papës për ambientin

Atë Frédéric Fornos, drejtor ndërkombëtar i rrjetit botëror të lutjes së Papës, që përfshin edhe Lëvizjen eukaristike rinore, kujton se vitin e kaluar Papa Bergoglio u ndalua posaçërisht tek “çështja e ujit”, me vëmendje të posaçme kushtuar deteve dhe oqeaneve, mbrojtja e të cilëve  “duhet shikuar si përgjegjësi e pashmangshme”. “Nuk mund të lejojmë që detet dhe oqeanet - lexohet në Mesazhin Papnor - të mbushen  me  fundërri plastike pluskuese. Edhe për këtë emergjencë jemi të thirrur të angazhohemi, me mendësi aktive, duke u lutur, si të varej gjithçka nga Provania hyjnore, por edhe duke vepruar, si të varej gjithçka vetëm nga ne!”.

Mushkëria blu e botës

Video-mesazhi i Papës Françesku për shtatorin, përballon sfidën e rëndë të mbrojtjes së oqeaneve. Kujtojmë se Fitoplanktoni oqeanik, apo tërësia e të gjitha organizmave ujore e bimore, që bëjnë pjesë në oqeane, prodhon gjysmën e oksigjenit të Planetit. E edhe se edicioni i këtij muaji është bashkë-prodhim i Yann Arthus-Bertrand dhe i skuadrës së tij Hop Production, agjencia La Machi-Comunicazione per le  buone cause(La Maki - Komunikim për punët e mira) e Vatican Media. Ky kontribut, veç të tjerash, realizohet edhe në kuadrin e kremtimit ekumenik  të “Kohës së Krijimit”.

Detit po i merret fryma nga plastika

Çdo vit, më se 8 milionë tonelata lënde plastike hidhen në ujin e oqeaneve, duke shkaktuar, ndërmjet tjerash, zhdukjen e 100.000 specieve. Ndotja e detit nga plastika përbën një problem global, që nuk njeh kufij e kërkon përgjegjësi të përbashkët dhe përpjekje të njëzëshme! Në “Objektivat për zhvillimin e qëndrueshëm” të Kombeve të Bashkuara përfshihen edhe objektiva të ndryshme për t’iu kundërvënë kësaj situate, me vetëdijen se oqeanet furnizojnë burime natyrore themelore, si ushqim, biokarburante e prodhime të tjera; kontribuojnë edhe për dekompozimin molekular si dhe zhdukjen e hedhurinave e të ndotjes; ndërsa ekosistemet e tyre veprojnë si amortizatorë për të kufizuar dëmet e shkaktuara nga stuhitë.

31 gusht 2019, 12:27