Një vit më parë, në Irlandë, Takimi i Familjeve

Më 25 gusht 2018 Papa Françesku ishte në Irlandë, me rastin e Takimit IX botëror të familjeve, me temë: “Ungjilli i familjes, gëzim për botën!”. Tani pritet viti 2021!

R. SH. - Vatikan

“Prindër e gjyshër, fëmijë e të rinj, burra e gra, fretër e murgesha, kundrues e misionarë, diakonë, meshtarë e ipeshkvij, mund ta ndani bashkërisht Ungjillin e familjes, si gëzim për botën” – Me këtë thirrje Papa Françesku, në Meshën e kremtuar në Phoenix Park të Dublinit, përballë 300 mijë vetëve, e përfundonte, vitin e kaluar, Takimin IX botëror të familjeve, që nisi më 21 gusht në të gjitha dioqezat e Irlandës, me praninë e familjeve të më se 116 vendeve.

Ngjarje e jashtëzakonshme, shumë e pasur me nisma, që kontribuoi për ta zgjuar Irlandën e për t’i inkurajuar të gjitha familjet të jenë tharm i tokës, ilaç kundër çdo errësire të mendjes e zvetënimi të kulturës, dëshmi e gjallë për të përballuar sfidat e shumta të kohëve tona, duke pasur si busull Nxitjen Apostolike “Amoris Laetitia”.

Pa ju - pati thënë Françesku gjatë fjalimit mbajtur në Croke Park Stadium të Dublinit, gjatë festës botërore të familjeve – “Kisha do të kishte veç shtatore dhe njerëz të vetmuar! Po Zoti dëshiron që çdo familje të jetë fanar e ta rrezatojë gëzimin e dashurisë së vet mbi botën”. Papa pati ngulmuar mbi thirrjen për dashuri e shenjtëri si dhe mbi bukurinë e pandashmërinë e martesës së krishterë, duke propozuar një recetë të pagabueshme, me tri fjalë: “Ju lutem; faleminderit; më fal”, për t’i kapërcyer grindjet e për të krijuar atë paqe të vërtetë, që mund t’i pushtojë, më pas, të gjitha mjediset e jetës shoqërore, fetare, politike.

“A vijon familja të jetë lajm i mirë për botën e sotme?”. Këtë pyetje u pati drejtuar Françesku prindërve, fëmijëve e gjyshërve që, nga mbarë bota, u mblodhën rreth Tij, në Dublin, nga 21 deri më 26 gushti 2018, me rastin e Takimit IX Botëror të Familjeve.  “Unë jam i sigurt se po – u përgjigj, duke kujtuar thirrjen e marsit 2017, përmes së cilës i pati ftuar familjet të merrnin pjesë në ngjarjen e madhe - sepse e gjithë kjo bazohet fuqimisht mbi planin  e Zotit”.  

Traditë, që vijon, e flet edhe me gjuhën e shifrave

Për ta pritur Papën në Croke Park, për Festivalin e familjes, të shtunën, më 25, qenë mbledhur më se 60 mijë vetë, ndërsa 600.000 ishin  të pranishëm, të diel, në kremtimin e Eukaristisë. E gjithë kjo turmë tregonte se Tradita e Takimeve botërore të familjeve, përuruar më 1994 nga Gjon Pali II, tashmë është bërë e domosdoshme. Suksesin e këtij takimi e dëshmon edhe pjesëmarrja gjithnjë më e madhe në rrjedhë vitesh, si dhe jehona e jashtëzakonshme në opinionin publik. Sytë e botës ngulen mbi familjet, ngado që takohen: nga Sheshi i Shën Pjetrit, në Rio de Zhanejro; nga Manila, në Qytetin e Meksikos; nga Valencia (Spanjë), në Milano (Itali) e në Filadelfia (SHBA).

E kur i erdhi radha Irlandës, nuk munguan të gjitha përpjekjet e mundshme për t’i bërë të paharrueshme ato pesë ditë, kur të gjitha familjet e botës, përmes përfaqësuesve të tyre u takuan, shkëmbyen përvojën, reflektuan, u përforcuan në fe, në rrethana të jashtëzakonshme, në të cilat ndjehej frymëmarrja e botës së madhe, që nuk bën dot pa familjen!

Rast për të parë forcën, por edhe ligështitë

Rast i përshtatshëm, ky, për të parë me sy optimist forcën e familjes, por jo më pak edhe me sy kritik, ligëshitë, për t’i dhënë, kështu, një shtytje të re zhvillimit të aftësive të shumënumërta të saj, që shpesh i kapërcejnë kufijtë familjarë, duke u bërë burim pasurie për gjithë shoqërinë

Familja, gëzim për botën

 Të bën përshtypje, kur shikon një burrë e një grua të cilët, të shtyrë nga dashuria për njëri-tjetrën, lidhin besën, që bën nga dy vetë, një të vetëm, gati për  të krijuar jetë të re e për t’u kujdesur për lulëzimin e saj. Është lajm i mirë, që nuk zbehet kurrë, lajm i jashtëzakonshëm gjithnjë, që të mbush me shpresën se në botë familjet do të vijojnë të shtohen e të shumohen e do të jenë gjithnjë më shumë të lumtura, në një shoqëri përherë më pozitive e mikpritëse!

Dublini e “Amoris Latetia”

Shansi i Takimit së Dublinit ishte se mblidhej jo shumë kohë pas botimit të “Amoris Laetitia” (2016), nxitje apostolike e Papës Françesku, që përmbledh përfundimet e punës së dy Sinodeve, kushtuar pikërisht familjes (2014-2015).

Leit-motivi i Takimit të madh

Gëzimi i dashurisë familjare ishte leit-motiv i gjithë ngjarjes, pa i fshehur vështirësitë dhe vuajtjet, që nuk mungojnë kurrë në jetën e çifteve. Prej këndej, nuk u fol vetëm për familje të përsosura, të cilat nuk ekzistojnë, por për njerëz të gjallë, realë, që mësojnë t’i kapërcejnë ligështitë e tyre duke bërë rrjet me të tjerat e, sidomos, duke u mbështetur në hirin e Hyjit, burim i çdo dashurie!

25 gusht 2019, 13:13