Papa Françesku dhe kardinali Achille Silvestrini Papa Françesku dhe kardinali Achille Silvestrini  

Ngushëllimet e Papës Françesku për vdekjen e kardinalit Silvestrini

Në një telegram, Papa Françesku shpreh dhimbjen e tij për vdekjen e kardinalit Achelle Silvestrini, "diplomat i aftë dhe i urtë, bari besnik ndaj Ungjillit dhe Kishës".

R.SH. - Vatikan

Pasi mori vesh lajmin e vdekjes së kardinalit Achille Silvestrini, ish-prefektit të Kongregatës për Kishat Lindore, që ndërroi jetë sot, Papa Françesku u shkruan një telegram ngushëllimi zonjave Maria Luisa e Angela Silvestrini, të afërme të kardinalit:

         “Mësova lajmin për vdekjen e kardinalit Achille Silvestrini dhe dëshiroj t’u shpreh ngushëllimet e mia familjarëve, atyre që e njohën dhe e vlerësuan, si dhe bashkësisë dioqezane të Faenza-Modigliana, që e konsideron ndër bijtë e saj më të shquar. Kujtoj me mirënjohje bashkëpunimin e tij me Selinë e Shenjtë, për shumë dekada, në shërbim të shtatë papëve: fillimisht në Sekretarinë e Shtetit, më pas si prefekt i Gjykatës së Lartë të Senjaturës apostolike dhe, së fundi, si prefekt i Kongregatës për Kishat Lindore. Ai lë pas kujtimin e një jete të kaluar sipas thirrjes së tij meshtarake, duke i kushtuar vëmendje nevojave të të tjerëve. Ishte diplomat i aftë dhe i urtë, bari besnik ndaj Ungjillit dhe Kishës. Lartoj lutje për shpirtin e tij që Zoti ta pranojë në gëzimin e në paqen e amshuar. U jap bekimin ngushëllues apostolik atyre, që ndiejnë dhimbje për vdekjen e tij”.

29 gusht 2019, 19:23