Cerca

Vatican News
Engjëlli i Tënzot në Sheshin e Shën Pjetrit, Vatikan Engjëlli i Tënzot në Sheshin e Shën Pjetrit, Vatikan  (AFP or licensors)

Nga veprimtaria e Papës dhe e Kishës nëpër botë

’T’i shërbesh të afërmit do të thotë të jetosh sipas Ungjillit’, kështu tha Papa gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, filloi sot Mitingu i 40-të i Riminit, një shtëpi për vajzat nëna në Brazil, intervista me atë Lufti nga Siria e lajme të tjera nga jeta e Kishës Katolike.

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku kremtoi sot në mesditë, lutjen e Engjëllit të Tënzot, në të dielën e 20-të të vitit kishtar, në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan.

"Aderimi ndaj zjarrit të dashurisë që Jezusi solli në tokë e përfshinë tërë ekzistencën tonë dhe kërkon adhurimin e Zotit e gjithashtu edhe gatishmërinë për t'i shërbyer të afërmit e të tjerëve. Adhurimi i parë i Zotit, do të thotë të mësosh edhe lutjen e adhurimit, që zakonisht e harrojmë, kjo është arsyeja pse ju ftoj të gjithëve të zbuloni bukurinë e lutjes së adhurimit dhe ta ushtroni atë shpesh". Kështu tha mes tjerash Papa Françesku gjatë lutjes së sotme të Engjëllit të Tënzot, kremtuar në mesditë në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan.

"Së dyti, është gatishmëria për t'i shërbyer të afërmit, mendoj me admirim në kaq shumë komunitete e grupe të rinjsh, të cilët, edhe gjatë verës, i përkushtohen këtij shërbimi në favor të të sëmurëve, të të varfërve, të personave me aftësi të kufizuara - shtoi Papa -. Për të jetuar sipas frymës së Ungjillit është e domosdoshme që, përballë nevojave gjithnjë të reja që po ka bota, të ketë dishepuj të Krishtit që dinë të përgjigjen me nisma të reja të bamirësisë vetëmohuese. Kështu Ungjilli manifestohet me të vërtetë si zjarri që shpëton, që e ndryshon botën duke filluar nga ndryshimi i zemrës së secilit prej nesh”.

Ungjilli i dielës së 20-të të vitit kishtar, cik,lit të tretë, nga Luka (Lk 12,49-57), na dëshmon se të ndjekësh Jezu Krishtin pas, pa mbartur kryqin është e pamundur. Është i bindur për këtë, kushdo që e ka Ungjillin rregull jete. Duke marrë shembull nga ata, që luftuan për fenë(Leximi II), edhe këta njerëz luftojnë pa pushim kundër mëkatit, duke ndjekur me besim të plotë Jezusin e kryqëzuar dhe të ringjallur, nga i cili e marrin forcën për të kapërcyer çdo fatkeqësi dhe për të vazhduar të ecin sipas jetës së mirë të Ungjillit.

Kushdo që kapet nga shqetësimi për ta ndjekur Zotin sa më mirë, shkruan faqe shprese. Ky është rasti i Jeremisë, profet i keqkuptuar dhe i persekutuar (Leximi I). Ai flet në emër të Zotit, por ndeshet vetëm me akuza, rezistencë dhe zemra të ngurtësuara; duket sikur do të dështojë e do të humbasë. Por Zoti e shikon profetin e tij dhe e shpëton atë nga vdekja e sigurt: një skllav i huaj, i drejtë dhe i dhembshur, e merr përsipër dhe ndërhyn për lirimin e tij.

Në Ungjill, Jezusi bën ç’është e mundur për të përmbushur misionin, që ia ka besuar Ati Qiellor. Fjalët e Tij e shqetësojnë shpirtin, e shkundin ndërgjegjen e përgjumur, e bëjnë mendimin të ndryshojë e ngjallin armiqësi, janë gur, në të cilin pengohen shumë njerëz. Mesazhi i Krishtit është i lum, por jo i lehtë. Pranimi i tij është hir dhe dhuron paqen.

Engjëlli i Tënzot, në festën e Zojës së Madhe

Të mërkurën e kaluar, Papa Françesku nuk e mbajti audiencën e përgjithshme, pasi në Vatikan ishte festë, dita e parë e Treditëshit kushtuar solemnitetit të Zojës së Ngjitur në Qiell. Por, më 15 gusht, Ati i Shenjtë tha lutjen e Engjëllit të Tënzot, me besimtarët e mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit. “Maria – nënvizoi Papa - e larton madhështinë e Zotit, e lavdëron, duke kujtuar se vetëm Ai është vërtet i madh. Në jetë ka rëndësi të kërkosh gjëra të mëdha, përndryshe humbet më kot në vogëlsira. Na e tregon këtë Maria! Nëse duam që jeta jonë të jetë e lumtur, në vendin e parë duhet të vëmë Zotin. Sepse vetëm ai është i madh! Jo paragjykimet, mllefet, rivalitetet, zilitë, pasuritë, llogaritë, me të cilat shpesh merremi çdo çast. Sa meskinitete ka në jetë! Maria sot na fton t’u rrimë larg! Na fton t’i lartojmë sytë kah ‘punët e mëdha’, që bëri Zoti në Të e përmes Saj, në secilin prej nesh”.

E në fund të Engjëllit të Tënzot, Papa Françesku bekoi gjashtë mijë rruzare, që do të dërgohen në Siri, ku do t’u shpërndahen - falë nismës së Fondacionit papnor “Ndihmë për Kishën që vuan” - bashkësive të krishtera të sprovuara nga lufta. 

Filloi Mitingu i 40-të i Riminit

Filloi sot e do të vazhdojë deri më 24 gusht, në Itali, edicioni i 40-të i Mitingut të Riminit, me temë: “Emri yt lindi, ku i ngule sytë”. Titulli frymëzohet nga një varg i poezisë për Veronikën, me atuor Papën shenjt Gjon Pali II. Reflektimet do të përqendrohen mbi “fytyrën e njeriut” në këtë botë.

Në Mitingun e organizuar, si zakonisht, nga Lëvizja katolike “Bashkim e Çlirim”, do të marrë pjesë edhe Universiteti Katolik i Zemrës së Krishtit. Brenda pavionit ndërkombëtar A3, universiteti do të ketë një hapësirë prej 80 metrash katrorë, ku do të mbahen ekspozita, debate dhe takime të ndryshme.  Veçojmë tri nisma: më 20 gusht, në orën 6 pasdite, takimi me temë “Të rigjejmë njeriun që t’i rikthehemi politikës”; më 21 gusht, pasditja tematike “Françesku dhe Sulltani: një histori akoma për t’u zbuluar”; më 22 gusht, debati “Kostumet dhe simbolet. Kostumet e Arkivave ‘Cerratelli’ për filmin ‘Vëllai Diell, Motra Hënë’ i regjizorit Franco Zeffirelli”. Ndër relatorët, në takimet për bashkëpunimin dhe solidaritetin ndërkombëtar, edhe drejtori i gazetës vatikanase “L’Osservatore Romano, Andrea Monda.

“Maria Mae da Vida”, një shtëpi për vajzat nëna

Në Fortaleza, verilindje të Brazilit, vepron shoqata dioqezane “Maria Mae da Vida”, e administruar nga murgeshat misionare kamiliane, që kujdesen për vajzat nëna të favelas. Ndihma e parë që kjo qendër u jep vajzave është kapërcimi i frikës se mos nuk i do më kush. Janë të reja, shpesh adoleshente, që kanë mbetur shtatzënë dhe i kanë përzënë nga shtëpitë e tyre, ose jetojnë në gjendje shumë të keqe ekonomike.

Shoqata dioqezane braziliane u garanton asistencë mjekësore, u ofron kurse formimi profesional, u organizon kohën e lirë me veprimtari argëtuese dhe kulturore. Kurset zgjasin nga 6 muaj deri në një vit. Në fund, këto nëna të reja marrin një çertifikatë, që u jep më tepër mundësi të gjejnë punë e të rrisin kështu fëmijët.

Dënimi me vdekje në SHBA-të nuk u ndal as për festën e Zojës së Madhe

Zbatimi i dënimit me vdekje në disa shtete amerikane nuk u ndal as për festën e Zojës së Madhe, më 15 gusht. Dy ekzekutime u kryen pikërisht atë ditë, njëri në Tenesi dhe tjetri në Florida. Gjithsesi, duhet thënë se dënimi me vdekje jepet dhe zbatohet gjithnjë e më pak në SHBA-të, madje në Uashington është shpallur jokushtetues. Rriten, ndërkaq, thirrjet për mëshirë nga ana e botës katolike.

Në kundërshtim me rritjen e numrit të vendeve, ku hiqet dënimi me vdekje - gjithsej 142, ligjërisht e faktikisht - në SHBA, të paktën 28 nga 50 shtetet vijojnë ta mbajnë atë në fuqi. Shteti më aktiv në ekzekutime mbetet Teksasi. Pikërisht më 15 gusht, në solemnitetin e Zojës së Madhe, gjeti vdekjen me injeksion një 31-vjeçar, fajtor për dy vrasje gjatë një grabitjeje në moshën 18-vjeçare. Rasti i tij u ndoq nga Bashkësia kishtare e Shën Egjidit, e cila i bëri guvernatorit edhe një kërkesë për falje. Shumë besimtarë nga e gjithë bota u lutën për këtë, veçanërisht, motrat e Nënë Terezës, të cilat premtuan që çdo muaj, do të çojnë në varrin e shenjtes shqiptare të bamirësisë një listë me emrat e të dënuarve me vdekje dhe do t’i kërkojnë të ndërhyjë për ta pranë Zotit. Vetë Nënë Tereza pati parë me sytë e vet dy të dënuar me vdekje në burgun e Shën Kuintinit, në Kaliforni, në vitin 1987. Gjatë muajit të gushtit, në SHBA-të janë parashikuar katër dënime me vdekje: dy të parat, të dyja në Teksas, u zbatuan tashmë. Priten edhe dy të tjera, më 21 gusht në Teksas e më 22 gusht në Florida.

Atë Lufti nga Siria: mbi vendin rëndon embargo

Pas tetë vitesh luftë civile, e ardhmja e Sirisë varet nga zona veriperëndimore e Idlibit, disa dhjetëra kilometra nga Halebi. Idlibi është zonë jashtë kontrollit të qeverisë së Damaskut, ku sundon ushtria turke, e mbështetur nga milicët anti-regjim. Pikërisht këtu, grupet islamike përpiqen të riorganizohen në një lloj shteti të përtërirë islamik. Sulmet ajrore dhe tokësore e kanë acaruar gjendjen në zonën, që Damasku, i mbështetur nga Rusia, e konsideron strategjike për kontrollin e infrastrukturave. Po aty, përjetohet edhe një emergjencë e madhe humanitare.

Kërcënimi xhihadist

Duke kujtuar letrën e Papës Françesku dërguar presidentit sirian Asad, ku Ati i Shenjtë bën thirrje për paqe, atë Firas Lufti, eprori i ri françeskan për Rajonin Misionar të “Shën Palit”, formuar nga territoret e Sirisë, Libanit dhe Jordanisë, kujton se në Idlib, kriza humanitare është “më serioze se gjetiu, sidomos për të krishterët, pasi xhihadistët i dëbojnë nga shtëpitë dhe i vrasin”. “Halebi mbetet nën kërcënimin e raketave islamike. Luftohet rreth 30 km larg qytetit dhe xhelatët e Isisit i terrorizojnë banorët, duke hedhur raketa, si për të paralajmëruar praninë e tyre dhe dëshirën për të marrë përsëri në dorë Halebin, që sot, kontrollohet nga ushtria e Damaskut”.

Shpresa e Halebit

“Ndërsa vijon kthimi i familjeve të shpërngulura nga lufta brenda Sirisë, vazhdon edhe restaurimi e rindërtimi i qytetit. Nga minarja selxhukide e vitit 1090, tek xhamia e Umajadëve e shekullit XIII. Po ecën me hapa të shpejta edhe restaurimi i suk-ut, tregut të mbuluar të qytetit, ku ndodheshin 500 dyqane artizanale. Dëshmi e shembull e arkitekturës civile islame nga Mesjeta, që daton në shekullin XIV”, shpjegon atë Lufti për Radio Vatikanin.

Dhunë në Mali: 150 fëmijë të vrarë gjatë vitit 2019

Unicef-i i bëri jehonë kësaj jave raportit të OKB-së për Malin: në gjashtë muajt e parë të vitit 2019, më shumë se 150 fëmijë janë vrarë dhe 75 të tjerë janë plagosur në raprezaljet e ndryshme të një lufte civile, që duket se nuk ka fund. Në vendin afrikan, konflikti i shkaktuar në vitin 2012, pas puçit ushtarak dhe heqjes së presidentit Amadou Toumani Touré, çoi në rritjen e rekrutimit të fëmijëve nga grupet e armatosura.

Deklarata e drejtorit të Unicef-it

 “Nuk duhet të pranojmë që vuajtjet e fëmijëve të konsiderohen normale – deklaron në një notë, drejtoresha e përgjithshme e Unicef-it, Henrietta Fore. - Të gjitha palët duhet të ndalin sulmet kundër fëmijëve dhe të marrin masat e nevojshme për t’i mbajtur larg rreziqeve, në përputhje me të drejtat e njeriut dhe me ligjin ndërkombëtar humanitar. Fëmijët duhet të shkojnë në shkollë dhe të luajnë me shokët, të mos shqetësohen për sulmet e të mos detyrohen të luftojnë”. Unicef-i punon me autoritetet lokale për të ofruar ndihmë mjekësore dhe psikosociale për fëmijët viktima të dhunës, veçanërisht në zonat e konfliktit; ndihmon ish-ushtarët fëmijë për t’u integruar sërish në shoqëri dhe, kur është e mundur, promovon ribashkimin me familjet e tyre. Vetëm në Mopti, një nga 8 rajonet e Malit, kanë nevojë për ndihmë më se 377 mijë fëmijë.

18 gusht 2019, 10:20