Kërko

Një nga audiencat e përgjithshme të Papës Françesku Një nga audiencat e përgjithshme të Papës Françesku 

Nesër, Papa Françesku rifillon audiencat e përgjithshme

Papa ka mbajtur, deri tani, 279 katekeza, me rastin e audiencës së përgjithshme: më 7 gusht, me rinisjen e këtyre takimeve, ato do të arrijnë kuotën 280. Është takim i rëndësishëm me njerëz nga e gjithë bota, të cilët i japin mundësinë Françeskut të propozojë, me thjeshtësi, mësimet themelore të Kishës Katolike.

R.SH. - Vatikan

Nesër, më 7 gusht, pas pushimeve të korrikut, Papa Françesku rifillon audiencat e përgjithshme të së mërkurës, që mbahen në Sheshin e Shën Pjetrit e në Sallën Pali VI në Vatikan, sipas kohës. E nesërmja do të jetë katekeza e 280-të e Atit të Shenjtë, nëse marrim parasysh edhe audiencat jubilare, mbajtur të shtunave, me rastin e Vitit të Shenjtë të Mëshirës.

Reflektime të pasura me përshpirtëri

         Audiencat e përgjithshme janë takime të rëndësishme javore, të cilat, së bashku me Lutjen e Engjëllit të Tënzot dhe me homelitë e mbajtura gjatë meshëve në Shtëpinë e Shën Martës, përveç, natyrisht, kremtimeve të tjera të vitit liturgjik, përfaqësojnë boshtin shpirtëror të magjisterit papnor. Janë takime me njerëz nga e gjithë bota, përfshirë jo-katolikët, që i japin Papës mundësinë për një katekezë të thjeshtë, por të thellë, mbi fenë e krishterë. Janë reflektime të pasura me përshpirtëri, që ia vlen të lexohen ose të dëgjohen të plota, duke hyrë në faqet e internetit të Vatikanit (http://w2.vatican.va/content/francesco/it/audiences/2019.index.html#audiences  e  https://www.youtube.com/user/vatican). Vetëm kështu mund të kuptohet mirë ç’thotë Françesku e ku synon, përtej interpretimeve mediatike, që zmadhojnë vetëm disa tema të caktuara. Për t’u shënuar fakti që në audiencat e përgjithshme nuk mungon kurrë përqafimi i Papës me të sëmurët.

13 cikle katekizmash

Pra, deri tani, Ati i Shenjtë ka mbajtur 279 katekeza: 30, në vitin 2013; 43, më 2014; 42, më 2015; 54, më 2016; 43, më 2017; 43, më 2018 dhe 24, deri në qershor 2019. Temat e zgjedhura janë një lloj treguesi për rrugën e Kishës në këto vite. Që nga viti 2013, Papa ka realizuar 12 cikle katekizmi, përveç audiencave kushtuar temave të veçanta, si Koha e Ardhjes, Krishtlindja, Krezhmët dhe Pashkët: pikërisht qershorin e kaluar, filloi ciklin e trembëdhjetë. Fillimisht, Papa Bergoglio e nisi duke vijuar katekezën e Vitit të Fesë, propozuar nga Benedikti XVI, e u ndal në Besojmën, së cilës i kushtoi 25 takime. 12 ciklet e tjera ia kushtoi: Sakramenteve (9), Dhuratave të Shpirtit të Shenjtë (7), Kishës (15), Familjes (36), Mëshirës, me rastin e Jubileut (49), Shpresës së Krishterë ( 38), Meshës Shenjte (15), Pagëzimit (6), Krezmimit (3), Urdhërimeve të Tënzot (17), lutjes “Ati ynë” (16), Veprave të Apostujve (deri tani, 4). Gjatë audiencave të përgjithshme, shpesh, Papa bën thirrje të veçanta, sidomos për paqen në botë, për të krishterët e persekutuar e për jetën që nga zënia, deri në fundin e natyrshëm.

06 gusht 2019, 14:38