Kërko

Vatican News
Rimini Meeting 2019 Rimini Meeting 2019 

Mitingu i Riminit, kard. Parolin: “Papa uron të jetë gjithnjë vend mikpritës”.

Mesazh i nënshkruar nga kardinali Pietro Parolin, dërguar ipeshkvit të Riminit, imzot Francesco Lambiasi, me rastin e 40-vjetorit të Mitingut

R. SH. - Vatikan

Në një mesazh, nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, Papa Françesku i bën urimet më të përzemërta organizatorëve, vullnetarëve dhe të gjithë atyre, të cilët do të marrin pjesë në Mitingun e 40-të për miqësinë ndërmjet popujve, që nis nesër, në Rimini. Tema e takimit të madh, sivjet me titullin “Emri yt lindi, ku i ngule sytë” - është shkëputur prej njërës nga poezitë e Karol Wojtylës. Ndërsa Papa Françesku uron që “Mitingu të jetë gjithnjë vend mikpritës, ku njerëzit të mund t’ua ngulin sytë fytyrave, duke parë në to, identitetin vetjak të secilit”.

Kultura e hedhurinës mënjanon e diskriminon

“Shumë nga bashkëkohasit tanë - lexohet në mesazh -  shemben nën barrën e rëndë të provave të jetës. E mbeten vetëm. Të braktisur. Aq sa shpesh katandisen thjesht në numra statistikash. Të mendojmë për mijëra njerëz, që çdo ditë ikin nga luftërat e nga varfëria: para se të jenë numra, janë fytyra. Janë njerëz. Janë histori. Nuk duhet ta harrojmë kurrë këtë, sidomos kur kultura e hedhurinës shtyp, diskriminon, shfrytëzon, kërcënon dinjitetin e njeriut, të secilit prej nesh”.

T’ia ngulim sytë fytyrës së Jezusit

“Sa të harruar - nënvizohet në dokument - kanë nevojë të ngutshme ta shikojnë fytyrën e Zotit, për të gjetur në Të vetveten! Njeriu i sotëm gjithnjë më shpesh jeton në pasiguri, ecën duke prekur me duar, si i verbëri në terrina, i huaj deri për vetveten. Duket sikur e ka humbur qëndresën  aq, sa të mbërthehet nga kthetrat e frikës. Si mundet njeriu ta rigjejë vetveten? E shpresën? Sekreti i jetës, ai që të bën të dalësh nga anonimati, është t’i ngulësh sytë mbi fytyrën e Krishtit e të fitosh familjaritet me Zotin!”.

17 gusht 2019, 14:52