Kërko

Lutja e Papës për viktimat e armëve në SHBA

Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Françesku shprehu ngushëllimet për viktimat e pafajshme të masakrës në El Paso, në Ohaio e Kaliforni

R. SH. - Vatikan

“Jam shpirtërisht pranë viktimave të dhunës, që këto ditë gjakosën Teksasin, Kaliforninë e Ohaion, në SHBA, duke goditur njerëz të pambrojtur. Ju ftoj të bashkoheni me lutjen time për ata që humbën jetën, për të plagosurit e familjarët e tyre”.

Këtë theksoi Papa Françesku, pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, në Sheshin e Shën Pjetrit, duke shprehur, edhe me një FalemiMari, ngushëllimet për viktimat e të shtënave, që krijuan përsëri atmosferë zije në SHBA.

9 të vdekur në Ohaio, 20 në Teksas

Masakra e fundit, sipas radhës, ndodhi natën ndërmjet së shtunës e së dielës, në Dejton, në Ohaio, ku një burrë doli rrugëve me pushkë në dorë. Si nisi të shtjerë, vrau 9 vetë e plagosi 16 të tjerë. Në fund  u vra edhe ai vetë  nga forcat e rendit. Po pse e gjithë kjo kërdi - pyesin të gjithë. - Pse ky tërbim, arsyeja e të cilit mbetet ende e panjohur? Ngjarja u zhvillua pak orë pas asaj të El Paso, në Teksas, ku një djalë 21 vjeçar shtiu në një qendër tregtare, duke vrarë  20 vetë e duke plagosur 26. E ky ishte episodi më i përgjakshëm i këtij lloji, në historinë e SHBA-ve kohëve të fundit.

Dënimi i ipeshkvijve amerikanë

“Dhuna e lidhur me përdorimin e armëve të zjarrit, është bërë plagë, që vijon të jetë e pakontrolluar e të përhapet në gjithë vendin” - komentoi kardinali Daniel Di Nardo, kryeipeshkëv i Galveston-Houston e kryetar i Konferencës ipeshkvnore të SHBA-ve (Usccb), në një notë, nënshkruar  nga komisioni i drejtësisë dhe i zhvillimit njerëzor i Uscbb-së. “Gjërat - shkruajnë ipeshkvijtë - duhet të ndryshojnë, e për këtë kërkohet, përsëri, një ligjshmëri e aftë, që t’u japë fund këtyre akteve thellësisht të dënueshme”.

Trump: akt i urryer burracakësh

Episod “jo vetëm tragjik, por edhe akt burracakësh” - me këto fjalë e dënoi presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, këtë akt përmes një tweet-i, duke i shprehur afërsinë e tij gjithë kombit e duke e dënuar këtë dhunë të re, “të cilën s’ka asnjë arsye që mund ta përligjë, sepse u mori jetën njerëzve të pafajshëm”.

Një natë  lutjesh, për viktimat e El Paso-s

Ndërkaq në El Paso u organizua një mbrëmësore lutjesh për viktimat. E kryesoi ipeshkvi i vendit, imzot Mark Seitz. Ndërsa imzot Gustavo Garcia-Siller, ipeshkëv i San Antonios, nënvizoi, në një notë “mirënjohjen ndaj forcave të rendit dhe personelit të emergjencës, që arritën të parët në vendin e krimit, duke shpëtuar jetë të tjera”.

Hamendësohet të jetë krim racist

Atentatori, që vijon të pyetet nga policia, dje në mëngjes hyri me pushkë, ndoshta kallashnikov, në supermerkatin e qendrës tregtare Cielo Vista të El Pasos. Vijoi të shtjerë disa minuta, para se t’u dorëzohej forcave të rendit. Akoma të paqarta, shkaqet e kësaj tragjedie, që mund ta ketë marrë shtytjen nga urrejtja kundër bashkësisë hispanike, e shumënumërt në El Paso, pak kilometra larg Meksikës.

04 gusht 2019, 15:58