Vatican News
  Papa lutet para shtatores së Nënë Terezës në Shkup Papa lutet para shtatores së Nënë Terezës në Shkup  (Vatican Media)

Lutja e Papës Françesku, drejtuar Nënë Terezës

Gjatë vizitës në Memorialin e Nënë Terezës, në Shkup, majin e kaluar, Papa i lartoi Zotit lutjen për nder të Shenjtores, duke i kërkuar të na bëjë edhe ne “shenja dashurie”, dëshmitarë të besueshëm të Kishës, që ka për detyrë t’ia predikojë Ungjillin të varfërve. T’ia drejtojmë këtë lutje Nënë Terezës sot, kur kremton - e ia kremtojmë ditëlindjen!

R. SH. - Vatikan

Një nga çastet më prekëse të vizitës së Papës Françesku në Maqedoninë e Veriut, ishte  vizita në Memorialin e Nënë Terezës, në Shkup, vendlindje e  Shenjtores, figurë e ndritur, në qendër të vëmendjes të shtegtimit të 29-të apostolik. Ndërtesë moderne, ka edhe një muze të vogël, me foto, objekte e relike të Nënë Terezës. Pjesa e parë e etapës së Papës në Shkup, më 7 majin e kaluar, nisi me lutjen para shtatores së Shenjtores, një herë në heshtje. Pastaj, në kapelën e ndërtesës, ku ishin të pranishëm liderët e bashkësive fetare të vendit, dy kushërinj të Nënë Terezës e, natyrisht, edhe Nëna eprore e Motrave të Bamirësisë, me tri rregulltare.

Mbi altar ishte ekspozuar një relike, disa nga sendet e saj personale dhe pesë qirinj, simbol i pesë konfesioneve fetare. Bashkësitë fetare të pranishme, sipas njoftimit të Kishës vendase, ishin: bashkësia ortodokse maqedone, e përfaqësuar nga metropoliti i Shkupit, Stefani; bashkësia islamike, nga ulema Sulejman Rexhepi; bashkësia ungjillore metodiste, nga pastori Michail Cekov; bashkësia hebraike, nga Berta Romano Nikolic, bashkësia katolike, nga ipeshkvi Kiro Stojanov. E nuk është rastësi që, në këtë vizitë, morën pjesë të gjithë liderët fetarë: këtë Grua të vogël- tejet të madhe - që u përkul mbi të  varfërit më të varfër, e deshën fort njerëz të feve, kulturave, traditave të ndryshme, në të katër anët e botës, sepse në të katër anët shkeli, deshi, shërbeu! Për t’ia  shuar etjen Jezusit të mbërthyer mbi kryq!

Gjatë lutjes, Papa iu drejtua Shenjtores shqiptare me fjalët prekëse:

“Këtu e more dhuratën e rilindjes në sakramentet e fillesës së krishterë;

këtu dëgjove fjalët e para të fesë, në familjen tënde e në bashkësinë e besimtarëve;

këtu nise të shikosh e të njohësh nevojtarët, të varfërit, të vegjlit;

këtu mësove nga prindërit t’i duash e t’i ndihmosh;

këtu, në heshtjen e thellë të Kishës, dëgjove thirrjen e Krishtit për ta ndjekur pas, në rrugën e jetës rregulltare.

Prej këtu po të lutemi; ndërmjetëso pranë Jezusit që edhe ne të kemi hirin  ta dëgjojmë britmën e të varfërve, atyre që nuk kanë asnjë të drejtë, të sëmurëve, të shtypurve, të fundmëve!

Zoti na dhashtë hirin të shikojmë në sytë e atij, që na shikon, thirrjen për ndihmë!

na dhashtë zemër që di të dojë Zotin e pranishëm në çdo burrë e çdo grua;

zemër, që di të shohë në zemër të atyre, të cilët vuajnë nga padrejtësitë”.

Të falënderojmë o Zot - u lut akoma Papa - për dhuratën e jetës, të karizmës e të dëshmisë së dashurisë të Nënë Terezës ndërmjet të varfërve më të varfër të Indisë e të mbarë botës. Ajo pa në çdo burrë e çdo grua ‘fytyrën e Birit tënd’, duke u bërë zë lutës i të varfërve dhe i gjithë atyre, që kanë uri dhe etje për drejtësi. Duke iu përgjigjur britmës së Jezusit mbi kryq, ‘Kam etje!’, Nënë Tereza e shuajti etjen e Krishtit, me vepra dashurie përdëllyese”.

Si Nënë Tereza, shenjë dashurie

Në vendin, ku sot ngrihet shtëpia memoriale, më parë ishte Kisha e Zemrës së Krishtit, e rrënuar nga tërmeti i vitit 1963. Aty pati qenë pagëzuar Nënë Tereza! Aty i pëlqente shumë të lutej. E po aty, ndjeu së pari zërin e Jezusit! Zoti po e thërriste për ta ndjekur pas në jetën rregulltare si misionare. Pikërisht prej këtij vendi, kaq domethënës për Shën Terezën, Françesku iu lut Shqiptares së Madhe të ndërmjetësojë pranë Jezusit, që të na e dhurojë edhe ne hirin ta dëgjojmë  britmën e të varfërve, të atyre, që u mohohet çdo e drejtë, të sëmurëve, të shtypurve, të fundmëve. E edhe hirin që ta shikojmë Jezusin në sytë e nevojtarit:

“Zoti na dhashtë edhe ne hirin të jemi shenjë dashurie e shprese në kohën  tonë, që shikon një mori nevojtarësh, të braktisurish, të shtypurish emigrantësh. Bëftë që dashuria jonë të mos shprehet vetëm me fjalë por të jetë e frytshme, e vërtetë, e aftë të japë dëshmi të besueshme për Kishën, që ka për detyrë t’ua predikojë Ungjillin të varfërve, lirimin të burgosurve, gëzimin të mjeruarve, hirin  e shëlbimit, të gjithëve!”.

Nënë Tereza dhe liria e çdo njeriu për t’iu përgjigjur thirrjes së Zotit

Figurën e Nënë Terezës Papa e lidhi ngushtë me lirinë e çdo njeriu për t’iu përgjigjur thirrjes së Zotit e për të shkuar atje ku e kërkon! E, duke iu drejtuar bashkatdhetarëve të Saj, u tha

“Me të drejtë jeni krenarë për këtë grua të madhe, që e bëri bamirësinë ndaj të afërmit, ligjin më të lartë të jetës. Këtë grua, që nuk njohu kufij. Gruan, që nuk mundi ta pengonte asnjë mur a gardh, për të shkelur në vendet më të zhvilluara e për të kaluar, prej tyre, në më të izoluarat. Duke hyrë, më në fund, edhe në Atdheun e gjakut, që i rridhte në dej, ende të rrethuar me tela ferrc.  Për këtë grua ballkanike, Ballkani ishte pa kufij, ashtu si pa kufij ishte mbarë bota. Ajo, bijë e një familjeje të fisme shqiptare, u bë bijë e familjes së madhe njerëzore. E Botës, së ëndërruar nga brezni të tëra njerëzish, që shpesh flijuan, e flijojnë edhe jetën, për të shkelur lirisht, pa e mohuar atdheun, në të gjitha shtigjet e saj, për t’u bërë të mirë e për të bërë mirë! Kjo, edhe dëshira e Papës për Ballkanin e ballkanikët, bij në shpirt të Nënë Terezës, e cila nga Tereza e Shkupit, u bë Tereza e Kalkutës, duke mbetur gjithnjë bijë e shqiptarëve, natyrisht!”.

I lindur në troje maqedonase, Aleksandri i Madh i zgjeroi, me shpatë kufijtë e botës, duke përkundur ëndrrën për krijimin e kozmopolitizimit perandorak.

E lindur në troje maqedonase, shekuj më vonë, duke shkelur këmbëzbathur pikërisht mbi trojet e pushtuara nga Maqedonasi,  Nënë Tereza zgjeroi, me Kryq, kufijtë e botës, për krijimin e kozmopolitizimit të dashurisë e të bamirësisë njerëzore, në emër të Krishtit!

Ta bëjmë tonën, lutjen e Papës

“O Shën Nënë Terezë, lutu për këtë qytet, për këtë popull, për Kishën e tij e për të gjithë ata, që dëshirojnë ta ndjekin Krishtin, si dishepuj të Bariut të Mirë, duke bërë vepra dashurie e shërbimi si Ai, që nuk erdhi për t’u shërbyer, por për të shërbyer e për të dhënë edhe jetën për shumëkënd”.

26 gusht 2019, 12:31