Kërko

 Ura Morandi Ura Morandi 

Letër e Papës, në kryevjetorin e shembjes së Urës Morandi, Gjenovë, 14 gusht 2018

Papa Françesku i drejton një letër, botuar në gazetën “Il Secolo XIX” (Shekulli XIX), banorëve të Gjenovës, në kujtim të kryevjetorit të shembjes së Urës Morandi.

Nesër, më 14 gusht, në orën 11.36, të gjitha kumbonët e kishave të Gjenovës do të bien përmortshëm! Kisha gjenoveze do të jetë përkrah familjarëve të viktimave, të plagosurve e atyre, që humbën shtëpitë. Do të jetë ditë për të kujtuar të humburit, por me shikimin drejt së ardhmes, me besim të ri e dashuri të re për qytetin!

Letra e Papës

Në këtë atmosferë, arrin Letra e Papës, që nis pikërisht me kujtimin e asaj dite të zezë, një vit më parë, kur shembja e urës Morandi  shkaktoi vdekjen e 43 vetëve.

“Familje, që niseshin a ktheheshin nga pushimet, burra e gra që udhëtonin për punë” - kështu e kujton Papa në letër, atë ecejakje njerëzish mbi një urë, ku do të kalonin çastet e fundit të jetës. “Ishte plagë, që hapej  në zemër të qytetit tuaj - vijon Letra e Papës - tragjedi e vërtetë për kë humbi familjarët, dramë për të plagosurit, ngjarje tronditëse, për kë u detyrua të lërë shtëpinë e të nisë jetën e të pastrehit”.

Nuk ju kam harruar!

Dua t’ju kujtoj se nuk ju kam harruar - shkruan Papa - se jam lutur e vazhdoj të lutem për viktimat, familjarët e tyre, të plagosurit, të shpërngulurit, për ju të gjithë, për Gjenovën. Përballë  ngjarjeve të tilla,  dhimbja për humbjet e pësuara është e thekët e nuk shlyhet lehtë, ashtu si nuk është aspak i lehtë nënshtrimi përballë një fatkeqësie, që mund të shmangej!

Nuk kam përgjigje të gatshme për t’ju dhënë!

Nuk kam përgjigje të gatshme për t’ju dhënë! - vijon letra e Papës - sepse përballë disa situatave, fjalët tona të varfëra njerëzore janë të papërshtatshme. Nuk kam përgjigje, sepse pas tragjedive të tilla, s’mund të bësh gjë tjetër, veçse të qash, të heshtësh e të lutesh, duke kërkuar psenë e brishtësisë së gjërave, që ndërtojmë.

Mesazhi Papnor

Por gjithsesi, një mesazh e kam - vijon Papa në letër - gurron  drejt nga zemra ime prej ati e vëllai. E dëshiroj t’jua transmetoj. Mos lejoni që fatkeqësitë e jetës t’jua këpusin lidhjet e bashkësisë suaj, t’jua shlyejnë kujtesën e ngjarjeve, që e bënë kaq domethënëse historinë tuaj. Kur mendoj për Gjenovën, mendoj gjithnjë për Portin. Për vendin, prej nga u nis im atë! Për punën e palodhur, të përditshme, për vullnetin krenar e shpresat e gjenovezëve.

Ta dini se nuk jeni vetëm!

Sot dëshiroj t’ju them sidomos një gjë: ta dini se nuk jeni vetëm! Ta dini se nuk do të jeni kurrë vetëm. Ta dini se Zoti, Ati ynë, iu përgjigj britmës sonë e pyetjes sonë jo me fjalë, por me praninë, që na shoqëron, atë të të Birit. Jezusi kaloi para nesh përmes vuajtjes e vdekjes. Ai i mori mbi vete të gjitha vuajtjet tona. U përbuz, u përul, u rrah, u gozhdua mbi kryq, u mbyt mizorisht! Përgjigjja që i dha Zoti dhimbjes sonë ishte afërsia, prania që na shoqëron, që nuk na lë kurrë vetëm. Jezusi u bë një nga ne e prandaj e kemi përherë pranë, duke qarë me ne në çastet më të vështira të jetëve tona. Të mos ia ndajmë sytë, t’ia besojmë pyetjet tona, dhimbjen, zemërimin tonë!

Ju kujtoj  se Jezusi  në kryq nuk ishte vetëm!

Dëshiroj t’ju kujtoj – vijon Papa - edhe se Jezusi në kryq nuk ishte vetëm. Poshtë këtij mjeti torture ishte e ëma, Maria. Stabat Mater! Ishte poshtë kryqit, për të marrë pjesë në vuajtjen e të Birit. Nuk jemi vetëm! E kemi një Nënë, që na shikon nga qielli me dashuri e është gjithnjë pranë nesh! Të kapemi fort pas Saj e ta thërrasim “Nënë!”, siç bën foshnja kur trembet e kërkon ngushëllim e siguri.

E këtu Papa kujton historinë e fshatarit të përvuajtur Benedetto Pareto që më 1490, mbi malin Figogna, pa një zonjë me fytyrë mrekullisht të bukur e të ëmbël, që iu paraqit si Nëna e Jezusit e i kërkoi t’i ndërtonte një kapelë. “Naltojini sytë  kah Zoja e Rojes - i fton Papa gjenovezët në letrën drejtuar me rastin e kryevjetorit të shembjes së urës Morandi duke u kujtuar Shenjtëroren e tyre kryesore. - Besojini ndihmës së saj amtare! E mos harroni se e kemi një Atë të mëshirshëm për t’iu drejtuar, një Bir të kryqëzuar e të ngjallur, që ecën me ne, një Shpirt Shenjt, që na ndihmon e na shoqëron. E kemi një Nënë në Qiell, që vijon ta shpalosë mantelin e saj mbi ne, pa na braktisur kurrë!”.

Kështu vijon letra e Papës, plot ngushëllim e shpresë. Ngushëllim e shpresë, që buron edhe nga bashkësia e krishterë!

Nuk jeni vetëm: keni bashkësinë e krishterë!

Dëshiroj t’ju them - nënvizon prandaj Ati i Shenjtë – ndërsa letra nis të tingëllojë si ftesë për guxim, drejtuar të gjithë atyre që kanë nevojë -  se keni pranë edhe bashkësinë e krishterë, Kishën e Gjenovës. Është me ju, ndan me ju vuajtjet e vështirësitë. Sa më shumë të jemi të ndërgjegjshëm për ligështitë tona, për varfërinë e jetës sonë, sa më shumë të kujtojmë se jemi sot për nesër, aq më shumë e zbulojmë bukurinë e marrëdhënieve njerëzore, të lidhjeve që na bashkojnë, si familje, bashkësi, shoqëri civile. E di - vijon letra e Papës drejtuar gjenovezëve – “se ju jeni të aftë për të bërë gjeste të mëdha solidariteti, se dini t’i shpërvilni mëngët, se nuk dorëzoheni lehtë, se nuk ngurroni të ecni krah për krah me atë, që ka nevojë!”.

E di se nuk ju mposhti as tragjedia!

“E di - e përfundon Papa plot optimizëm për të ardhmen një letër si kjo – që nis me nota ngushëlluese e përfundon me optimizmin e buruar nga feja - se edhe pas kësaj tragjedie të madhe, që plagosi familjet tuaja e qytetin tuaj, ditët të kundërveproni, të ringriheni në këmbë, të shikoni përpara. Mos e humbisni shpresën, mos lejoni t’jua rrëmbejnë! Vijoni të jeni gjithnjë pranë atyre, që u goditën më rëndë! Lutem për ju e edhe ju, mos harroni të luteni për mua!”.

13 gusht 2019, 10:55