Kërko

Papa Pali VI në famullinë S. Maria Janua Coeli në Romë Papa Pali VI në famullinë S. Maria Janua Coeli në Romë 

Kujtojmë Palin VI, i krishterë i vërtetë, i butë dhe revolucionar

Nga Osservatore Romano, editoriali i drejtorit, Andrea Monda, mbi figurën e shën Palit VI, protagonist i vërtetë i historisë së lëvizjes katolike në politikën e shekullit XX. Ndërroi jetë më 6 gushtin e 41 viteve më parë.

R.SH. - Vatikan

Andrea Monda

6 Gusht 1978, “dies natalis” e Giovanni Battista Montini-t, shën Palit VI. Kuptimi i kësaj figure të madhe të shekullit XX është shtuar me kalimin e kohës, brenda dhe jashtë popullit të Zotit, sidomos në këto gjashtë vite të papnisë së Françeskut, i cili nuk e ka fshehur kurrë afërsinë e tij shpirtërore me Papën breshian, Papën që çoi drejt përfundimit, me dorë të sigurt, Koncilin II të Vatikanit, Papën e enciklikës së njohur shoqërore “Populorum progressio”, e udhëtimeve të para të mëdha ndërkombëtare dhe Papën e takimeve ekumenike. Për Montinin ka shumë aspekte, që mund të shqyrtohen, si gurët e një mozaiku të pasur, që përbëjnë jetën e një njeriu, i cili përshkoi dy të tretat e shekullit XX, duke lindur në Concesio më 26 shtator 1897 dhe duke vdekur në një vit të tmerrshëm, në një nga çastet më të errëta të kohës, që ka hyrë në histori si Lufta e Ftohtë.

Përmasa politike

         Nga faqet e ndryshme të prizmit Montini, kohët e fundit, pata mundësinë të përshkoj përmasën politike, për shkak të serisë së intervistave, që filluan në 22 maj në këto faqe [të gazetës L’Osservatore Romano] me bisedën me sociologun Giuseppe De Rita, për krizën në Itali dhe në Evropë e për rolin e katolikëve në këto kohë të vështira për shoqërinë perëndimore. Duke folur me De Rita-n, u përmend disa herë figura e Montini-t, protagonist i vërtetë i historisë së lëvizjes katolike në politikën e shekullit të 20-të, pasi, ndërmjet viteve 1925 dhe 1933, ai ishte asistenti kombëtar kishtar i Fuci-t (Federata Universitare Katolike Italiane). Folëm për këtë edhe me njëzet e pesë studiuesit e tjerë, që ndërhynë në debat, por sidomos themeluesi i Censis (Qendra Studimore e Investimeve Shoqërore) deshi të nënvizonte sesi veprimtaria e Montini-t qe vendimtare për daljen e Italisë nga tragjedia e luftës, përmes lindjes së partisë Demokracia Kristiane, e udhëhequr nga De Gasperi, hipotezë kjo, që nuk u prit dhe aq qetë në të gjitha ambientet përtej Tiberit (pra, në Vatikan). Figurë tjetër kyçe e asaj stine të gjatë qe Aldo Moro, i njohur nga Montini në vitet e Fuci-t dhe i shoqëruar prej tij deri në fund e madje, edhe më tej, me ato fjalë të paharrueshme drejtuar Zotit më 13 maj në bazilikën e Shën Gjonit në Lateran: “Ti nuk na e plotësove lutjen tonë për sigurinë e Aldo Moro-s, për këtë njeri të mirë, të butë, të mençur, të pafajshëm dhe mik”. Si një Job i ri, Mëkëmbësi i Krishtit i kërkonte Zotit llogari për të keqen, që u përplas mbi gjithçka dhe mbi të gjithë, në atë pranverë tragjike të vitit 1978, vetëm tre muaj para se vetë Pali VI të largohej nga kjo botë.

I krishterë i vërtetë

         Sot seria e intervistave përfundon me fjalët e kardinalit Gualtiero Bassetti, i cili flet për nevojën e pranisë aktive, në Italinë e sotme, “të të krishterëve autentikë: njëkohësisht të butë e revolucionarë. Butësi, sepse të kujton fenë dhe thjeshtësinë e sjelljes. Revolucionar, sepse duhet shkuar kundër frymës së botës: egoiste, nihiliste, konsumatoriste dhe ksenofobike. Natyrisht, pa dyshim që kemi nevojë për një vështrim profetik”. Kryetari i Konferencës Ipeshkvnore Italiane i referohet Giorgio La Pira-s, por ky portret mund t’i përshtatet lehtë edhe figurës së Giovanni Battista Montini-t, i butë dhe revolucionar, i krishterë i vërtetë, prandaj, edhe shenjtor, të cilit sot, në festën e Shndërrimit të Zotit, i kujtojmë lindjen për Qiell . Atë 6 gusht 1978, Papa i moshuar kishte përgatitur tekstin për lutjen e Engjëllit të Tënzot. Përfundonte me këto fjalë: “Na pret një fat i pakrahasueshëm, nëse e nderojmë dhe e zbatojmë thirrjen tonë të krishterë; nëse jetojmë në logjikën, sipas së cilës pas fjalëve vijnë qëndrimet, që na imponojnë impenjimet e marra me Pagëzimin”. E tashmë, jemi të sigurt, së bashku me gjithë Kishën, se shën Pali VI po e shijon atë fat të pakrahasueshëm.

06 gusht 2019, 17:41