Kërko

 Videomesazh i Papës Qendrës Cuida në Kili Videomesazh i Papës Qendrës Cuida në Kili 

Krijohet në Kili Qendra “Ciuda”, për parandalimin e abuzimeve

Në Kili, ceremonia e përurimit të Ciuda, Qendra për parandalimin e abuzimeve, u hap me videomesazhin e Papës Françesku, që i falënderoi institucionet nismëtare të këtij projekti: Universitetin Katolik të Kilit dhe “Fundación para la Confianca”

R. SH. - Vatikan

“Sot mori formë përfundimtare një Fondacion, i cili jo vetëm do të impenjohet me problemet e ndryshme të parandalimit të shpërdorimeve, por edhe me kërkimin e politikave, për t’i shpëtuar gjithnjë më shumë të miturit nga çdo manipulim që, në ndonjë farë mënyre, e shkatërron zemrën e tyre”. Këtë pohon Papa Françesku në një videomesazh dërguar Universitetit Katolik të Kilit dhe “Fundación para la Confianca”, që nënshkruan aleancën për krijimin e Qendrës “Cuida”. “Me të gjitha shkencat ndihmëse, që do të përdorni, kujdesuni për fëmijët” - shton Papa.

Universiteti Katolik i Kilit dhe “Fundación para la Confianca”

Gjatë ceremonisë së përurimit të Cuida-s, rektori i universitetit katolik, Ignacio Sánchez, theksoi një nga detyrat e dorës së parë: “Qendra do të kontribuojë për politikën publike, që krijon kushtet për ndërtimin e një shoqërie më respektuese e më mbrojtëse ndaj fëmijëve dhe adoleshentëve”. “Fundación para la Confianca” u themelua në vitin 2010 nga viktimat e shpërdorimeve të kryera prej ish-meshtarit Fernando Karadima. Ndërmjet tyre, James Hamilton, Juan Carlos Cruz dhe José Andrés Murillo të cilët, në maj të vitit 2018, u takuan me Papën në Vatikan. Misioni “Fundación para la Confianca” synon të luftojë kundër shpëdorimeve mbi të miturit: t’i shoqërojë, t’i orientojë e t’i mbrojë të gjithë ata, që kanë qenë viktima të këtyre krimeve të shëmtuara.

Fondacioni Cuida

Qendra Cuida është hapësirë akademike kërkimore, që synon t’u përgjigjet nevojave të shoqërisë për parandalimin e përvojave të mbrapshta në moshat e reja. Qëllimi i saj është të mbledhë prova shkencore, të promovojë politika publike e të përdorë mjetet e parandalimit e të aksionit. Përbëhet nga akademikë e profesionistë të zonave të ndryshme që, në këtë hapësirë ndërdisiplinore, do të merren posaçërisht me studimin e abuzimeve seksuale mbi të miturit.

15 gusht 2019, 16:05