Kërko

Papa Françesku dhe Imami i Madh i Al Azharit nënshkruajnë Deklaratën për Vëllazërimin Njerëzor, 4 shkurt 2019 Papa Françesku dhe Imami i Madh i Al Azharit nënshkruajnë Deklaratën për Vëllazërimin Njerëzor, 4 shkurt 2019 

Krijohet Komiteti i Lartë për zbatimin e Dokumentit historik mbi Vëllazërimin Njerëzor

U themelua në Abu Dabi, një Komitet i Lartë për të zbatuar Dokumentin kushtuar Vëllazërimit Njerëzor, nënshkruar shkurtin e kaluar në Emiratet e Bashkuara Arabe nga Papa Françesku dhe nga Imami i Madh i Al-Azharit, Ahmed Al-Tayeb.

R.SH. - Vatikan

Shehu Mohamed bin Zayed Al Nahyan, princi i Kurorës i Abu Dabit dhe zv.komandant suprem i forcave të armatosura të Emirateve të Bashkuara Arabe, deklaroi se krijimi i këtij Komiteti do të ndihmojë në zbatimin e vizionit të përbashkët për nisma që promovojnë tolerancën, bashkëpunimin dhe bashkëjetesën. Emiratet e Bashkuara Arabe mbështesin të gjitha përpjekjet për paqe dhe për përhapjen e parimeve të vëllazërimit dhe të bashkëjetesës paqësore në gjithë botën, nënvizoi Lartësia e Tij.

Detyrat e Komitetit

Komiteti ka për detyrë të krijojë një kornizë për arritjen e objektivave të Deklaratës Globale për Vëllazërimin Njerëzor. Ai do të përgatisë edhe projektet e nevojshme për zbatimin e dokumentit, do të ndjekë zbatimin e tij në nivelin rajonal dhe ndërkombëtar dhe do të takohet me drejtuesit fetarë, krerët e organizatave ndërkombëtare dhe të tjerë, për të mbështetur dhe mbrojtur idetë bazë të këtij dokumenti historik.

Gjithashtu, Komiteti i Lartë do të nxisë autoritetet legjislative t’i ndërthurin dispozitat e dokumentit me ligjet kombëtare, në mënyrë që vlerat e respektit të ndërsjellë dhe të bashkëjetesës të nguliten mirë. Ai do të mbikëqyrë edhe Shtëpinë e Familjes Abrahamike (muzeumi, që përkujton vizitën historike të Papës Françesku në Abu Dabi). Me marrëveshje të përbashkët, Komiteti mund të përfshijë anëtarë të rinj.

Përbërja e Komitetit

Në Komitet bëjnë pjesë kryetari i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, imzot Miguel Ángel Ayuso Guixot; rektori i Universitetit Al-Azhar, prof. dr. Mohamed Hussein Mahrasawi; sekretari personal i Papës Françesku, imzot Yoannis Lahzi Gaid; gjykatësi-këshilltar i Imamit të Madh, Mohamed Mahmoud Abdel Salam; kryetari i Departamentit të Kulturës dhe Turizmit në Abu Dabi, Mohamed Khalifa Al Mubarak; Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit Mysliman të Pleqve, Sulltan Faisal Al Rumaithi; dhe shkrimtari e protagonisti i njohur i mediave të Emirateve, Yasser Hareb Al Muhairi.

Dokumenti i Vëllazërimit Njerëzor hap i rëndësishëm në marrëdhëniet katoliko-myslimane

Dokumenti i Vëllazërimit Njerëzor, ose –siç njihet - Deklarata e Abu Dabit, bërë publike në shkurt, është deklaratë e përbashkët katoliko-myslimane për t’u impenjuar në bashkimin e gjithë njerëzimit dhe në vendosjen e paqes në botë, që brezat e ardhshëm të mund të jetojnë në një atmosferë respekti dhe bashkëjetese. Dokumenti u nënshkrua pikërisht më 4 shkurtin e këtij viti, nga Imami i Madh Al-Azharit dhe nga Papa Françesku, gjatë vizitës së tij historike në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Nënshkrimi i Dokumentit të Vëllazërimit Njerëzor dëshmoi edhe impenjimin e vendit arab mysliman në promovimin e dialogut ndërfetar dhe të vlerave të përbashkëta, përfshirë tolerancën dhe bashkëjetesën paqësore ndërmjet njerëzve të të gjitha feve dhe besimeve.

20 gusht 2019, 15:30