Konventat e Gjenevës. Thirrja e Papës në Engjëllin e Tënzot: të gjithë duhet t'i respektojnë

Në prag të përvjetorit të katër Konventave të Gjenevës, Papa Françesku nënvizon përsëri se edhe sot është shumë e rëndësishme të mbrohen e të ruhen njerëz e popuj, që përfshihen në konflikte të armatosura, posaçërisht civilët e pambrojtur.

R. SH. - Vatikan

“Të dashur vëllezër e motra, nesër përkujtohet 70-vjetori i Konventave të Gjenevës, […] që caktojnë kufijtë e përdorimit të forcës dhe kanë për qëllim mbrojtjen e civilëve dhe të të burgosurve në kohë lufte”.

Me këto fjalë Papa Françesku, në përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot të së dielës, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit, vuri me forcë në dukje kushtet në të cilat detyrohen të jetojnë popullsitë e vendeve të martirizuara nga lufta.

Të gjithë duhet ta respektojnë të drejtën ndërkombëtare humanitare

“Uroj që ky përkujtim - vijoi Françesku - t’i bëjë shtetet anëtare më të vetëdijshme për nevojën e pamohueshme të mbrojtjes së jetës e të dinjitetit të viktimave të konflikteve të armatosura”.

Duke nënvizuar rëndësinë e mjeteve të tilla juridike ndërkombëtare, Papa ftoi të respektohen:

“Të gjithë e kanë për detyrë t’i respektojnë kufijtë e caktuar nga e drejta ndërkombëtare humanitare, duke mbrojtur popullsitë e pambrojtura dhe strukturat civile, posaçërisht spitalet, shkollat, vendet e kultit, kampet e refugjatëve - pohoi Papa - duke nënvizuar se lufta dhe terrorizmi janë gjithnjë humbje e madhe për mbarë njerëzimin. Disfatë njerëzore”.

Lindja e katër Konventave  të Gjenevës

Ishte data 12 gusht 1949 kur, në Gjenevë, u adoptuan katër Konventat për rregulloret e luftës, duke rishikuar marrëveshjet e mëparshme  ndërkombëtare. Katër Konventat e Gjenevës i angazhojnë shtetet kontraktuese t’u sigurojnë mbrojtjen e nevojshme civilëve të përfshirë në konflikte e t’u krijojnë kushtet e duhura robërve të luftës si dhe të plagosurve të forcave të armatosura. Konventat u ratifikuan nga 61 shtete,  që favorizuan edhe ratifikimin e mëtejshëm nga ana e kombeve të tjera. Shtrirja e konflikteve dhe procesi i dekolonizimit çuan, më pas, në integrimin e katër Konventave, përmes protokolleve shtesë, adoptuar vitet e mëpasme.

11 gusht 2019, 13:46