Kërko

Françesku: familjet të bëhen gjithnjë e më shumë, laboratore humanizimi

Në Videon e ndjetit të lutjes së Papës për gushtin, Françesku kërkon kujdes për familjet e lutje për ta, që të bëhen ‘laboratore të vërteta humanizimi, ku anëtarët të mund ta kalojnë jetën me lutje, mirëkuptim, dashuri”.

R. SH. - Vatikan

Në Videon për muajin gusht, Françeku i kushton vëmendje kryesore familjeve dhe kërkon që ndjetet e lutjes të kenë në qendër të vëmendjes  gjithçka i bën kontekste të vërteta të humanizimit. Për Atin e Shenjtë, familjet janë “trashëgimi më i mirë i mundshëm”, që mund t’i lëmë botës dhe së ardhmes.

Të dhënat, që përmbajnë disa raporte zyrtare, tregojnë se në Bashkimin Evropian 16% e familjeve janë monoparentale, domethënë, të formuara nga një prind i vetëm e fëmijët e tij. Në SHBA, sipas statistikave të para tre vjetëve, vetëm 44% e çifteve janë të martuar, ndërsa vijon të shtohet gjithnjë më shumë numri i njerëzve, që jetojnë vetëm (20%) e në çift (8%). Në Amerikën Latine spikat rasti i Kolumbisë, ku regjistrohet numri më i lartë i çifteve, që jetojnë jashtë martesës, me një përqendje 35%. Kjo prirje  duket e zakonshme edhe në vendet e tjera të zonës, ku 27% e fëmijëve jeton në familje me një prind të vetëm.

Në këto rrethana, në ndjetin e lutjes, Papa i fton të gjithë besimtarët të luten e të kujdesen për familjen, duke e parë “si shkollë e vërtetë e së nesërmes”. Mesazhi papnor është thirrje drejtuar familjeve, që t’i kushtojnë vëmendje dialogut në jetën e përbashkët. E të mësohen  ta mirëpresin njëri-tjetrin, ta falin, të mos e harrojnë kurrë se familja është shkolla e parë, ku njeriu mëson të dojë! Njëkohësisht, fjalët e Françeskut tërheqin vëmendjen mbi rrezikun e individualizmit të tepruar, që i çorodit lidhjet familjare e arrin deri atje, sa ta shikojë çdo anëtar të familjes si ishull, me rrezikun që të krijojë “atmosferë të padurueshme e agresive”.

Jezuiti Atë Frédéric Fornos, drejtor ndërkombëtar i rrjetit botëror të Lutjes së Papës (që përfshin edhe Lëvizjen Eukaristike Rinore), nënvizon se pikërisht në familjet tona, me gëzimet e dhimbjet e tyre, me sukseset e zhgënjimet, mësojmë të duam e të na duan. Aty zbulojmë dashurinë e shërbimin, ndarjen e përbashkët e dialogun, faljen e pajtimin, përmes prindërve tanë, vëllezërve, kushërinjve e familjarëve.  Aftësia për të dashur e për t’u dashur na humanizon, na ndihmon ta ndjejmë fort në jetën tonë edhe dashurinë e Zotit.

Çdo familje është e ndryshme e duhet të kapërcejë sfida për të dhënë jetë e për ta rritur jetën në botën e sotme, duke e ruajtur gëzimin, pavarësisht nga plagët, e edhe bashkimin, pa ndarje. Në këtë ndjet lutjeje, Françesku  kujton rëndësinë që ka për familjen jeta e lutjes dhe dashuria, që  favorizon rritjen njerëzore e shpirtërore, duke ecur në gjurmët e Jezusit, i cili na tregon ç’do të thotë të jesh njeri në kuptimin më të plotë të fjalës. Familjet janë qendra të vërteta të njeridashjes!

01 gusht 2019, 16:14