Kërko

2019.08.07 Udienza Generale 2019.08.07 Udienza Generale 

Audienca e përgjithshme anulohet. Më 15 gusht kremtohet Engjëlli i Tënzot!

Audienca e përgjithshme e së mërkurës, 14 gusht, anulohet. Kremtohet Engjëlli i Tënzot i 15 gushtit, solemniteti i Të Ngjiturit të Zojës në Qiell.

R. SH. - Vatikan

Sipas kalendarit të Prefekturës së Shtëpisë Papnore, të mërkurën e ardhshme Papa nuk do ta mbajë audiencën e përgjithshme. Ndërkaq Françesku do të kremtojë lutjen e Engjëllit të Tënzot të enjten, më 15 gusht, në mesditë, nga dritarja e studios së tij, në Pallatin Apostolik, në festën e Solemnitetit  të Të Ngjiturit të Zojës në Qiell.

Virgjëra e Papërlyer, e ruajtur nga mëkati i rrjedhshëm, pasi kreu udhën e jetës së saj tokësore, u ngjit në qiell. U pranua në lumninë qiellore, me korp e me shpirt. E Zoti e lartoi me titullin Mbretëreshë e Universit, sepse është krijesa njerëzore, që përkon më shumë se të gjithë me Birin e saj, Zotin e zotëruesve e fitimtarin mbi  mëkatin e mbi vdekjen (Koncili II i Vatikanit, Lumen gentium, 59).

15 gushti na kujton se Zoja e Ngjitur në qiell - shkruhet në Mesharin Romak -  është fryt i parë i Kishës qiellore, shenjë ngushëllimi e shpresë e sigurt për kishën shtegtare. Fjetja e Hyjlindëses dhe ngjitja e saj në qiell është një nga festat më të lashta mariane, në Lindje e në Perëndim. E kjo, sepse Nëna Krishtit e ngjitur në qiell, na parapriu të gjithëve!  

Më 1 nëntor 1950, Papa Piu XII shpalli solemnisht dogmën  e Të Ngjiturit të Marisë në Qiell, duke saktësuar se Nëna “auguste” - “e shuguruar” e Zotit, nxori hirin e ruajtes nga kalbëzimi i varrit e, si e mundi vdekjen, siç kishte bërë edhe i Biri, u ngjit me korp e shpirt në lavdinë e Qiellit”.

12 gusht 2019, 16:37