Kërko

Vatican News
 Vizita e Papës në Shtëpinë Regina Mundi, Romë Vizita e Papës në Shtëpinë Regina Mundi, Romë 

Vizitë e papritur e Papës në Regina Mundi, në Romë.

Bashkësia e Bijave të Dashurisë së Krishterë të Shën Vinçenc de’Paolit pati, të dielën e kaluar, një mysafir të posaçëm: Papa Françesku arriti papritur pasdite në shtëpinë provinciale Regina Mundi

R. SH. - Vatikan

Dy ishin çastet kryesore të kësaj vizite të Papës tek Bijat e Dashurisë së Krishterë të Shën Vinçenc de’Paolit, në selinë e tyre “Mbretëresha e Botës”. I pari, takimi, në infermieri, me motrën Maria Mucci që, për shumë vjet, ka punuar në rezidencën e Shën Marisë, në Vatikan. Çasti i dytë i vizitës lidhet me një  faqe dramatike historie: Papa kundroi një relike të veçantë të Shën Gjon Palit II, ruajtur në kapelën e brendshme. Është  bluza e gjakosur, që Papa Wojtyla kishte veshur ditën e atentatit të 13 majit 1981, me njollat e dukshme të gjakut, vrimat e shpuara nga plumbat e gjurmët e mërkurit e të kromit, si dhe shenjat e prerjeve në fillim të ndërhyrjes në sallën e operacionit të Spitalit Gemelli. Pranë etiketës së bluzës dallohen qartë inicialet “GP”. Bluza u mor menjëherë pas operacionit, ndërmjet garzave të gjakosura, nga një infermiere, e cila e ruajti për shumë vjet. Në vitin 2000, vit i Jubileut të Madh, bluza iu dhurua Bijave të Dashurisë së Krishterë.

30 korrik 2019, 16:44